EmailFacebookKontakt

Takim me të rinj, që synon rritjen e nivelit shpirtëror

Midis shumë veprimtarive që organizon Lidhja e Rinisë Orthodhokse “Bijtë e Dritës” në Tiranë, vlen të veçohet takimi shpirtëror i ditës së shtunë, me pjesëmarrjen e shumë të rinjve orthodhoksë nga kryeqyteti dhe rrethe të tjera të Shqipërisë. Në mjediset e shtëpisë së rinisë, në takimin shpirtëror të drejtuar nga At Justini, çdo të shtunë në orën 12.00, mblidhen dhjetëra të rinj, me qëllim përvetësimin e mesazhit që përcjell Fjala e Perëndisë. Aktiviteti me studentët përfshin shpjegimin e Ungjillit të Shenjtë, që lexohet të dielën në Kishë, njohjen e studentëve me ngjarjet kryesore që kremton Kisha Orthodhokse, si edhe me histori të jetës së shenjtorëve. Vend të veçantë zë biseda e lirë e të rinjve me At Justinin. Gjatë diskutimit studentët pyesin për histori të Biblës, për jetën dhe misionin e shenjtorëve dhe domethënien e tyre. Në takim ata shprehen lirshëm për besimin e tyre, japin mendime rreth shumë çështjeve për temat që zgjidhen nga vetë ata.

Interesimi i të rinjve vjen gjithmonë në rritje për nga vetë specifika dhe objektivi i këtij aktiviteti. Ky fakt shprehet me pjesëmarrjen e tyre të gjerë mesditën e çdo të shtune. Tradita e pasur që ka krijuar Lidhja e Rinisë Orthodhokse “Bijtë e Dritës” në Tiranë me këtë takim shpirtëror, është në vazhdën e shumë veprimtarive, nëpërmjet të cilave synohet rritja e nivelit edukues dhe shpirtëror duke ndikuar në afrimin e të rinjve tek Perëndia.

Isidor Koti