Ata që do të mbajnë Kreshmët e Mëdha të Pashkëve duhet të dinë se:
– Nuk hahet mish, peshk, bulmet vezë gjatë gjithë kohëzgjatjes së saj.
– Peshk hahet vetëm më 25 Mars, e Kremtja e Ungjillëzimit të Hyjlindëses dhe në të Dielën e Dafinave.
– Lejohet ngrënia e “frutave të detit” (midhje, oktapodh, sepje, kallamar).
– Nëse është e mundur, kreshma mbahet pa ngrënë vaj ditët e javës (ose të paktën të premteve dhe të mërkurave), ndërsa të shtunave dhe të dielave përdoret gjithmonë vaji (me përjashtim të së Shtunës së Madhe).
– Verë pihet vetëm të shtunave dhe të dielave.
– Kushdo që ka probleme shëndetësore apo të tjera, që nuk e lejojnë ta mbajë kreshmën, duhet të bisedojë me atin e tij shpirtëror.
…Kreshmon?,- tregoma atë me veprat e tua:
Nëse sheh të varfër, ta ndihmosh, nëse sheh armik të pajtohesh me të, nëse sheh mik të përparojë të mos kesh smirë, nëse sheh grua të bukur në rrugë ta parakalosh.
D.m.th të mos kreshmojë vetëm goja, por të kreshmojnë edhe sytë, duart, këmbët dhe të gjitha pjesët e trupit tonë. Të kreshmojnë duart duke mbetur të pastra nga vjedhja dhe përvetësimi. Të kreshmojnë këmbët duke u shmangur të shkojnë në rrugë që të çojnë në pamje mëkatare. Të kreshmojnë sytë duke mos u ngjitur në fytyra të bukura dhe të mos lakmojnë fytyra të bukura e të huaja.
Nuk ha mish? Nuk duhet të hanë as sytë, as dëgjimi yt. Kreshmimi i dëgjimit është të mos pranojmë fjalë të këqija dhe djallëzi. Të kreshmojë edhe goja nga fjalë të turpshme dhe sharje, sepse cili është përfitimi kur nga njëra anë shmangemi të hamë pula dhe peshk dhe nga ana tjetër hamë dhe kafshojmë vëllezërit tanë. Ai që akuzon dhe shan është sikur kafshon mishin e të afërmit…
Shën Joan Gojarti