SHBA
Program i pasur i Qendrës Orthodhokse të Misionarizmit për vitin 2003
Sipas programit për zhvillimin e veprimtarive për vitin në vazhdim, Qendra Misionare e Shën Agustinit, Florida, parashikon që për vitin e 14-të radhazi, të çojë ekipe bamirësie në kontinente të ndryshme. Kjo Qendër, që varet nga Asambleja e Episkopëve Orthodhoksë Kanonikë të Amerikës (SCOBA), ka një veprimtari të pasur në Evropën Qendrore, në Indi, Alaskë, Afrikën Lindore dhe Amerikën Qendrore. Ekipet e dërguara janë të përbërë nga klerikë e laikë, kryesisht të rinj, që ofrojnë kohën dhe energjitë e tyre në shërbim të Kishës, duke marrë pjesë në ndërtimin e kishave, spitaleve, dhënien e mësimeve teologjike etj.
Një vend të veçantë zë edhe veprimtaria bamirëse, ku mund të përmendet për shembull një ekip prej 24 personash, që do të punojnë në jetimoren e Guatemala-City, një ekip në Rumani, që do ndihmojë në zhvillimin e një qendre mjekësore pediatrie për fëmijët e braktisur etj.
Vend parësor zë edhe puna për të ndihmuar nëpërmjet grupeve të vullnetarëve orthodhoksë vendet e Afrikës, si në Kenia Uganda, Tanzani etj. Sivjet për shembull, dy ekipe do të shkojnë në Uganda dhe dy në Gana. Ata kanë në përbërje të tyre mjekë, dentistë, farmacistë, mami etj.
Kjo qendër ka dhënë një kontribut të konsiderueshëm në dhjetëvjeçarin e fundit edhe në vendin tonë, kryesisht nëpërmjet mjaft programeve dhe shumë të rinjve misionarë, të ardhur vullnetarisht për të kontribuar në ringritjen e Kishës sonë.
Drejtor ekzekutiv i kësaj qendre është At Martin Ritsi, i cili për shumë vjet, së bashku me priftëreshën Urani, dhanë kontributin e tyre në Shqipëri, për ringritjen e Kishës sonë.