EmailFacebookKontakt

Pro ndërtimit të kishës

Që në shkrimet “kundër” ndërtimeve të tempujve të kultit në Tiranë zotërojnë përgjithësisht shembuj dhe argumente që i kundërvihen ndërtimit të kishës, dhe jo aq të xhamisë, mund të shpresohet të jetë rastësi. Ndryshe do të ishte vërtet për të ardhur keq në një vend si Shqipëria ku, sikurse thuhet, “minarja në thes nuk hyn”. Do të përpiqem të sjell argumente në të mirë të ndërtimit të kishës, jo ngase e ndaj atë prej ndërtimit të xhamisë, por sepse çështjen e saj shpresoj ta njoh paksa më mirë. Nga ana tjetër, nuk kam dyshim se anëtarë të bashkësisë myslimane të Tiranës do të jenë në gjendje të formulojnë edhe ata argumentet “pro” ndërtimit të xhamisë, që bashkësia e tyre kërkon, si dhe për të skajuar m’anësh mjaft të “këputura kot” të autorëve “kundër”. Po sepse më rezulton që edhe autorë në përgjithësi të besueshëm, në shkrimet “kundër” ndërtimit të tempujve të kultit në qendër të Tiranës gjithashtu t’ia kenë “këputur kot”. Dashtë zoti të mos ia kenë këputur kot edhe në shkrime të tyre të tjera, që ua kemi marrë me tërë mend.

Bashkësia e krishterë orthodhokse e Tiranës ka një histori të vetën, dyqindecavjeçare, që e zë fillin në gjysmën e dytë të shek. XVIII, kur grupet e para të familjeve orthodhokse u vendosën brenda qytetit atëherë myslyman të Tiranës dhe, shkallë-shkallë, zunë e u bënë komponente me peshë tregtare, kulturore e sidomos qytetare të përparimit të qytetit. Po të mbahen parasysh rrethanat në të cilat u organizua bashkësia në fjalë, në suazën e Perandorisë osmane, në të cilën organizimi fetar për popullsitë e krishtera orthodhokse funksiononte si organizim i tyre gjysmadministrativ, kuptohet përse përqendrimi i tyre meth institucionit dhe njëherësh tempullit që quhej “kishë” merrte rëndësi të dorës së parë për mbijetesën e tyre. Historia e zhvillimit të Tiranës si qytet ka regjistruar përpjekjet e bashkësisë orthodhokse të saj për ndërtimin e një kishe të vetën qysh në gjysmën e dytë të shek. XVIII, nën patronatin e Ibrahim bej Bargjinit, i cili ishte edhe mbrojtësi i kësaj bashkësie duke qenë se nën dorëzaninë e shtëpisë së tij familjet e para të bashkësisë orthodhokse u patën vendosur në qytet.

E para ngrehinë kulti e kësaj bashkësie në Tiranë qe kisha e Shën Prokopit, e cila u ndërtua në krahun e majtë të përroit të Lanës, asikohe jashtë qytetit, aty ku sot ndodhet Akademia e Arteve të Bukura. Për të mundësuar ngritjen e saj u ble fermani lejues sulltanor, i domosdoshëm për ndërtime të atilla, si dhe u mblodhën të holla e ndihma nga e gjithë bashkësia. Në punimin “Trajta të profilit urbanistik të qytetit të Tiranës” (Tiranë 1987), autori K. Miho e vendos ndërtimin e kësaj kishe më 1720. Historiani i Kishës Orthodhokse Shqiptare Dh. Beduli, në studimin Bashkësia orthodhokse e Tiranës (Tiranë 1997), e ka mbajtur të pasaktë datimin e Mihos dhe e ka vendosur ndërtimin e saj në vitet 80-87 të shek. XVIII. Ajo kishë e parë ishte një ndërtesë e thjeshtë përdhese dhe e ulët, me mure qerpiçi dhe çati rrasash, me një hajat të zakonshëm, me tavan dërrasash dhe e lyer në gëlqere, pa kambanare, ashtu si lejonin kushtet e kohës. Deri në vitin 1874 ajo shërbeu si kishë enorie, d.m.th. famullitare.

Rritja e bashkësisë orthodhokse në qytet, nga njëra anë, por edhe kushtet më lëshuese të administratës osmane asikohe në reformim e sipër, nga tjetra, bënë të mundshme që bashkësia t’i vihej punës për ndërtimin e një kishe të re, kësaj here brenda në qytet. Kjo ishte kisha e Vangjelizmojt (Ungjillëzimit), që u ngrit pikërisht aty ku sot “ndodhet” hotel Tirana International. Dhimogjeronida e bashkësisë u bëri thirrje anëtarëve të saj për të ndihmuar në ndërtimin e këtij tempulli të ri. Thirrjes iu përgjigjën të gjithë anëtarët e bashkësisë: me të holla, me dhurata të ndryshme, ose me punë. Në Kodikun e përkthyer dhe të studiuar nga Beduli gjendet edhe lista e tyre e hollësishme emër për emër, me shumat e dhuruara ose ndihmat përkatëse të të gjitha shpenzimeve të kryera për ndërtimin e saj.

Kisha e Vangjelizmojt u përurua më 1 shtator 1874. Në Kodikun e përmendur është shënuar: “Kisha e shenjtë e Ungjillëzimit të Hyjlindëses së Tërëshenjtë, të lavdëruar dhe gjithmonëvirgjër Mari në qytetin e Tiranës, u ndërtua që nga themet me të hollat e të krishterëve orthodhoksë të qytetit të Tiranës e të Durrësit, në kohën e të Shumëhirshmit Mitropolit të Durrësit Imzot Visarionit, Ikonom Papa Jorgji Theoharit nga Elbasani, prej të cilit edhe u përurua më 1 shtator 1874, ditën e diel”. Kjo ngrehinë tanimë nuk ishte një kishëz e vogël”, si ajo e Shën Prokopit të vjetër. Në kohën e saj ajo konkuronte për nga madhësia me kishat orthodhokse metropolitane të Korçës dhe Durrësit. Kishte formë bazilike trianijëshe, ishte rreth 24 m e gjatë dhe 18 m e gjerë. Ishte kishë me narteks, anijatë dhe altar. Anijata ndahej në tri anijeza të vogla nëpërmjet harkadash të mbështetura në shtylla, me një kube në qendër. Altari ndahej prej anijatës me ikonëmbajtës. Kishte një kambanare, por jo kambanë, mbasi të krishterëve në ato kohëra nuk u lejohej përdorimi i kambanave në tempujt e tyre të kultit; kambana u vendos dhe filloi të përdorej më 1902.

Me kushtet e reja urbanistike të krijuara mbas caktimit të Tiranës kryeqytet, në vitet 1922-1923 kishës së Vangjelizmojt iu bë një rikonstruksion i plotë. U pajis me ikonëmbajtës të ri dhe ikona të reja, simbas projektit të piktorit në zë të asaj kohe Vangjel Zengo. U rindërtua kubeja qendrore, në të cilën u piktura Krishti i Tërëpushtetshëm, u shtrua dyshemeja me pllaka qeramike, u vendosën frona të rinj, u ndërtua një parahyrje, u vendos një pagëzore e re etj. E modernizuar kësisoj herë mbas here, kisha e Vangjelizmojt i vijoi funksionet e veta deri në fillim të viteve ’60.

Në bazë të një plani “rregullues” të qytetit në fillim të viteve ’60, në qendër të Tiranës duhej të ndërtohej një “qiellgërvishtës”, ai që më vonë do ta njihnim si “15-katëshi”. Për ndërtimin e tij duhej hequr nga sheshi i kryeqytetit njëri prej dy objekteve të mëdha të kultit. Dhe gishti i ra pikërisht mbi kishën e Vangjelizmojt. Specialistë të urbanistikës kanë treguar në kujtimet e tyre se në debatin për miratimin e planit “rregullues” Mehmet Shehu pati ngulmuar me të tepërt që “qiellgërvishtësi” të ndërtohej pikërisht aty tek ndodhej kisha. (Ka edhe që e lidhin ngulmimin e Shehut me një urrejtje viscerale të trashëguar prej t’et, ish-komandant i bandave haxhiqamiliste të Mallakastrës në vitet 1914-1915; por ky argument nuk hyn këtu në punë). Shkurt fjala: kisha e Vangjelizmojt u rrënua. Bashkësisë orthodhokse iu dha një “kompesim” diku në një rrugicë pranë “Parkut të Xha Tomit”, si quhej asikohe, ku ajo u detyrua të ndërtonte me shpejtësi një kishë tjetër, e cila do të ishte shumë jetëshkurtër, 1964-1967, kur nga kishë do të kthehej në palestër të klubit “17 nëntori”.

Kur isha i vogël, mëma më merrte për dore kur vente te “të vetët”. Këta “të vetët” ishin një rreth i madh farefisnie, krushqie dhe të afërmish, me të cilët asokohe as e saktësoja dot mirë se çfarë bënin. Por ata janë regjistruar në kujtesën time me të dhëna kërshërore. Të dhënat zënë fill me doket e pritjes dhe përcjelljes, për shembull në ditët “e emrit”, kur mund të hanin gliko sa të veleshin. Mandej, e kremtja e të kremteve, Krishtlindjet, kur ne fëmijët venim shtëpi më shtëpi për urim dhe na qerasnin me kuleçë dhe gështenja. Po Pashkët e Mëdha, kur ndeshnim vezët e kuqe njëri me tjetrin e kudo që të veje për vizitë gjeje pilaf me mish? Po dasmat? Ende sot nuk di ta shpjegoj se përse kurorat shepsh viheshin nëpër shtëpi. Deri te “të shtunat e të vdekurve”, në varrezat, ku na jepnin në duar grurët e zier me sheqer sipër. “Të vetët” e mëmës kishin edhe emra që mua më bënin përshtypje të veçantë: Gjika, Gjoka, Fani, Klimi, Kovi, Leka, Lipi, Margariti, Miha, Mitri, Nasho, Ndini, Ndreka, Pava, Sandri, Sandri, Todi, Toma, Tuni, Vlashi, Zaku etj., por sidomos bukur më tingëllonin emrat e femrave: Dora, Eglantina që ishte vajza e dajës e sime ëme, Elena emri i mëmës vetë, Margalina emri i gjyshes, Kasja (Kasjania), Kostanca që ishte një kushërira ime shumë e bukur me flokë të verdhë, Kostandina, Ksena, Mellania, Ollga siç quhej tezja e vdekur që i binte violinës, Serafina etj.

“Të vetët” e mëmës ndodheshin më të shumtët në dy gjysma kuarteri të qendrës së Tiranës, në të dy krahët e fillimit të shëtitores së madhe në të cilën ngrihen sot hoteli “Tirana International” dhe Muzeu Kombëtar. (Grupe familjesh të kësaj bashkësie kishte edhe “te Pisha”, d.m.th., pranë ish-Mapos, “te Shallvaret” etj.). Të dyja anët e shëtitores së madhe, deri tek “Qendra Veve” e sotme nga njëra anë dhe Teatri i Estradës nga tjetra, ishin e shumta e shtëpive të tyre. Si e kuptova ndërsa rritesha, katet përdhese të ndërtesave të kësaj shëtitoreje deri në mbarim të Luftës kishin qenë magaze dhe tregtore, ndërsa katet e sipërme banesa, si ato të një lagjeje borgjeze të mirëfilltë tregtare. Më vonë magazet dhe tregtoret qenë “sekuestruar” dhe nuk u përkisnin më të zotëve. Por dyer të moçme, që thuajse nuk binin në sy, hapeshin nga katet përdhese të shëtitores për të depërtuar mbrapa, në të dyja gjysmëkuarteret gjithë rrugica-rrugica. Me ndihmën e njohësve të mirë të bashkësisë në fjalë (Mara, Beduli, Hobdari), jam tani në gjendje të rindërtoj se prej kishës së Vangjelizmojt deri tek ish-kinema “17 nëntori” dhe deri pranë ish-Mapos së madhe banonin disa familje Korra, që ishte fisi i gjyshes, si dhe familjet Terca, Janku, Hobdari, Leka, Buneci, Kona, Nishku, Shaka, Rusi, mandej familjet Dhora, Andoni, Golgota, Bidoshi, Heba, Murra, Papaklimi, Myzeqari, Nica, Vuçani etj. Nga krahu tjetër i shëtitores, atje ku sot është ndërtuar Muzeu Kombëtar, ndodhej gjysma tjetër e kuartetit të tyre, që mbërrinte deri tek ish-Teatri i Estradës dhe nëpër të cilin kalohej nga një rrugicë që niste mbrapa ish-Komitetit Ekzekutiv dhe delte në krahun e Estradës tek ish-Kafe Tirana. Aty banonin pjesë të tjera të bashkësisë: familjet Prosi, Koja, Shundi, përsëri Terca, familjet Pano, Shkurti, Kafexhiu, Musha, Çomo etj. Të dyja gjysmat përbënin një kuarter tipik të modelit të qyteteve të mëdha orientale, ku vendosen në kuartete të tilla, veç e veç të krishterët, myslimanët, hebrenjtë, armenët. Ishte një model që, padyshim, nuk do t’u qëndronte (as kishte pse t’u qëndronte) lëvizjeve demografike, rregullimeve urbanistike të qytetit, shndërrimeve të mëdha qytetërimore.

Ngjarje të veçanta për fëmijërinë e atëhershme ishin kremtet kur, për dore të mëmës, venim në kishë. Ishte kisha e madhe, që sapo e përshkrova. Në vajzëri të saj mëma kishte kënduar në korin e kishës, por ajo kishte ndjekur edhe mësimet për këngë, dhe ndoshta edhe për këtë arsye “kisha” shndërrohej për mua fëmijë në një ngjarje të dyfishtë. Ngjarjet “me kisha” lidheshin, atëherë, me kënaqësinë e muzikës bizantine mes erëmimit maramendës të temjanit, me këngën “O Zot, thirra”, me Himnin Akathist apo me “Meshën e Shën Joan Gojartit” me tre zëra. (Vetëm tani që jam rritur e kam marrë vesh që atë meshë e paskësh harmonizuar për kor mikst në variant modern Kostandin Trako, sikurse kishte harmonizuar edhe “Tetë tingujt”; në fëmijëri librat me tituj të habitshëm, si Engolpioni orthodhoks apo Himnorja me pjesë muzikore të zgjedhura prej Nolit, nuk i merrja vesh. Ngjarjet “me kishë” visheshin edhe me një lloj “sekreti”: si unë, si ime motër më e madhe, porositeshim çdo herë prej mëmës që të mos tregonim në shtëpi që kishim qenë në kishë. Babai ishte ateist në bindje, madje ndër themeluesit e ateizmit shqiptar (Sëmundja fetare, 1935). Ç’është e vërteta, kur jam rritur më ka ardhur për të qeshur me atë farë “sekreti”, mbasi e kam kuptuar që babai me siguri e dinte se ku na shpinte mëma ne fëmijëve ditëve të diela dhe kremteve, por toleronte. Ai përpiqej që laicizmin, ose qoftë edhe ateizmin, të na e formonte si bindje, jo si detyrim. Tregonte gjëra mjaft interesante, fjala vjen, nga takimet dhe bisedat e tij të kohës së gazetarisë me figura si Kristofor Kisi, Visarion Xhuvani, Agathangjel Çamçe, sidomos me Irine Banushin.

Po nga fëmijëria vijnë edhe kujtimet e shkëmbimeve të ndërsjellta të vizitave me “të tjerët”, si për Krishtlindje, ashtu për Bajrame, kur ne ftonim shokët në kremtet tona dhe ata na ftonin në të tyret; dhe kjo ishte gjëja më normale në botë. Kur shfletoj sot historinë e dy bashkësive kryesore fetare të Tiranës, asaj myslimane dhe asaj të krishtere orthodhokse, vërej se në bashkëjetesën e tyre të gjatë, sa u përket “incidenteve fetare” kjo histori regjistron… Sa, do të thoni ju? Vetëm dy incidente të tilla në dy shekuj e ca bashkëjetese. Shifër e pranueshme sikur edhe për incidentet brendapërbrenda një bashkësie të vetme, apo jo?

Ka të ngjarë që edhe te këto kujtime të më zërë fill çmeritja prej “analistëve” që janë nxituar të na dëftojnë ose që 1) tempujt e kultit nuk u ngritkëshin në qendra të qyteteve, por nëpër periferira, ose që 2) kisha “e orthodhoksëve” nuk paskësh qenë veçse një ndër “kishat e vogla” që paskëshin “humbur” gjatë “rikonstruksionif” të qendrës së Tiranës, ose që 3) mjaft më të rëndësishme se tempujt e kultit na qenkëshin “lulishtet” dhe posaçërisht ajo lulishtja-shurrishtja mbrapa Ministrisë së Mbrojtjes, që po na e paraqesin sot si Kopsht të Luksemburgut apo të Tyilërive.

Rrënimi i kishës së Vangjelizmojt, ashtu si u krye, ishte akt dhune ndaj qytetarëve të Tiranës në përgjithësi, por në mënyrë të veçantë ishte akt fyerjeje ndaj bashkësisë orthodhokse të kryeqytetit. Ishte nga ato akte për të cilat askush në shtetin shqiptar të mbas ’90-s nuk mban përgjegjësi dhe, rrjedhimisht, as që do të kërkojë ndonjëherë ndjesë. Por, nga kjo përgjegjësi e munguar dhe ndjesë e stërmunguar te ngritja e një fushate “kundër” ndërtimit të një kishe orthodhokse në qendër ose pranë qendrës së Tiranës, ka një kapërcim rokambolesk. Kam bindjen që është kapërcim rokambolesk jo vetëm për ata që janë lindur dhe rritur në këtë qytet dhe që e lidhin me të histori familjare disashekullore, por edhe qytetarin më të ri të vendosur në Tiranë. Çfarë e keqeje shihet në faktin që, po diku pranë qendrës së Tiranës, aty ku ia rrënuan dikur kishën e madhe dhe të bukur, bashkësia orthodhokse e qytetit të ndërtojë kishën që i duhet? Më vjen vështirë madje të përdor në këtë mes termin “kompesim”, mbasi për çështjen e ngritjes së tempullit të kultit “kompesimi” ngjan term i pistë. Nuk bëhet fjalë as për të rindërtuar ndonjë “monument kulture”, i cili do të duhej të respektonte përmasat, stilin dhe, më në fund, edhe vendin e mëparshëm. Bëhet fjalë për ngritjen e një tempulli funksional, në të cilin bashkësia të mblidhet për të kremtuar të kremtet e veta: Krishtlindjet, Pashkët e Mëdha dhe të Voglat, Rrëshajët, të Dielën e Dafinave. Të mblidhet për të pagëzuar fëmijët kur i linden, për t’u festuar atyre ditët e emrit, për t’u shtënë kurorë kur të rriten, për t’u bërë shërbesat të vdekurve të vet para se t’i përcjellë me “të shumët”, për të përkujtuar mandej të vdekurit e dashur, sërisht për të pagëzuar të sapolindurit, dhe kështu ciklikisht, sikundër ka vepruar prej gati dy mijë vjetësh. Të mos bëhet kinse harrohet që tempujt e kultit nuk do të reduktohen në “monumente kulture” të thjeshta për sa kohë vetë fetë nuk do të jenë “monumente kulture”, por realitete të gjalla dhe ingrediente të jetës së përditshme të një shoqërie.

Që në Tiranë na paskësh tanimë shumë ateistë? Por, më falni për shprehjen, kujt iu prish puna? Tirana si qytet në rritje të vrullshme prej 100 vjetësh ka edhe gjithnjë më shumë besimtarë, të cilët u shtohen si bashkësisë myslimane, ashtu edhe asaj të krishtere. Bashkësia orthodhokse e Tiranës e kishte kishën e vet të madhe që, si dëftova, konkuronte me kishat orthodhokse metropolitane të Korçës dhe Durrësit, qysh prej shekujve XVIII-XIX, kur Tirana nuk qe veçse një qytet modest dhe bashkësia orthodhokse në të vetëm 1/10 e kësaj të sotmes. Sa për kureshtje profesionale konsulli Gustav von Hahn në mes të shek. XIX e përshkruante bashkësinë në fjalë prej 100 shtëpish; Metropoliti Visarion në një raport të viteve 1872-1873 regjistronte prej saj 110 familje; me “njëqind e ca shtëpi” e jepte këtë bashkësi edhe Hafiz Ibrahim Dalliu kur fliste për shpalljen e Hyrietit, d.m.th. vitin 1908; në studimin e një inspektori të huaj për arsimin, botuar më 1912, bashkësia numërohej me 150 familje; në një vepër të vitit 1919, pra pa u bërë ende Tirana kryeqytet, Jorga e përshkruante atë me “200 familje”; shifrat përkojnë pak a shumë me “fletoret historike” të Kostë Marës, i cili pati regjistruar një për një të 163 familjet e bashkësisë në dy dhjetëvjeçarët e parë të shek. XX. Mund pra të përllogaritet lehtësisht, me formulat e koeficientit të shtimit natyror të popullsisë dhe të rritjes demografike, edhe madhimi i kësaj bashkësie sidomos mbas bërjes së Tiranës kryeqytet, gjatë dhe mbas Luftës II Botërore, në vitet ’90 etj.

Edhe diçka: të mos pandehet gabimisht, nga sa tregova, se anëtarët e kësaj bashkësie nuk paskëshin bërë tjetër veçse i qenkëshin lutur Zotit duke meshuar ditë e natë. Në historinë e qytetit tonë ata kanë përbërë një shtresë të dalluar zejtarësh, tregtarësh, si dhe intelektualësh, të cilët kanë shënuar në këtë histori faqe nderi me punën dhe veprimtarinë e tyre. Nëse janë shquar për shkollëdashjen dhe artdashjen e tyre, ata nuk kanë munguar të kontribuojnë në lëvizjen kombëtare, në luftën për pavarësi, në luftën antifashiste etj. Këto nuk janë thjesht fakte të shkruara dikur diku nëpër do libra. Janë edhe këto realitete të gjalla. Sikundër mëma më tregonte për përfshirjen e gjyshit të saj (Petro Korrës) në lëvizjen kombëtare shqiptare, edhe unë ngulmoj t’i tregoj fëmijës tim për dy dajat e mi, dëshmorët Krist dhe Kostandin Merna, sa herë qëllon të kalojmë në një nga interseksionet e Rrugës së Durrësit, në rrugën e vogël që mban emrat e tyre në këtë qytet.

Ja se përse ata që janë ngutur të shkruajnë “kundër” ndërtimit të një kishe të re orthodhokse nuk ta mbushin mendjen as me “argumentet” e tyre kulturhistorike, as me ato religjioze, aq më pak me ato ekologjike, le më me argumentin prej të gjithëdijshmi se “kisha që kanë, u mjafton”. Sa për thirrjet lëshuar qytetarëve të Tiranës nga ndonjëri prej tyre për “revolta” ose “protesta”, do të doja të bëhej një provë për “asi gjërash”. Them të bëhej një provë, ngase jam i sigurt që sensi i mrekullueshëm qytetar i banorëve të vjetër dhe të rinj të Tiranës, së paku sa i përket respektimit të së drejtës për të besuar në Zot dhe për t’iu falur Zotit, ai sens pra do t’u jepte organizatorëve të “revoltave” apo “protestave” një përgjigje për t’u mbajtur mend.

Ay shkrim u botua nga gazetat “Shekulli” dhe “55”