Burim të Agjiologjisë, nga ku marrim informacionet më kryesore për shenjtorët dhe pozicionin e tyre në Kishë, përbën gjithë literature e krishterë, si dhe një pjesë e madhe e asaj jo të krishterë. Klasifikohen në: burime filologjike dhe liturgjike (funksionale).
Burime filologjike
a) Nga literature e krishterë:
– Martirizimet e shenjtorëve, d.m.th përshkrimet e martirizimit të tyre, që zakonisht janë të shkruara nga dëshmitarë okularë.
– Jetët e shenjtorëve të veçantë ose edhe sipas grupimeve të ndryshme.
– Homelitë lavdëruese të Etërve të Shenjtë.
– Historitë e ndryshme “shpëtimtare”.
– Tregimet e ndryshme për mrekulli.
– Tregime për gjetje dhe transferime lipsanesh të ndryshme.
b. Nga literature jo e krishterë
Veprat e ndryshme të Anthipatëve, ACTA PROCONSULARIA. Këto vepra janë tekste zyrtare gjyqësore të shtetit romak. Janë vendime të administratorëve të ndryshëm për dënimin me vdekje të martirëve ose raporte drejtuar Perandorit ose autoriteteve drejtuese etj, për ekzekutimin, zbatimin e vendimeve dhe për rezultatet e tyre.
Burimet liturgjike
a) Ç’ka përmendet në histori, përgjithësisht me përcaktimin e nderimit të shenjtorëve, përbëjnë burimet liturgjike.
b) Burime të tilla përbëjnë dhe libra të ndryshëm liturgjikë të Kishës sonë, si: Mujoret (Minea), Triodi dhe Pesëdhjetorja.
Këtu duhet theksuar, se përveç mujoreve dhe librave të tjerë liturgjikë që kemi në përdorim, ekzistojnë edhe të tjerë kanune, tropare apo sinaksarë, të cilët nuk i përdorim.
Këto libra gjenden në formë dorëshkrimesh në bibliotekat kombëtare ose në ato të manastireve të ndryshëm.
Vlera dhe rëndësia e burimeve të agjiologjisë
Nga burimet e agjiologjisë na interesojnë veçanërisht ato filologjike. Kjo sepse:
a) Vërejmë mësimdhënien e Kishës sonë për shenjtorët.
Kisha Orthodhokse nuk ka hartuar një doktrinë përkatëse në lidhje me shenjtorët në libra të veçantë, sepse e mbart vetë të gjallë atë në traditën e saj. Kisha vetë është një jetë shenjtërimi. Pra, kur përpiqemi t’i hedhim një sy mësimdhënies së Kishës sonë në lidhje me shenjtorët, të gjitha tekstet kanë veçantinë e tyre, të vjetrat dhe bashkëkohoret, ato që e kanë burimin në shkrimtarë të mëdhenj e të ditur dhe ato që janë shkruar nga shkrues të thjeshtë. Të gjitha bëjnë fjalë për një besim të vërtetë, që në rrjedhën e shekujve u ruajt ashtu siç u dha nga Jisu Krishti, Perëndi dhe udhëheqës i besimit tonë.
b) Burimet filologjike janë tekste të shkruara, të cilat mund t’i studiojë cilido dhe të verifikojë të vërtetën e elementëve të përmendur. Tekstet agjiologjike bëhen të pranueshme në agjiologji me origjinalitetin e tyre.
Kisha jonë kurdoherë ka përkrahur dhe përkrah kërkimin e së vërtetës dhe dënon gënjeshtrën. Shenjtorët dhe shkruesit e Kishës sonë Simeon përkthyesi dhe Nikodhim Agjioriti, studiuan librat me jetët e shenjtorëve dhe i pastruan nga çdo element heretik dhe jo të vërtetë.
Përpjekja e tyre u bë e pranueshme nxehtësisht, aq sa sot të gjithë librat me jetë shenjtorësh bazohen në veprën e këtyre dy shenjtorëve.
Së fundi, sepse përmbajnë elementë të vlefshëm për zakonet, jetën, institucionet shoqërore e ngjarjet e asaj epoke, që nuk mund t’i gjejmë diku tjetër. Me fjalë të tjera, burimet e agjiologjisë bëhen dhe burime për shkencat e tjera, si për historinë, folklorin etj.
(Marrë nga libri “Agjiologjia”)