EmailFacebookKontakt

Të njohim vetveten

Kjo ishte tema e konferencës studentore – rinore, që u zhvillua nga datat 4-6 prill, në mjediset e kompleksit bashkëkohor të manastirit të Shën Vlashit. Konferenca, e cila ishte konceptuar të kthehej në një fundjavë të këndshme, do të priste studentë nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Kavaja, Gjirokastra, Korça, Përmeti, Pogradeci madje edhe nga Kosova. Kjo është veprimtaria e dytë e tillë gjatë këtij viti akademik, e organizuar me bekimin e Forlumturisë së Tij, prof. dr. Anastasit dhe nën kujdesin e koordinatorëve të Qytetit Studenti, dhjakon Emanuelit dhe Ana Babës. I ftuar kryesor ishte Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Joani.

Programi i kësaj konference ishte i përpiluar në mënyrë të tillë ku ndërthurrja e referateve, shërbesave fetare, veprimtarive sportive dhe argëtimeve të tjera, t’i ndihmonte studentët për një përvetësim sa më të lehtë të temës. Gjithashtu, u bë prezantimi i fotografive të konferencës, të cilat ishin marrë në mënyrë të lirshme dhe që u shoqërua me koment, duke krijuar një atmosferë shumë komike.

Hirësi Joani gjatë referimeve të tij u ndal në faktin se të njohësh vetveten nuk është një gjë e lehtë. Vetëm Krishti, duke qenë njeriu i përsosur, ka mundësi të krijojë një pikë kontakti me Hyjninë dhe njerëzit. Natyra njerëzore e deformuar ka shkaktuar formimin e një pseudoveteje, e cila përbën një sëmundje për të gjithë njerëzimin. Që të arrijmë të njohim vetveten duhet të shihemi tek pasqyra Perëndi. Vetëm duke arritur tek vetënjohja reale mund të posedojmë përulësinë e vërtetë. Ne duhet të çlirohemi nga diktati i krenarisë. Kjo arrihet me anë të një komunikimi të vërtetë me Perëndinë dhe njëri-tjetrin.

Në referatin e tij, pedagogu i Akademisë Teologjike, z. Natan Hoppe, foli mbi “Marrëdhënien me Perëndinë dhe të afërmin”. Ai nënvizoi se marrëdhënia e prishur me anë të shkeljes së urdhrit nga të parëkrijuarit mund të rehabilitohej vetëm nga një marrëdhënie e drejtpërdrejtë dhe intime me Perëndinë.

Studentët shprehën falënderimin e tyre në drekën e fundit, që kishim së bashku, për ditët e bukura, të frytshme, shpirtërore dhe plot argëtim që kaluam gjatë konferencës. Ne u ndamë për t’u takuar sërish në konferencën e ardhshme.

Aleks Çuri