Ata qëndrojnë aty, në një cep të kishës. Zëri i tyre i ëmbël dhe melodioz bashkë me lutjet drejtuar Perëndisë formojnë këngë shpirtërore, tingujt e të cilave përhapen gjithandej dhe bien lehtë në mendjet dhe zemrat e besimtarëve të pranishëm çdo të diel në Liturgjitë Hyjnore. Shumë prej atyre, që kanë kapërcyer pragun e portës të kishës së “Shën Prokopit”, në Tiranë, i njohin mirë këta djem dhe vajza. Shpesh, në përfundim të liturgjisë i përgëzojnë me dashamirësi. Madje i njohin jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera.
Këta të rinj përbëjnë korin e Kishës dhe njëkohësisht korin e Radios “Ngjallja”.
Ka qenë ideja dhe dëshira e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas për të krijuar një kor me nivel profesionist, që gjeti mbështetjen dhe angazhimin e Artistit të Merituar Milto Vako. Nisma u mirëprit nga të gjithë dhe pati rezultate pozitive, sepse bëhej punë serioze dhe me përkushtim. Anëtarët e korit të porsakrijuar u morën nga grupet e katekizmit në shtëpinë e rinisë dhe më vonë ai u pasurua me zërat e studentëve të Akademisë së Arteve. Më 1998, profesor Miltoja ia la stafetën dirigjentes së re dhe me shumë talent Joana Nano. Gjatë viteve të para Joana kujton disa nga veprimtaritë, ku morën pjesë, si: në festivalet e rinisë orthodhokse, në koncertet e Pashkëve dhe Krishtlindjeve etj. Ato ishin mbresa të paharrueshme dhe shërbyen si pikënisje për suksesin e mëtejshëm. Më 2001 u vendos që kori të këndonte në kishën e “Shën Prokopit”, ku vazhdon edhe sot.
Bashkë me korin u krijua edhe orkestra, e përbërë nga një trio profesioniste e diplomuar në arte. Aktualisht ajo ka katër instrumentistë: në violinë, violinçel dhe kitarë. Orkestra shoqëron korin në të gjitha aktivitetet, që organizon Kisha dhe shtëpia e rinisë “Bij të Dritës”. Veprimtaritë kanë qenë të larmishme dhe kori kudo ka korrur sukses: në Tiranë, Durrës, Berat, Elbasan etj. Gjithashtu, ky kor ndihmon edhe në përgatitjen e koreve të tjera që funksionojnë nëpër këto qytete, duke pasur si qëllim rritjen e cilësisë së tyre. Burim i këtij suksesi është puna dhe përkushtimi i të gjithë pjesëtarëve të korit dhe orkestrës, që në fakt është emërtuar kori i Radios “Ngjallja”, ndërsa në të vërtetë, kudo që shkojnë besimtarët orthodhoksë e konsiderojnë atë si korin e tyre.
Dirigjentja dhe sopranoja Joana Nano ka merita të veçanta për ngritjen e këtij grupi në nivele të larta. “Në fakt, kori është duke u përmirësuar me zëra profesionistë, që i japin peshë dhe nivel cilësor”,- na thotë ajo. Qëllimi kryesor, për rritjen e standardit të këtij kori, që përfaqëson denjësisht Kishën tonë Orthodhokse, është rritja e nivelit artistik të pjesëmarrësve në të. Kryepiskopi dëshiron që kori të zgjerohet dhe aktualisht numërohen rreth 18 djem e vajza gjimnazistë, studentë dhe të diplomuar. Dy muajt e fundit zërat e ëmbël të vajzave shoqërohen edhe nga zërat brilantë të disa djemve të zellshëm.
Në planet e tyre, kori dhe orkestra kanë synim të nxjerrin secili nga një album me këngë kishtare, himne bizantine, këngë popullore dhe disa pjesë klasike. Gjithashtu ata po përgatiten për koncertin e madh festiv, që do të organizohet nga Kryepiskopata me rastin e Pashkëve 2003.
Isidor Koti