EmailFacebookKontakt

Teatër kukullash me histori nga Ungjilli

Në programet e Zyrës së Fëmijëve, e cila merret me organizimin e fëmijëve të moshës 6-13 vjeç dhe që është krijuar me bekimin e Kryepiskopit tonë Anastas, përfshihen veprimtari të larmishme, ku ndër të tjerat një rol të rëndësishëm zë edhe teatri me kukulla, i cili është mjaft i pëlqyer nga të vegjlit. Qëllimi i tij është rritja e fëmijëve me dije fetare dhe edukimi i tyre. Ideja e krijimit të një trupe të tillë teatrale ishte e priftëreshës Fotini Veroni.

Zyra ka si program zhvillimin e një sërë shfaqjesh me kukulla me tema të ndryshme dhe në zona të ndryshme të vendit. U nis me një shfaqje për Krishtlindjet, e cila titullohej “Lindja e Krishtit”, që u dha në Tiranë, në Durrës dhe në qytete e fshatra të ndryshëm.

Kjo punë kishte vështirësitë dhe kënaqësitë e saj gjithashtu. Pavarësisht nga vështirësitë e fillimit projekti filloi të merrte jetë. Duke e parë se teatri me kukulla pati mjaft sukses e u jepte një kënaqësi të madhe fëmijëve, u menduatë zhvillohej më tej. Në këtë drejtim kanë kontribuar: koordinatoret e “Zyrës së Fëmijëve”, Andonia Kurti dhe studentët e Akademisë Teologjike Orthodhokse.

Kështu, puna e teatrit me kukulla u pasua me shfaqje të tjera, si: “Krishti dhe Kisha”, “Qengji sakat” etj. Këto shfaje janë dhënë jo vetëm në Tiranë, por edhe në zona të tjera.

Mendohet që në të ardhmen të bëhen shfaqje të tilla. Një pjesë e tyre kanë lidhje me festat, sepse zakonisht janë dhënë në kuadrin e aktiviteteve të ndryshme në prag të të Kremteve të Mëdha, ku ndër të tjera, një pjesë të programit zinte dhe teatri me kukulla. Kështu, puna me teatrin vazhdon të zhvillohet edhe më tej, e gjithë kjo për kënaqësinë e fëmijëve.

Ana Kërçyku