EmailFacebookKontakt

Ekspozitë me miniaturat e kodikëve të Shqipërisë

Në datën 10 dhjetor, në mjediset e Galerisë së Arteve Figurative, në Tiranë, u hap një ekspozitë tepër e veçantë: “Miniaturat e Kodikëve të Shqipërisë”, ku paraqiteshin realizime të mrekullueshme të dorëshkrimeve të krishtera orthodhokse, që datonin që nga shekulli i 6-të. Veprimtaria ishte organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë dhe Universiteti i Firences dhe Galeria e Arteve.

I pari që u përpoq të bënte një studim mbi këtë pasuri të rrallë, ka qenë studiuesi i shquar Theofan Popa, madje ai ka lënë (për fat të keq ende në dorëshkrim), një studim për to. Këto zbukurime nisin që me Kodikun e Purpurt të Beratit, të shek.VI, por zbukurimi i plotë më i hershëm konsiderohet nga studiuesit ai i Kodikut të Artë të Beratit, i shek. IX dhe kodikët e tjerë në vazhdim.

Këto vlera i vuri veçanërisht në dukje drejtori i Arkivave të Shtetit, Dr. Shaban Sinani, i cili, pasi falënderoi ata që kontribuan për realizimin e ekspozitës dhe të pranishmit, u ndal veçanërisht edhe në faktin se mjaft nga këto miniatura përmbajnë vlera të rralla. Më pas, e mori fjalën Kryepiskopi Anastas, i cili tha ndër të tjera:

“…Kjo Ekspozitë e Kodikëve të Shqipërisë që po organizohet sot, paraqet miniatura të shkëlqyera të dorëshkrimeve të rralla të Shkrimit të Shenjtë të shekullit të 6-të pas Krishtit dhe zbulon një aspekt nga pasuria e mrekullueshme artistike që ka krijuar besimi i krishterë në rajonin tonë.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, krahas përpjekjeve për ringritjen nga themelet të strukturës kishtare, të rrënuar plotësisht nga persekutimi i shfrenuar ateist 46-vjeçar, që në vitet e para bëri përpjekje sistematike edhe në fushën e kulturës. Madje edhe në periudha krizash të tmerrshme dhe skamjeje të madhe, ajo u përpoq – duke nxitur studime shkencore të posaçme, duke grumbulluar fonde dhe duke mbikqyrur objektet – për restaurimin e 65 monumenteve kulturore të krishtera, kisha dhe manastire.

Kisha jonë ka krijuar repartin e mirëmbajtjes së ikonave dhe deri tani ka restauruar një numër të madh veprash arti. Ajo u kujdes për krijimin dhe afirmimin e një brezi të ri artistësh, duke kultivuar fidanishte për rilindjen e agjiografisë orthodhokse tradicionale. Gjithashtu, kohët e fundit ka krijuar dy degë, të restaurimit të ikonave dhe të agjiografisë pranë Institutit të Formimit Profesional – një institucion i ri ky për Shqipërinë, të arsimit pas shkollës së mesme.

Dua të falënderoj ngrohtësisht Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, Universitetin e Firences dhe Galerinë e Arteve Figurative të Shqipërisë, në veçanti Doktor Sinanin, zonjën Linette Hoppe, bashkëpunëtore e Kishës Orthodhokse dhe të gjithë anëtarët e dalluar të komisionit organizator, për kohën dhe mundin që ofruan për realizimin e kësaj ekspozite.

Në stadin e sotëm të vështirë të rimëkëmbjes së saj, Shqipërisë, krahas përpjekjeve politike, organizative, legislative dhe ekonomike, i duhet që të nxjerrë nga damarët më të mirë të traditës së saj kulturore frymëzim dhe fuqi, për ecjen dhe përparimin e mëtejshëm. Arti i krishterë dhe kultura në përgjithësi, që është zhvilluar dhe u ka rezistuar agresioneve dhe stuhive të njëpasnjëshme në vend, është një element i çmuar, i pazëvendësueshëm, i ndërgjegjes, por edhe i subkoshiencës së popullit shqiptar…”.

Pastaj, të pranishmit, studiues, studentë, klerikë, besimtarë etj. vizituan ekspozitën, e cila kishte riprodhime të miniaturave e zbukurimeve, duke filluar që nga shekulli VI dhe dy kodikë të mrekullueshëm, të shek. X-XI.

Në fund, pati edhe një koktej, në të cilin të pranishmit patën mundësinë të diskutonin më gjerë rreth kësaj ekspozite me vlera dhe për vlerat e kodikëve në përgjithësi.

Th.Dh.