Jetonte në Siqeli, nuk dihet se kur. E ëma, që quhej gjithashtu Efthalia (=e lulëzuar), ishte e sëmurë me hemorragji, derisa u bashkua me Zotin dhe u pagëzua së bashku me të bijën. Dhe kjo u realizua pasi kishte parë në ëndërr martirët Alfi, Filadelfi dhe Kiprini (10 maj), për të cilët gjithashtu nuk dihet se kur kanë jetuar dhe që e nxitën pikërisht për të pranuar Shpëtimtarin, nëse dëshironte të shërohej. Por, kjo gjë zemëroi aq shumë të birin, që ishte idhujtar, saqë iu sul për ta mbytur! Ajo ia arriti t’i shpëtonte nga duart me ndihmën e një shërbëtoreje. Atëherë vajza e vështroi shumë rreptë për krimin që tentoi të kryente, dhe pyetjes së tij, se mos ishte edhe ajo e krishterë, ajo pohoi me guxim të palëkundur besimin e saj. Dhe vëllai i demonizuar e zhveshi dhe e rrahu, dhe ia dha një shërbëtori për ta turpëruar. Por, në sajë të lutjes së saj shërbëtori u verbua, ndaj i vëllai, si një Kain i dytë, i preu kokën…