– Kjo temë u referua nga Kryepiskopi Anastas para një publiku të gjerë në Kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, në Tiranë –
Para disa vitesh, Kryepiskopi Anastas mbajti në Kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, në Tiranë, një sërë temash, në prani të intelektualëve e besimtarëve të shumtë. Ato patën jehonë dhe tërhoqën mjaft vëmendjen, si me nivelin ashtu edhe me aktualitetin e tyre. Kohët e fundit, kjo traditë rimori jetë, me nismën e Organizatës së Rinisë Orthodhokse “Bij të Dritës”, të Tiranës. Dy të enjte, të nëntorit e dhjetorit, u mbajtën dy tema, në prani të të rinjve, besimtarëve, intelektualëve etj., në kishën e mbushur plot e përplot.
Takimin e parë, me temën “Dashuria që ndryshon botën”, e mbajti At Luka Veroni, ndërsa më 12 dhjetori, para një auditori shumë të gjerë e të vëmendshëm, Kryepiskopi, Prof. Dr. Anastasi, mbajti temën “Globalizmi dhe Orthodhoksia”.
Referimi i Fortlumturisë së Tij u ndoq jo vetëm me interes të veçantë, por më pas pati edhe mjaft pyetje, për një temë kaq aktuale për kohën tonë. Ndër të tjera Ai vuri në dukje se:
“Të krishterët, dhe më tepër ne orthodhoksët, nuk hutohemi dhe as befasohemi nga procesi i globalizimit. Ekumenizmi ka qenë hapësira jonë shpirtërore e vetëkuptueshme. Dimensioni i globalizmit është pjesë përbërëse bazë e Orthodhoksisë. Që në kapitullin e parë të Shkrimit të Shenjtë (Gjen. 1:1), theksohet se qielli, dheu, gjinia njerëzore, të gjitha, u krijuan nga Perëndia; ndërsa kapitujt e fundit të tij (Apok. Jo. 21-22) i kushtohen vizionit të qiellit të ri dhe tokës së re (Apok. 21:1).
Me Trupëzimin e Saj, Fjala e Perëndisë mori tërë natyrën njerëzore dhe i fton në Mbretërinë e Tij që të gjithë, pa përjashtim, pa dallim race, gjuhe, prejardhjeje. Së fundi, globalizmi i Ungjillit të Jisu Krishtit kapërcen madje edhe sferën e mbarënjerëzores, shtrihet në mbarë krijesën, në të cilën njeriu merr pjesë organikisht.
Doktrina e krishterë u dëgjua për herë të parë në vend dhe kohë të caktuar, por që në fillim kishte dhe ende ruan vendosmërisht karakterin e saj mbarëbotëror dhe eskatologjik. Në Letrat e Apostull Pavlit theksohet veçanërisht globalizmi në korrelacion me misterin e Kishës. Ky vizion universal arrin kulmin kur Pavli i referohet vullnetit të Perëndisë, “misterit të vullnetit të tij”, që pritet të realizohet “sipas planit kur të plotësohen kohët, që të përmblidhen të gjitha më Krishtin, edhe ato që janë në qiejt, dhe ato mbi dhe” (Efes. 1:9-10).
E tërë jeta orthodhokse adhuruese lëviz në këtë vizion mbarëbotëror. Bërthamën e saj e përbën Lutja e Zotit: “ardhtë mbretëria jote, u bëftë dëshira jote si në qiell ashtu dhe mbi dhe”. Jo thjesht “për mua” ose “për ne”, por “kudo mbi dhe”. Besimtari, para se t’u referohet problemeve i mediate të “bukës së përditshme”, ftohet për të lëvizur në një horizont mbarëbotëror. Personalja dhe konkretja nuk e pengojnë atë për të menduar të përgjithshmen. Në çdo Liturgji Hyjnore, e cila përbën përmbledhjen e misterit të shpëtimit, lutjet fillojnë “për paqen në mbarë botën” dhe arrijnë kulmin me blatimin e Dhuratave të Nderuara që bëhet “me të gjitha dhe për të gjitha”, “për mbarë botën”….
Kisha, me ndjesinë e universalitetit që kultivon, jo vetëm kontribuon në afrimin e njerëzve, por dhe shpall, në mënyrë simbolike dhe liturgjike, shoqërinë mbarëbotërore të dashurisë. E parashijon atë si aspiratë eskatologjike. Si vizion dhe festë. Kush dëshiron, le të marrë pjesë. Ajo nuk e imponon me metoda dhune. E shpall me jetën e besimtarëve të saj. Mbretëria e Perëndisë “erdhi dhe po vjen”. Është fjala për një “ngjarje” të përjetuar në jetën e shenjtorëve, të njohur dhe të panjohur, që ngushëllon në mënyrë profetike për mundësitë e njerëzimit.
Kush beson thelbësisht tek Krishti, që ka marrë dhe ka përtëritur njerëzoren, kush merr pjesë me vetëdije në Liturgjinë Hyjnore, në kujtimin e Kryqit dhe të Ngjalljes së Krishtit, kthehet në të përditshmen për të vazhduar një Liturgji mistike pas Liturgjisë Hyjnore, mbi altarin e përgjegjësisë dhe punës së tij personale, me përulësi, durim, aspiratë, për të zbatuar detyrën ndaj lokales, duke synuar mbarëbotëroren…
Globalizimi është tashmë një proces në evolucion dhe nuk ka forcë, me sa duket, që të mund ta ndalojë atë. Ai i hap njerëzimit mundësi të shkëlqyera dhe perspektiva të papritura. Por, gjithashtu mbart turbullira dhe rivendosje të njëpasnjëshme. Por, pavarësisht nga pasojat, pozitive apo negative, ai kryhet pa u penguar nga psherëtimat ose yshtjet e mundshme të jo ekonomistëve.
Nga shumë anë dëgjohen protesta se globalizimi lëviz në drejtime që nuk garantojnë vlerat njerëzore bazë, drejtësinë, respektimin e identitetit të njerëzve, shumëllojshmërinë e kulturave njerëzore. Se rendi i ri botëror, që drejtohet nga shoqëritë shumëkombëshe, është instrument presioni për forma të reja kolonializmi. Besimtari nuk befasohet nga kjo dukuri. Globalizmi dhe universaliteti përbëjnë një element bazë të besimit dhe të aspiratës së tij. Ai është i bindur se bioma e vërtetë fetare ka forcë për të kontribuar vendosmërisht me ndërhyrje krijuese, duke u mbështetur në parimet e përjetshme të respektit të çdo personi njerëzor, të lirisë, paqes, drejtësisë dhe solidaritetit. T’i japë kuptim jetës së njeriut dhe të ofrojë tejkalimin e ankthit të vdekjes.
Ekumenizmin orthodhoksët e kanë në gjak, i cili pastrohet vazhdimisht me gjakun e Krishtit, Shpëtimtarit të botës. Në vendin e një globalizimi që i shndërron popujt dhe njerëzit në pelte, që vlen për qëllimet ekonomike të një oligarkie anonime, bioma dhe vizioni orthodhoks propozon dhe fton në një përpjekje për një shoqëri dashurie. Por, e krishterë autentike është kjo: Të besosh atje ku gjithçka duket pa shpresë. Sepse mbështetet në sigurinë se përfundimisht dikush Tjetër rregullon evolucionin e gjithësisë, “ai që është, që ka qenë dhe që do të vijë, i Gjithëpushtetshmi” (Apokalipsi 1:8). Të rrosh me sigurinë se shoqëria mbarëbotërore e dashurisë e personave të lirë është një ideal, për të cilin ia vlen të luftosh. Të veprosh në mënyrë krijuese tek lokalja me perspektivë mbarëbotëroren; t’u përgjigjesh me përgjegjësi detyrës konkrete duke patur si orientim dhe qëllim jete Pafundësinë – Perëndinë e Dashurisë.
Të gjithë pjesëmarrësit, u larguan me dëshirën për t’u takuar sërish në veprimtari të tilla, të cilat jo vetëm bëjnë të njohur pozicionin e Kishës sonë për tema të tilla të rëndësishme, por edhe i pajisin me një vizion të qartë për të përballuar risitë që sjell në jetën e tyre epoka e sotme.
Korresp. i “Ngjalljes”