EmailFacebookKontakt

Veprimtari sportive në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar

Me rastin e 3 dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar, Rinia Orthodhokse “Bij të Dritës” dhe Komuniteti Paraolimpik Shqiptar organizuan në mjediset e Klubit Sportiv “Partizani”, një aktivitet sportiv kulturor. Në të ishin të ftuar përfaqësues nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve, përfaqësues të Federatës Shqiptare, përfaqësues nga Kisha Orthodhokse, Kori i radios “Ngjallja”, të rinj e të reja. Natyrisht ishin të pranishëm edhe protagonistët e këtij aktiviteti: Ekipi Paraolimpik Shqiptar.

Në një ambient të gëzuar dhe të mbushur me emocione do të merrte formë një nga përpjekjet e këtyre djemve të rinj, të mbushur me dëshirë për jetën. Këtë gjë e bëri të mundur Rinia Orthodhokse nën kujdesin e veçantë të Fortlumturisë së Tij, Anastasit.

Të ndarë në dy skuadra, nën ngjyrat blu dhe të verdhë ata na dhuruan emocionet e një ndeshjeje të vërtetë, edhe pak ndryshe në formë, por jo në përmbajtje. Kjo ndeshje basketbolli nuk kishte për qëllim vetëm festimin e 3 dhjetorit apo thjesht për kënaqësinë e një loje, por ishte një mesazh dhe apel për shoqërinë tonë, për të treguar që edhe ata, personat me aftësi të kufizuar, kanë të drejtat e tyre për t’u argëtuar dhe të gëzojnë jetën ashtu si të gjithë ne. Ata janë pjesë e shoqërisë sonë, por çuditërisht mendja, veshi dhe syri ynë nuk qenkan dhe kaq të “qetë” për të kuptuar dhe parë që edhe ata janë si ne. Çuditërisht jemi kaq “të zënë” për të dëgjuar zërin dhe thirrjet e tyre.

E pra, kjo ndeshje basketbolli, ishte një zë i fuqishëm, i bashkuar dhe le të jemi të hapur t’i dëgjojmë dhe t’i mbështetim në përpjekjet e tyre për integrim, pavarësi dhe përshtatje në jetën shoqërore, ashtu sikurse iu takon.

Sepse Zoti tha: “Isha i sëmurë dhe më vizituat, isha në nevojë dhe më erdhët në ndihmë”.

Marrë nga Revista e Rinisë Orthodhokse “Kambanat”