EmailFacebookKontakt

Një përvjetor për të kujtuar dy orthodhoksë të nderuar

Në fotografinë e botuar, shihni dy figura të njohura, që i përkasin kulturës dhe historisë së kombit tonë: Episkop Irine Banushi (1908 – 1973) dhe Mihal Popi (1909 – 1979), dy orthodhoksë pothuaj bashkëmoshatarë që i dhanë kombit arritje. Kanë lindur në Shkodrën e kulturës e të historisë, të cilës i dhanë edhe më duke e theksuar me nderim prejardhjen e tyre.

Miqësi që në fëmijëri, por që u forcua më tej kur Mihali u martua me mbesën e Irineut. Kur Irineu u kthye nga studimet teologjike në Beograd dhe u emërua me punë në Tiranë banoi në shtëpinë e Mihalit; po kështu edhe mbasi u hirotonis klerik i lartë me 1 shkurt 1942 e deri sa u arrestua nga pushteti i pasluftës. Familja Popi, një familje e madhe, besimtare dhe bujare mbeti e tillë gjatë gjithë periudhave që kaloi vendi.

Mihali, studiues autodidakt dhe besimtar mjaft i devotshëm i ndiqte rregullisht ritet fetare, madje shpesh shoqëronte Episkopin në perioritë e tij. Duke qenë edhe një fotograf i afirmuar, ai na ka lënë dhe mjaft fotografi unikale, të njerëzve të nderuar dhe festave të veçanta, por dhe të grupeve të besimtarëve gjatë vizitave panajirike.

Miqësia e tyre e sinqertë e autentik u shua as kur gjatë rregjimit ateist episkopin e burgosën (për bindjet e tij në mbrojtje të kanoneve kishtare), madje as dhe në periudhën e ndalimit të fesë, kur klerikët përndiqeshin. Ai e vizitonte herë pas here atë në vendin e izolimit në Manastirin e Ardenicës (siç është rasti i kësaj fotografie, dalë në vitet 1964-65). Duke qenë njeri publik i njohur, Mihali nuk u tut nga frika e pasojave të rregjimit nga qëndrime të tilla, por mbeti në të njëjtin karakter: veç të tjerave, me respekt për klerikun e nderuar. Pra dy figura të nderuara, shumë të dalluar dhe për humorin e tyre, për rrethin shoqëror të gjerë që kishin, për mendjempre htësinë e trajtimit të problemeve shoqërore, “për hazërxhevapin e qëlluar” në biseda e për bisedat e gjalla e interesante që zhvillonin.

Në këtë përvjetor të hirotonisjes së Episkop Irineut dëshirojmë të përkujtojmë edhe njeriun mirëdashës, besimtarin e krishterë Mihal Popi, që e nisi rrugën e jetës fillimisht si fotograf i dëgjuar, pastaj si koleksionist i njohur pullash në vitet ’30 e më vonë si aktor teatri e estrade. Ishte ndër aktorët e parë themelues të “Teatrit Popullor”, në të cilin vite me radhë krijoi role kryesore, të cilat mbetën të gjalla në mendjen e artdashësve.

Me besim tek Zoti Ynë, ai si artist punonte me këmbëngulje për të krijuar një unitet harmonik midis përmbajtjes së rolit dhe formës me nivel të lartë artistik të tij. Interpretimet e shkëlqyera e të spikatura të roleve të planeve të ndryshme bënë që të nderohej, ndër të parët, dhe me titullin e lartë “Artist i Popullit”.

Me veprën që lanë, ata mbetën të nderuar në mendjen e popullit. I përjetshëm kujtimi i tyre!

K. Beduli