EmailFacebookKontakt

Mitropoliti orthodhoks pritet nga Presidenti Shirak

Francë

Mitropoliti orthodhoks pritet nga Presidenti Shirak

Para pak kohësh, Presidenti i Francës Zhak Shirak, priti në takim në Elize, Mitropolitin Jeremi, president i Asamblesë së Episkopëve Orthodhoksë të Francës.

Mitropoliti Jeremi, i cili përfaqëson dioqezën e Patrikanës Ekumenike, i bëri Presidentit një ekspoze të gjendjes së komunitetit orthodhoks në Francë, komunitet që e ka nisjen në fillimet e shekullit të 20-të dhe sot është plotësisht i integruar. Ai paraqiti edhe perspektivat e zhvillimit të Kishës Orthodhokse në vend dhe kërkesën për njohjen zyrtare nga shteti. Presidenti Shirak shprehu predispozicionin e tij, që brenda vitit 2003, të njohë kishën orthodhokse dhe të përfaqësuesve të saj në Francë, ndërsa Mitropoliti shprehu falënderimet në emër të Asamblesë së episkopëve Orthodhoksë.

Sipas statistikave më të besueshme, sot në Francë numërohen rreth 300 mijë orthodhoksë të pagëzuar, që bëjnë pjesë në gjirin e 120 enorive e rreth 12 komuniteteve monastike, ndarë sipas dioqezave, që në shumicën e rasteve përputhen me origjinën e tyre etnike.