Davos, Zvicër
Kryepiskopi Anastas midis 100 anëtarëve të përhershëm të Forumit Ekonomik Botëror
Nga data 23-28 janar 2003, në Davos, Zvicër, u mbajt mbledhja vjetore e Forumit Ekonomik Botëror (World Economic Forum), me temë “Ndërtimi i besueshmërisë”.
Ky Forum është një organizatë ndërkombëtare, e cila ka për qëllim të ofrojë ura lidhëse dhe një bashkëpunim reciprok midis udhëheqësve të mbarë botës, për çështjet globale. Gjithashtu, ai nxit udhëheqësit në fusha të ndryshme dhe shtete të ndryshme, për një bashkëpunim drejt një qytetërimi global. Midis figurave shumë të shquara nga e gjithë bota në fushën e ekonomisë, biznesit, politikës, mediave dhe fesë, i vetmi i ftuar nga Shqipëria ishte Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Anastasi.
Programi ishte ndërtuar nga pesë tema kryesore: 1) Vlerat 2) Biznesi 3) Ekonomia 4) Udhëheqja globale 5) Gjeopolitika.
Kryepiskopi Anastas, së bashku me udhëheqësit e tjerë shpirtërorë fetarë, si katolikë, protestantë, hebrenj, myslymanë, budistë etj., u përfshi në seanca dhe diskutime që kishin të bënin kryesisht me vlerat që duhen të rishfaqen, për një rindërtim të besueshmërisë globale. Fortlumturia e Tij ishte një nga folësit kryesorë në seancat e mëposhtme: a) Çfarë është besueshmëria? b) Mundësia e besimeve fetare për bashkëpunim dhe tolerancë me njëra-tjetrën c) Kultura dhe besimi d) Çfarë është liria? e) Vlerat e globalizmit etj.
Ajo që ra në sy në diskutimet e tij ishte thellësia e mendimit dhe mbrojtja e parimeve të doktrinës së krishterë, si një nga alternativat kryesore për riforcimin e vlerave dhe gjetjen e rrugëve të bashkëpunimit për të ndërtuar besueshmërinë.
Të shtunën, më 25 janar, Kryepiskopi Anastas u përfshi në Këshillin e përbërë prej 100 vetëve, ndër personalitetet më të shquara në fushën e politikës, ekonomisë, biznesit dhe fesë, të cilët në mënyrë të përhershme do të diskutojnë për problemet e ndryshme në botë. Ky është një nder i madh që i bëhet Kishës sonë Orthodhokse Autoqefale, por edhe Shqipërisë, sepse do të ketë në këtë institucion mbarëbotëror ambasadorin e saj, i cili do të çojë në këtë organizatë problemet e vendit tonë.
Jorgo Papadhopulli