Eshtë akorduar më 8 mars Çmimi i përvitshëm Athenagoras për të drejtat e njeriut, që jepet nga Urdhri i Apostull Andreas, Arhondë të Patrikanës Ekumenike. Për këtë vit ai iu akordua dy organizatave që janë nën administrimin e Konferencës së Episkopëve Kanonikë Orthodhoksë të Amerikës: Ato janë IOCC (International Orthodox Christian Charities), që merret me vepra bamirëse në pjesë të ndryshme të planetit dhe OCMC (Orthodox Christian Mission Center), që është dalluar në misionarizmin dhe mbështetjen e kishave orthodhokse në gjithë globin. Ceremonia u zhvillua gjatë një banketi të madh, në Hotel Hilton të New Jorkut. Në këtë veprimtari mori pjesë dhe foli edhe Kryepiskopi Anastas.
Që nga krijimi, në vitin 1992, IOCC është kthyer në një agjenci humanitare dhe filantropike të mirënjohur, duke shpërndarë në nisma të ndryshme ndihme rreth 160 milion dollarë, në 21 vende të botës. Këtu përfshihet edhe Kisha dhe vendi ynë, sidomos në periudhat e krizave të mëdha.
OCMC për afro dy dekada ka mbështetur klerikë dhe laikë nga kishat e Amerikës, në veprimtarinë e tyre misionare në shumë vende. Ajo ka ofruar mbështetje e programe në 35 vende, duke dërguar më shumë se 800 vullnetarë që kanë dhënë mësime, ndihmë mjekësore, kanë ndihmuar në ndërtimet kishtare, vepra humanitare etj. Kjo qendër ka pasur në mënyrë të vazhdueshme të dërguar për ndihmë edhe në vendin tonë dhe sot drejtohet nga At Martin Rici, i cili për shumë vjet ka dhënë kontributin për ringritjen e Kishës sonë.
Ndër ata që janë nderuar me këtë Çmim kanë qenë edhe ish-presidentët e SHBA Karter e Bush, Nënë Tereza, Arqiepiskopi Dezmond Tutu etj., ndërsa në vitin 2001 ai iu dha Kryepiskopit Anastas.