Kështjellë e virgjëreshave je, o Hyjlindëse Virgjëreshë, dhe e gjithë atyre që përikin tek Ti; se Ai që bëri qiellin dhe tokën të bëri, o e Kulluar, duke banuar në mitrën tënde dhe duke i mësuar të gjithë të të thërrasin:
Gëzohu, o shtyllë e virgjërisë; gëzohu, o portë e shpëtimit.
Gëzohu, o kryetare e rigatimit mendor; gëzohu, o dhënëse e mirësisë hyjnore.
Gëzohu, se Ti rilinde ata që u ngjizën turpërisht; gëzohu, se Ti urtësove të plaçkiturit në mendjen.
Gëzohu Ti, që shfuqizove prishësin e mendjeve; gëzohu Ti, që linde mbjellësin e dëlirësisë.
Gëzohu, o thalam nusërimi të pafarshëm; gëzohu Ti, që lidh besimtarët me Zotin.
Gëzohu, o rritëse e mirë e virgjëreshave; gëzohu, o nusestolisëse e shpirtrave të shenjtë.
Gëzohu, o Nuse e panusëruar.
Çdo himn mposhtet kur përpiqet të zgjerohet sipas shumicës së mëshirave të tua të shumta; se, edhe në të blatofshim këngë aq sa rërë, o Mbret i shenjtë, nuk bëjnë asgjë të barazvlefshme për sa na ke dhënë neve që të thërrasim:
Aliluia.
Llambadhë dritëpritëse, që u shfaq për ata që ndodhen në errësirë, e shohim Virgjëreshën e shenjtë; se, duke ndezur dritën e palëndshme, i udhëheq të gjithë në dijen hyjnore, duke ndriçuar mendjen me agim dhe duke u nderuar me thirrje si këto:
Gëzohu, o rreze e Diellit mendor; gëzohu, o shigjetë e dritës së paperëndueshme.
Gëzohu, o vetëtimë që shkëlqen shpirtrat; gëzohu Ti, që çudit armiqtë si gjëmim.
Gëzohu, se lind ndriçimin e shumëdritshëm; gëzohu, se buron lumin e shumëvalshëm.
Gëzohu Ti, që pikturon tipin e kolimvithrës; gëzohu Ti, që heq njollën e mëkatit.
Gëzohu, vaskë që shpëlan ndërgjegjen; gëzohu, o krater që qeras ngazëllim.
Gëzohu, o aromë e erës së mirë të Krishtit; gëzohu, o jetë dëfrimi mistik.
Gëzohu, o Nuse e panusëruar.
Detyrimet e vjetra duke dashur të falë, borxhshlyesi i gjithë njerëzve, erdhi me anën e vetes së tij tek ata që u larguan nga hiri i tij; dhe duke grisur dorëshkrimin, dëgjon prej të gjithëve kështu:
Aliluia.
Duke kënduar lindjen tënde, të përhimnojmë të gjithë si tempull i shpirtshëm, o Hyjlindëse; se duke banuar në barkun tënd Zoti që i mban të gjitha në dorë, shenjtëroi, lavdëroi, dhe i mësoi të gjithë të të thërrasin:
Gëzohu, o tendë e Perëndisë dhe Fjalë; gëzohu, o e Shenjtë, më e madhe se shenjtorët.
Gëzohu, o arkë e larë me ar prej Shpirtit; gëzohu, o thesar i pashpenzuar i jetës.
Gëzohu, o kurorë e çmueshme e mbretërve shpresëtarë; gëzohu, o mburrje e nderuar e priftërinjve të devotshëm.
Gëzohu, o fortesë e patundur e Kishës; gëzohu, o kështjellë e papushtueshme e mbretërisë.
Gëzohu Ti, me anën e së cilës ngrihen trofera; gëzohu Ti, me anën e së cilës rrëzohen armiqtë.
Gëzohu, o shërim i lëkurës sime; gëzohu, o shpëtim i shpirtit tim.
Gëzohu, o Nuse e panusëruar.
O Nënë e tërëhimnuar, që linde Fjalën, më të shenjtë se gjithë shenjtorët (3 herë); duke pritur blatën e tanishme, shpëtoji të gjithë nga çdo ligësi dhe shpërbleji prej skëterrës së ardhshme ata që thërrasin bashkë:
Aliluia.
Tingull. T..IV. Ti Ipermaho Stratigo.
Përlufteshës gjenerale këngët mundëse, si përhirim që e shpëtove prej tmerreve, qyteti yt po të përshkruan, o Virgjëreshë. Po sikurse ke fuqi të paluftueshme, prej çfarëdo rreziku shpëtomë, se po të thërres:
Gëzohu, o Nuse e panusëruar.
Për ata që mbajnë Kreshmët e Pashkëve kujtojmë se:
– Nuk hahet mish, peshk, bulmet vezë gjatë gjithë kohëzgjatjes së saj.
– Peshk hahet vetëm më 25 Mars, të Kremten e Ungjillëzimit të Hyjlindëses dhe në të Dielën e Dafinave.
– Lejohet ngrënia e “frutave të detit” (midhje, oktapodh, sepje, kallamar).
– Nëse është e mundur, kreshma mbahet pa ngrënë vaj ditëte javës (ose të paktën të premleve dhe të mërkurave), ndërsa të shtunave dhe të dielave përdoret gjithmonë vaj (me përjashtim të së Shtunës së Madhe).
– Verë pihet vetëm të shtunave dhe të dielave.
– Kushdo që ka probleme shëndetësore apo të tjera, që nuk lejojnë ta mbajë kreshmën, duhet të bisedojë me atin e tij shpirtëror.