Më 20 janar 2003 fjeti në Elbasan z. Konstandin Naum Bardhi, në moshën 57-vjeçare. Ai ka qenë një ndër besimtarët orthodhoksë më këmbëngulës për përhapjen e fjalës së Zotit tonë Jisu Krisht. Ishte një njeri me kurajo të madhe dhe ndihmonte shumë besimtarë në rrugën e drejtë të orthodhoksisë.
Për meritat e tij të vyera besimtarët e lagjes “Kala” të Elbasanit, në kishën e lashtë të Shën Marisë, e zgjedhin sekretar të kishës fill pas fillimit të shërbimit fetar.
Konstandini me të ardhurat e tij bleu stoli klerikësh dhe pajisje të ndryshme për kishën. Ai, bashkë me At Spiron kanë qenë përfaqësues për pritjen në aeroportin e Rinasit të Kryepiskopit Anastas, kur erdhi për herë të parë në Shqipëri.
Qysh në atë kohë dhe deri sa dha shpirt, nuk e ndali punën dhe gjithmonë e ngrinte zërin kudo për kthimin e pronave të kishës, ndërtimin e kishave të reja etj., punë që e bënte përherë falas dhe me dëshirë.
Besimin orthodhoks dhe shpresën e madhe tek Perëndia ua rrënjosi thellë fëmijëve të tij dhe nipërve e mbesave. Konstandini mori pjesë dhe në veprimtari që organizoi kisha orthodhokse në disa rrethe si Korçë, Tiranë, Gjirokastër etj.
Edhe gjatë kohës së monizmit ruajti të paprekura me shumë fshehtësi ikona me vlerë, të cilat më pas i dorëzoi në kishë.
Puna dhe veprimtaria e tij si besimtar e aktivist i kishës, figura e tij prej orthodhoksi të devotshëm, që nuk e ndante fjalën nga vepra, është një shembull, i cili do të ndiqet nga gjithë besimtarët orthodhoksë në Elbasan. Nga këto veti të tij të mira kemi mësuar edhe ne klerikët e rinj.
Perëndia t’ia prehë shpirtin në krahun e Tij.
At Joan Gjica