Nikolla i Japonisë (3 shkurt)
Eshtë themeluesi i Orthodhoksisë në Japoni, i cili u shpall shenjtor më 1970.
Joan Kasatkini, i biri i dhjakut Dhimitër, lindi më 22.8.1836, në provincën e Smolenskut, në perëndim të Moskës. Në moshën pesëvjeçare mbeti jetim nga nëna. Në vitin e katërt të Akademisë Kishtare të Petropolit, u votua nga Sinodi i Shenjtë, për t’u bërë prift i përfaqësisë së Hakodatit, në veri të Japonisë. Shkoi atje në vitin 1861, sapo u dorëzua hieromonak, me emrin Nikolla. Filloi të predikojë vetëm pas shtatë vjetësh të mësimit të gjuhës dhe kishte edhe vështirësi të jashtme.
Fillimisht i vetëm në përpjekjen e mundimshme, bëri më 1865 dy bashkëpunëtorë të çmuar vendas.
Më 1871, ndërsa ishin 15 besimtarë, pas një udhëtimi në Rusi, organizoi me miratim sinodi misionarizmin dhe transferoi selinë në Tokio.
Më 1874, misioni përmblidhte nëntëqind besimtarë, pasi ishte shpallur ligjërisht dekreti i vitit 1873, i cili u lejonte japonezëve Krishterimin, i cili pas kësaj doli në legalitet. Më 1878 u organizua Kisha Orthodhokse, ku ishin 6 priftërinj, 27 katekistë dhe 51 ndihmësa të tyre vendas. Më 1885 Nikolla u bë kryebari i Kishës së Japonisë, e cila pak më parë ishte ngritur në rang episkopate. Pas një pesëvjeçari, u përurua në Tokio një kishë e stilit bizantin, e cila të paktën deri më 1961, ishte ndërtimi më i shkëlqyer i krishterë i vendit.
Kryeprifti asket u kujdes, me gjithë mungesën e të ardhurave, të organizojë arsimin. Krijoi shkolla, kryesisht katekiste, midis të cilave një për gra dhe një për psaltë, ndërsa më 1878 hapi seminarin teologjik gjashtëvjeçar. Botoi dhe tre periodikë. Një punë vigane kanë qenë përkthimet e Shkrimit të Shenjtë, librave liturgjikë, të Etërve, Kanoneve, Sinaksarëve etj. Qysh nga viti 1900, edhe vendasit autoktonë shkruanin tashmë libra teologjikë. Në luftën ruso – japoneze të 1904-ës nuk iku, por duke qëndruar “në atdheun e vërtetë, Kishën”, e nxiste grigjën e tij për të kryer detyrën kombëtare.
Fjeti më 3.2.1912, ndërkohë që lulëzonin 266 bashkësi, me 33.000 orthodhoksë.