Çarshova,
ripërtëritje e historisë
Në skajin më jugor të rrethit Përmet, në afersi të
kufirit shtetëror me Greqinë është fshati Çarshovë.
I themeluar aty në shekullin XII, ka një histori shumë
të lashtë duke përbërë një nga fshatrat e rrallë të
kësaj treve, ku të 120 familjet e këtij fshati ishin të
besimit orthodhoks. Për këtë dëshmojnë edhe sot
13 kishat që ka patur ky fshat. Të gjitha kishat janë
ndërtuar gjatë viteve 1780-1886. Veç këtyre
dëshmojnë dhe gjurmët e disa kishave dhe dy
manastireve të shek. X-XI, që vërtetojnë plotësisht
besimin e krishterë orthodhoks të kësaj treve. Duhet
theksuar se dhe gjatë sundimit të gjatë otoman,
banorët kanë ruajtur besimin e tyre orthodhoks.
Nga të gjitha objektet e kultit vlerën më të madhe e
ka pasur kisha e Shën Marisë, ndërtuar në qendër të
fshatit në vitin 1850. Kjo kishë u ndërtua me ndihmën
e madhe të gruas së Ali Pashë Tepelenës dhe
emigrantëve të fshatit. Kjo kishë ka një bukuri të rrallë,
me 9 kube të zografisura dhe me një ikonostas 9 x 4 m,
i gdhendur i gjithi në dru. Kishat e tjera sundonin të
gjitha lartësitë e kodrave që rrethonin fshatin e bukur
si: “Shën Thanasi”, “Kristofori”, “Mëhilli”, “Gjergji”,
“Mitri” e të tjera. Në këto kisha organizoheshin panaire
të shumtë çdo vit sipas emrave të shenjtorëve.
Shumica e kishave kanë ekzistuar dhe
funksionuar deri në vitin 1967, ku egërsia
komuniste organizoi shkatërrimin përfundimtar të
këtyre kishave, me një vlerë të madhe kombëtare.
U dogjën shumë libra të shërbesave fetare, u dogjën
ikona, ikonostase të papërsë-ritshëm sot dhe një
pjesë e kishave u kthyen në depo e stalla bagëtish.
Me gjithë propagandën e madhe të luftës antifetare
të organizatorëve të partive, rinisë e frontit dhe
veçanërisht të agjentëve të sigurimit të shtetit, fshatarët
besimtarë të këtij fshati kryenin në fshehtësi ritet fetare
dhe ruajtën për shumë kohë në familjet e tyre shumë
ikona, libra, kryqe dhe mbi të gjitha majtën në shpirtin
e tyre besimin orthodhoks. Në vitet 1948-50 fshati pasi
u dogj gjatë luftës u shpëmgul dhe u ndërtua i ri pranë
rrugës automobilistike Përmet – Tri Urat. Në vitet 1952-
55 u grumbullua baza materiale për ndërtimin e një
kishe të re por nuk u lejua nga qeveria.
Por dita e lumtur erdhi pas vitit 1991. Me
ndihmën e çmuar të Mitropolisë së Shenjtë,
Gjirokastër dhe në veçanti të Kryepiskopit tonë të
nderuar Anastas, u ngrit kisha e Shën Kozmait më
1998, me një sipërfaqe 180 m2. Aty sot kryhen të
gjitha liturgjitë fetare. Nga fshati Çarshovë kanë dalë
shumë priftërinj që nga At Nikolla Stefani,
Theodhori, Vangjel Kosta dhe më i riu Kristo Sharko.
Në këtë kishë të re shërbeu për herë të parë At Vasili,
At Kristo Sharko për dy vjet dhe tani At Vasili.
Pranë kësaj kishe që nga viti 1994 zhvillohen
mësime katekizmi me nxënës të klasave V dhe XII
(42 nxënës), që janë të gjithë nga Çarshova. Kjo e
ka gjallëruar më shumë aktivitetin e kishës,
zbukurimin e ambjentit rreth kishës duke i dhënë
një gjallëri të madhe të gjitha festave fetare në këtë
fshat.
Kjo është konkretizuar me pagëzimet e shumta
që janë bërë gjatë kohëve të fundit ku vetëm në një
ditë u pagëzuan 13 nxënës katekistë.
Gjergji Haxhi Çarshovë, Përmet