EmailFacebookKontakt

Marrëdhëniet ndëretnike dhe toleranca fetare

Kjo ishte tema e një konference ndërkombëtare, organizuar në Tiranë nga Instituti Shqiptar i Studimeve Ballkanike dhe dega në vendin tonë e Fondacionit “Fridrih Ebert”. Në Konferencë, që u zhvillua nga 11-12 dhejtor, në mjediset e Pallatit të Kongreseve, merrnin pjesë studiues nga Shqipëria, Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Kosova dhe Serbia. Gjithashtu ishin të ftuar drejtues dhe përfaqësues të komuniteteve fetare, studentë etj.

Në ditën e parë, pas përshëndetjeve, u referua dhe u diskutua rreth “Rrënjët historike të tolerancës fetare në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni”. Dita e dytë u hap me fjalët e përfaqësuesve të komuniteteve fetare. Në këtë seancë mori pjesë edhe Kryepiskopi, Prof. Dr. Anastasi, i cili referoi për temën “Toleranca në kuptimin orthodhoks”. Ai theksoi se, në vakumin shpirtëror të shoqërisë së sotme, komunitetet fetare thirren të kultivojnë besimin në Perëndinë dhe të hapin horizonte të reja shpirtërore, gjë që mund të ndodhë vetëm në një atmosferë harmonie e tolerance fetare. Për këtë, Shqipëria mund të jetë në shumë aspekte një model pozitiv i bashkëjetesës fetare dhe kooperimit për gjithë Ballkanin. Për këtë nevojiten edhe nisma të reja, me mendim krijues dhe perspektivë të gjerë. Gjithashtu, Kryepiskopi mori pjesë edhe në diskutim dhe në pushim pati një bashkëbisedim mjaft interesant me studentë të degës së Historisë.

Në seancën e mëpasme konferenca vazhdoi me temën “Sjellja shoqërore dhe orientimi fetar” dhe u mbyll me temën “Përvoja të tolerancës fetare në nivelin e komuniteteve”.