Eshtë një kremtim që nis nga viti 787 pas Krishtit, kur Etërit e Sinodit të 7-ë Ekumenik të Nikeas shpallën restaurimin e ikonave.
Në vitin 843, kur nderimi i ikonave u proklam.ua solemnisht në Katedralen e Shën Sofisë, klerikët dhe murgjit shkuan në procesion dhe rivunë ikonat në vendet që u takonin në kisha.
E Diela e Orthodhoksisë kremtohet nga të gjitha kishat orthodhokse në botë të dielën e parë pas nisjes së Kreshmëve të Mëdha të Pashkëve. Pas Liturgjisë Hyjnore, kleri dhe besimtarët dalin në litani me ikonat dhe thonë këtë lutje:
SINODHIKONI I ORTHODHOKSISË
Prifti: Profetët siç shikuan, Apostujt siç mësuan, Kisha siç mori, Mësuesit siç dogmatizuan, bota siç ra dakord, Hiri siç ndriçoi, e vërteta siç u tregua, gënjështra siç u dëbua, urtësia siç u paraqit, Krishti siç dha çmimin, ashtu mendojmë, ashtu themi, ashtu shpallim Krishtin Perëndinë tonë të vërtetë dhe Shenjtorët e Tij, duke i nderuar në fjalët, në shkrimet, në mendimet, në theroret, në kishat, në ikonat, nga njëra anë Atij duke iu falur dhe duke e respektuar si Perëndi dhe Zot, dhe nga ana tjetër ata duke i nderuar për Zotin tonë të përbashkët si shërbëtorë të Tij të sinqertë, dhe duke iu dhënë faljen relativisht. Ky është besimi i Apostujve, ky është besimi i Etërve, ky është besimi i Orthodhoksëve, ky është besimi që mbështeti botën. Mbi këto i lavdërojmë vëllazërisht dhe me mallëngjim birëror për nder dhe lavdi të shpresëtarisë, për të cilën luftuan dhe themi:
Mbrojtësve të Orthodhoksisë, Mbretërve shpresëtarë, Patrikëve të shenjtëruar, Kryepriftërinjve, Mësuesve, Dëshmorëve, Konfesorëve i përjetshëm kujtimi.
Kori: I përjetshëm kujtimi.
Prifti: Duke iu lutur Perëndisë që të edukohemi nga veprat e tyre të mëdha deri në vdekje për shpresëtarinë dhe nga përpjekjet dhe doktrinat, dhe që të forcohemi dhe që të shpallemi si imitues të jetës së tyre të perëndishme deri në fund, le të denjësohemi të marrim këto që kërkojmë, me dhembshuritë dhe hirin e Kryepriftit të Parë dhe të Madh, Krishtit Perëndisë tonë të vërtetë, me ndërmjetimet e Zonjës sonë të përmbilavdëruar, Hyjlindëses dhe gjithmonë Virgjëreshës Mari, të Engjëjve perëndidukshëm dhe të gjithë shenjtorëve. Amin.