EmailFacebookKontakt

Kronika e Simpoziumit Ndërkombëtar “2000 vjet art dhe kulturë kishtare në Shqipëri”

SIMPOZIUM NDËRKOMBËTAR
«2000 VJET ART DHE KULTURË KISHTARE NË SHQIPËRI»
ORGANIZUAR NGA KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPËRISË
TIRANË 16, 17, 18 NËNTOR 2000

INTERNATIONAL SYMPOSIUM
«2000 YEARS OF CHRISTIAN ART AND CULTURE IN ALBANIA»
ORGANIZER THE ORTHODOX AUTOCEPHALOUS CHURCH OF ALBANIA
TIRANA 16, 17, 18 NOVEMBER 2000

Në kuadrin e Jubileut të 2000-vjetorit të Krishterimit, në datat 16-18 nëntor, në Tiranë, në sallën e Muzeut Historik Kombëtar, u zhvillua Simpoziumi Ndërkombëtar “2000 vjet art dhe kulturë e krishterë në Shqipëri”. Ai u organizua nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, nën kujdesin e drejtpërdrejtë dhe me fondet e siguruara nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Anastasit.

Intervistë me z. Pirro Thomo, anëtar i Komitetit Organizativ të Simpoziumit

Ju bëtë mbylljen dhe konkluzionet e veprimtarisë, ç’mund të na thoni për arritjet e Simpoziumit?

Synimi i Simpoziumit ishte që të pasqyronte në mënyrë sa më të gjithanshme e të plotë aspekte nga më të ndryshmet të kulturës dhe të artit gjatë 2000 vjetëve të Krishterimit në Shqipëri. Për këtë u ftuan të merrnin pjesë forca shkencore nga më të mirat, vendas e të huaj, të cilët iu përgjigjën me kënaqësi ftesës. Dhe në sajë të kësaj gatishmërie ne patëm tematika nga më të ndryshmet, si historia e përgjithshme dhe ajo e Kishës, nga arkeologjia, historia e arkitekturës dhe e artit, nga gjuhësia dhe letërsia, nga folklori dhe etnologjia, pasuritë e mëdha dokumentare që ruhen në Arkivin e Shtetit, që i përkasin kësaj kulture të madhe kishtare, që u krijua gjatë shekujve etj.

Tjetër arritje ishin këndvështrimet e ndryshme të temave. Kishte tema me karakter përgjithësues, por edhe që preknin për herë të parë disa aspekte të veçanta të kulturës, siç ishte tema e Imzot Joanit për kriptokrishterimin, tema e profesor Siulit për ikonostaset e drunjta, një e re ishte vepra e piktorëve vëllezër Zografi nga Korça, në Malin e Shenjtë (ku kishte të reja edhe nga studiuesit tanë) etj.

Nga punimet e tij doli dhe nevoja e më shumë botimeve, sepse vlerat e mëdha kulturore janë ende të panjohura për botën e jashtme por edhe për opinionin publik shqiptar.

Besoj që objektivat që iu vunë Simpoziumit u arritën. E mira e tij ishte se pati diskutime të gjalla të cilat pasuruan e rritën nivelin shkencor. Ky aktivitet nxori gjithashtu dhe perspektivat për të ardhmen.

Dita e parë, 16 nëntor

Seanca e parë, e paradites, nisi në orën 10.00. Në të merrnin pjesë edhe përfaqësues të Presidentit të Republikës, Ministrisë së Kulturës, për Kishën Katolike ishin të pranishëm Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Mons. Anxhelo Masafra e Mons. Rrok Mirdita, kishte ardhur Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Reshat Bardhi, përfaqësues të partive politike, të trupit diplomatik, klerikë, studentë të Akademisë Teologjike Orthodhokse, studiues të fushave të ndryshme etj.

Veprimtaria u hap nga Prof. Dr. Pirro Thomo, për t’u vazhduar me Fjalën hyrëse të Kryepiskopit Anastas, në të cilën ndër të tjera u tha se, traditat orthodhokse të Shqipërisë, të cilat nuk njihen sa duhet në bibliografinë ndërkombëtare – janë pasuri kulturore të saj, por edhe më gjerë, janë monumente të rëndësishme të Ballkanit dhe të krijimtarisë artistike evropiane”, dhe ritheksoi impenjimin e Kishës në ruajtjen e këtyre thesareve shpirtërore e artistike (fjala e plotë u botua në numrin e kaluar).

Më pas, përshëndeti Mons Anxhelo Masafra, i cili tha se “Urojmë Simpoziumit suksese e mbarësi, duke u lutur që këto punë të sjellin fryte shpirtërore e kulturore” dhe vuri në dukje se veprimtari të tilla janë të nevojshme për të njohur pasuritë e mëdha të krishtera të Shqipërisë, që i kanë shpëtuar rebesheve të kohërave. Pastaj përshëndeti Haxhi Dede Reshat Bardhi, duke iu uruar sukses punimeve, i cili theksoi, se Simpoziumi është kurorëzim i sukseshëm i veprës tuaj, që frymëzohet nga i madhi Zot dhe se këto veprimtari shërbejnë, që të gjithë së bashku të ndërtojmë të ardhmen drejt mijëvjeçarit të tretë.

Përshëndeti e uroi veprimtarinë edhe Kryetari i Akademisë së Shkencave, Prof. Dr. Ylli Popa, i cili tha se, Krishterimi është një nga trashëgimitë më të mëdha psikologjike e shoqërore të botës Perëndimore dhe muad të quhet paraprijës i Globalizmit, për të cilin po flitet aq shumë sot. Fakti që parardhësit caë e përqafuan atë që në fillet at, tregon ndjeshmërinë e tyre naj mesazheve të fesë së re, e cila pati një ndikim shumë të madh në jetën materiale e shpirtërore të popullit tonë. Vlerat e qytetërimit të krishterë dëshmohen nga shumë gjetje, të cilat janë ruajtur e restauruar me punën e përkushtuar e shumë të çmuar të shkencëtarëve tanë. Gjithashtu, përshëndeti dhe studiuesi arbëresh At Anton Belushi.

Sesioni i dytë i seancës të paradites u çel me temën e Akademikut nga Greqia, Prof. Panajotis Vokotopulos “Karakteristika të arkitekturës së kishave në shek. X-XIII, në Shqipërinë e Jugut”. Këto ndërtime janë shumë rrallë të ruajtura, ndërsa në Shqipëri mund të përmenden Kisha e Fjetjes së Perëndilindëses, në Peshkopi të Sipërme (shek. X), Ajo e Labovës së Kryqit, Shën Nikolla, Mesopotam, Kisha e Manastirit të Apolonisë, tre kisha në kalanë e Beratit, kishat e Marmiroit e Zvërnecit etj.

I dyti e mori fjalën Prof. Thoma Murzaku, me temën “Bashkëjetesa midis feve në Shqipëri dhe mesazhet e saj për mirëkuptimin ballkanik”. Në kumtesë u fol për fenë kristiane si faktor bashkues dhe për mirëkuptimin midis njerëzve në përgjithësi e të shqiptarëve në veçanti. Gjithashtu, u trajtua edhe tradita e bashkëjetesës së feve në Shqipëri etj.

I fundit në këtë sesion foli Prof. Kriton Krisokoidhis, me “Çështje të marrëdhënieve midis Malit të Shenjtë dhe Shqipërisë gjatë periudhës postbizantine”. Ai vuri në dukje se këto dy zona, megjithëse jo të afërta gjeografikisht, kanë lidhje mjaft të dukshme. Dihet se në Malin e Shenjtë kanë qëndruar edhe shumë murgj nga vende të ndryshme, mes të cilëve edhe nga Shqipëria, disa nga të cilët të shpallur më pas edhe shenjtorë etj. E rëndësishme ka qenë prania e ikonografëve dhe artistëve të tjerë nga Shqipëria.

Në seancën e pasdites, sesioni i parë, u ndoqën me interes temat e Dr. Afrim Hotit “Aspekte të përhapjes së Krishterimit në provincën Epirus Nova”. Në të bëhej një pasqyrë e fillesave të krishterimit në këtë zonë, që shtrihej nga lumi Drin, deri në malet Kerauhe, nga Durrësi deri në Ohër, ku janë ruajtur mbetjet e rreth 50 kështjellave. Në qendrat e banuara të saj, në shek V-VI u ngritën një numër i madh kishash dhe deri tani janë zbuluar gjurmë të rreth 30 prej tyre.

Nga Dr. Gëzim Hoxha u mbajt kumtesa “Dëshmi materiale të artit paleokristian nga provinca Praevalis”. Në këtë krahinë, që shtrihej nga lumi Mat e deri në grykën e Kotorrit, në Mal të Zi, procesi i kristianizimit dëshmohet nga disa gjetje të hershme dhe të rëndësishme. Kështu, mund të përmendet një gemë me figurën e “Bariut të mirë”; “Kupa e Podgoricës”, një enë prej qelqi, me figura nga Dhjata e Vjetër dhe e Re etj.

Dr. Koço Zheku do të vinte me temën “Peshkopata e Bylisit në radhën e peshkopatave të hershme në Shqipëri”. Zbulimi në vitet e fundit i pesë kishave paleokristiane tregojnë se Bylis ishte një qendër e rëndësishme e krishterë që në shekujt më të hershëm, që ka vazhduar pa ndërprerje deri në shekullin XII. Në shekullin IX Episkopata e tij, sipas mbishkrimeve, del indirekt me emrin e Gllavenicës apo Qefalinisë dhe në Katedralen e saj mbreti i bullgarëve Borisi, pagëzohet i krishterë së bashku me popullin e tij (ndryshe nga sa është menduar)…

Pastaj Dr. Georgios Tsigaras, nga Greqia, foli për “Artistët Konstandini e Athanasi nga Korça dhe punët e tyre në Malin e Shenjtë”. Në të jepeshin rezultate të disa hulumtimeve në manastiret e Ajion-Orosit, ku ata kanë lënë mjaft dëshmi të punës së tyre, kryesisht në afreska murale, si në Shën Ana, Filotheu, Ksenofontos etj.

Këto kumtesa u pasuan nga pyetje e diskutime interesante. Pjesëmarrësit në Simpozium bënë edhe një vizitë në pavionet e Muzeut Kombëtar, që pasqyronin aspekte të kësaj historie, ku mund të veçohen Epitafi i Gllavenicës, Portiku i Kishës së Shën Joan Vladimirit, ikonat etj.

Sesioni i dytë i pasdites vazhdoi me referatin e As. Prof. Kosta Lako “Peshkopata e Ankiezmit (Saranda) në periudhën e hershme kristiane”. Në të bëhej një pasqyrim i gjetjeve arkeologjike në qytetin e Sarandës dhe atyre dokumentare, të cilat e dëshmojnë si qendër e rëndësishme episkopale, që nga viti 451. Ai u ndal veçanërisht në përshkrimin e gjetjeve të bazilikës së qytetit.

Nga Dr. Guri Pani u mbajt ligjërata “Bazilika e Ballshit, probleme të studimit dhe të restaurimit”. Kohët e fundit rrënojat e Bazilikës u bënë objekt studimi për përgatitjen e projektit të konservimit, në kuadrin e integrimit të tyre në kompleksin religjoz, që do fillojë të ngrihet falë përpjekjeve që po bëhen nga KOASH. Ai u ndal dhe në gjendjen e mjerueshme në të cilën është katandisur ky objekt dhe domosdoshmërinë e një ndërhyrjeje të shpejtë.

As. Prof. Frederik Stamati foli për studimet dhe u ndal në “Disa të dhëna të reja mbi epitafin e Gllavenicës”, që është një nga objektet më të shquara të mesjetës shqiptare, realizuar në vitin 1373. Kohët e fundit mbi epitaf janë realizuar shumë studime nga ana e shkencave ekzakte, për të nxjerrë të dhëna teknologjike, që shërbejnë për të hedhur dritë në lidhjet tregtare mesjetare të vendit tonë me popujt e tjerë.

Punimet e ditës së parë u mbyllën me kumtesën e Mitropolitit të Korçës, Imzot Joan Pelushit “Kriptokrishterimi në Shqipëri”, që u ndoq me interesim të veçantë, për mënyrën e trajtimit të argumentit e risitë që sillte. Në të vihej në dukje, se “Për dukurinë e Kriptokrishterimit janë bërë shumë pak studime në Ballkan e akoma më pak në Shqipëri, ndonëse këtu kjo dukuri ka qenë më e përhapur se në çdo vend tjetër… Ai është studjuar nga historia, etnografia, antropologjia, psikologjia e shumë shkenca të tjera, nga që ka ndikuar shumë në formimin kulturor të popujve. Ndonëse dukuria në kuptimin klasik është vetëm kur ruhet vetëdija e të qenurit në fenë e parë, prandaj edhe quhet Kriptokrishterim-krishterim i fshehtë, përsëri do të ishte me interes të jashtëzakonshëm të shihej edhe një aspekt tjetër i tij; ai kur vetëdija humbet, por ruhen shumë elemente të fesë së parë, ndonëse shpesh edhe në mënyrë të pavetëdijshme….”. Pastaj në kumtesë bëhej një përshkrim i gjerë i kësaj dukurie në rajon dhe në zona të ndryshme të Shqipërisë.

Intervista

Anthoni Bryer – Profesor i studimeve Bizantine, në Universitetin e Birminghamit

E kisha vizituar Shqipërinë në vitin 1974 dhe sot jam i shtangur kur shoh ringjalljen e Kishës Orthodhokse dhe rrugën që ka ndjekur. Në këto 10 vjet përveç ristabilizimit të Kishës, është vënë si përparësi e lartë kultura. Ky investim në identitetin e kulturës është po aq i rëndësishëm sa rigjallërimi dhe unë falenderoj Kishën Orthodhokse të Shqipërisë dhe veçanërisht Kryepiskopin Anastas, që e kanë kuptuar se është e rëndësishme të kemi një bekgraund intelektual dhe ekumenik për atë që Kisha juaj po bën.

Siç shihet nga kjo veprimtari, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë është e vendosur në kontekstin kulturor e intelektual të vendit, duke udhëhequr prezantimin dhe kërkimet e kësaj kulture dhe duke u bërë kështu një lider në kërkimet shkencore në vend. Kjo është vërtet impresionuese.

Prof. Dr. Aleksandër Meksi

Problemi i shtruar si temë e këtij Simpoziumi qe me interes, sepse ishte hera e parë që problemet që lidhen me historinë e Kishës dhe historinë e Shqipërisë janë parë nga ana e këndvështrimit të krishterë, për manuskriptët, kodikët, për pikturën, për monumentet e lëna në harresë dhe për bashkëjetesën e feve të ndryshme. Kjo u oë edhe për monumentet shqiptare jashtë Shqipërisë, që më përpara nuk mund të shiheshin nga studiuesit shqiptarë, por që e dhanë të huajt. Mendoj se jemi në një hop cilësor, i cili sigurisht duhet pasuar nga të tjerë. Pjesëmarrja e të huajve sigurisht duhet shënuar si një nga anët më pozitive.

Prof. Dr. Helmut Buchhausen

Jam shumë i gëzuar që isha i ftuar në këtë Simpozium. Kontakti im i parë me Shqipërinë ka qenë në vitin 1964. Pashë shumë gjëra të persekutimit të Hoxhës. Jam shumë i gëzuar që Kisha juaj është rindërtuar dhe se të gjitha fetë jetojnë në paqe.

Eshtë shumë e rëndësishme që gjithë qeveritë e ndryshme të Evropës t’i përdorin mundësitë e tyre për të ndihmuar Shqipërinë. Mendoj se duhet, që në gjithë përfundimet e këtij aktiviteti të kujtojmë ata persona që ruajtën kulturën e Shqipërisë në kushtet e persekutimit e që s’mund të jenë me ne këto ditë.

Panajotis Vokotopullos – Profesor i artit bizantin në Universitetet e Selanikut dhe të Athinës. Profesor Emeritus dhe anëtar i Akademisë së Athinës, ku përgjigjet për Qendrën e studimeve të artit bizantin dhe postbizantin.

Simpoziumi është një nga ngjarjet serioze të organizuara nga vende apo institucione të ndryshme, për të shënuar fundin e mijëvjeçarit dhe nisjen e të riut dhe 2000 vjetët nga Lindja e Jisu Krishtit. Qëllimi ishte arti dhe arkitektura në Shqipëri gjatë dy mijëvjeçarëve, gjë që u dha mundësinë shumë studiuesve nga Shqipëria, por edhe nga vende të tjera, si Greqia, Anglia apo Austria, të shqyrtojnë disa aspekte të artit dhe kulturës në vendin tuaj dhe të japin arritjet e kërkimeve të tyre.

Këtu iu dha mundësia studiuesve shqiptarë të dëgjojnë dhe specialistët e huaj në këto fusha dhe gjithashtu, iu dha mundësia të huajve të mësojnë shumë nga ato që janë arritur në Shqipëri, sepse botimet shqiptare nuk kanë qarkulluar shumë jashtë.

Dr. Kriton Krisokoidhis – Drejtor i Studimeve në Institutin e Kërkimeve Bizantine

Së pari, dua të falënderoj Fortlumturinë Tij, Kryepiskopin Anastas, që mori nismën për të organziuar një mbledhje të tillë të rëndësishme. Me sa dimë, është hera e parë që organizohet një mbledhje e tillë. Eshtë shumë e rëndësishme që u mblodhën bashkëstudiues nga Shqipëria dhe vende të tjera, për të diskutuar së bashku disa probleme shkencore të kërkimeve për monumentet, artin dhe kulturën e krishterë në këtë rajon.

At Anton Belushi, studiues arbëresh

Ky simpozium është një ngjarje historike, sepse është një moment në të cilin ne ndërgjegjësohemi për rolin e madh që ka kisha këtu në Shqipëri. Kisha Orthodhokse ashtu si në të kaluarën dhe siç e tregojnë këto kumtesa të bukura, nga pikëpamja historike, arkitektura, ikonografia, ka një kulturë të lashtë, që i dha lavdi Perëndisë. Ne kemi nevojë, që nga besa e etërve tanë të marrin frymën e nevojshme, për të kapërcyer vuajtjet që la komunizmi. Por, megjithë përsekutimet, duhet menduar për të kaluarën jo si një vdekje, por “I zoi en tafo” – “Jeta tek varri”, siç e këndojmë të Premten e Madhe. Nga ky varr, që dukej i vdekur është jeta, jeta që ju vjen nga veprimtaria e madhe e Kryepiskopit Anastas, si dhe e peshkopëve të tjerë dhe besimtarëve.

Dita e dytë, 17 nëntor

Sesioni i parë i seancës të paradites, u çel me referatin e Dr. Ylli Cerovës “Skulptura dekorative arkitektonike paleokristiane në trevën e Elbasanit”. Ai trajtoi vendin që ze kjo trevë në burimet historike dhe burimet kishtare lidhur me të. Më pas u dha përhapja e kishave paleokristiane në zonën e Elbasanit, si dhe elemente arkitektonike të zbuluara në bazilikën që ndodhet brenda mureve të kështjellës së qytetit.

Pastaj e mori fjalën Prof. Dr. Aleksandër Meksi, i cili mbajti kumtesën “Shqipëria mes Lindjes dhe Perëndimit. Arkitektura e kultit një shembull”. Në të u tha se Shqipëria, me pozitën e saj gjeografike ishte gjatë gjithë antikitetit një nga rrugët e ndërlidhjes së qytetërimit perëndimor me atë lindor, të cilët janë në themelet e qytetërimit evropian. Në këto lidhje një vend të veçantë zinte edhe kisha; mes Bizantit e Romës. Këto u dëshmuan me të dhëna historike e materiale nga anë të ndryshme të vendit dhe u theksua se në kushtet e reja studimet duhet të thellohen në dy drejtime; të organizimit kishtar dhe të ndërtimeve të kultit.

Një kumtesë që tërhoqi vëmendjen e ngjalli diskutime ishte edhe ajo e studiuesit të ri Ardian Ahmedaja “Këngët popullore shqiptare dhe i kënduari bizantin”, lidhjet midis të cilave janë një fushë gati e parrahur deri më sot. Ai u ndal në elemente të përbashkëta të tyre, si isoja dhe theksoi se studimet e mëtejshme në këtë drejtim do mund të zgjidhin çështje themelore të etnomuzikologjisë shqiptare.

Informacion interesant sillte kumtesa e z. Moikom Zeqo “Të dhëna të reja për piktorin Onufri, të shek. XVI”. Në të u trajtuan disa gjetje të reja për këtë ikonograf, si në Kishën e “Metamorfozës” e atë të Shën Nikollës në Manastirin e Zërzës, në Maqedoni. Gjithashtu, në vitin 1625 Onufri ka pikturuar në një manastir të Moldavisë, si dhe një ikonë që gjendet në Itali i dedikohet atij, duke hapur kështu perspektivën e hulumtimeve të reja për të.

Sesioni i dytë i paradites, do të vazhdonte me kumtesën e Prof. Kostandinos Nihoritis “Tradita Qirilo-Metodiane në Shqipëri”. Në të u fol për kultin e shtatë shenjtorëve në trojet shqiptare, për Qirilin e Metodin dhe 5 nxënësit e tyre, Gorazhdi, Klimi, Naumi, Angjelari e Sava. Kështu p.sh., në Berat gjejmë nderimin për Gorazhdin e Angjelarin, që dëshmohet nga lipsanat e tyre të ruajtura në katedralen e Shën Marisë dhe një Akoluthi.

Një kumtesë mjaft interesante mbajti edhe Dr. Shaban Sinani: “Kodiku i purpurt i Beratit – një referencë themelore e letërsisë evangjelike”. Në të u vu në dukje se koleksioni i kodikëve përbën një nga pasuritë më të rëndësishme kulturore të popullit shqiptar në të gjitha kohërat dhe janë edhe pasuri me vlera për historinë e mendimit të krishterë në përgjithësi. Ky koleksion, që ruhet në Arkivin e Shtetit, përbëhet nga më se 100 vëllime të plota e 17 fragmente. Jashtë këtij fondi ekzistojnë edhe kodikë të tjerë, që ndodhen në muze të ndryshëm.

Dr. Triantafyllos Siulis solli temën “Ikonostaset e drurit në zonat e jugut të Kishës Orthodhokse në Shqipëri”. Duke vënë në dukje, se që nga fundi i periudhës Bizantine, arti i gdhendjes së drurit pati një zhvillim të ndjeshëm. Nga shek. XVI u bënë të famshëm edhe gdhendësit e zonës së Meçovës, Konicës dhe Voskopojës, traditë që u ruajt deri në shekullin e kaluar. Autori u ndal në shpjegimin e vlerësimin e elementeve të ndryshme të këtyre ikonostaseve, duke treguar edhe shkollat dhe familjet më të njohura që iu kushtuan këtij arti.

“Kultet e tre martirëve shenjtorë në Shqipëri, disa çështje”, ishte tema e trajtuar nga Prof. Anthony Bryer, nga Anglia. Duke theksuar, se martirët dhe kultet e tyre i japin identitet popujve dhe vendeve në botën Orthodhokse, ai u ndal në tre Shenjtorë që nderohen veçanërisht në trojet shqiptare: Shën Astin e Durrësit (shek. I), Shën Joan Vladimirin (1016) dhe Shën Nikodhimin e Elbasanit (1772), duke dhënë mjaft të dhëna historike për secilin.

Në sesionin e tretë të paradites, i pari e mori fjalën studiuesi Stefan Koçi, me temën “Dorëshkrimet shqiptare sipas Aleksudës, Batiffol dhe Duschene”, në të cilën trajtoi gjerësisht kontributin dhe të dhënat që këta studjues sjellin për dorëshkrimet fetare të zbuluara në vendin tonë.

Pastaj, Prof. Helmut Buchhausen mbajti temën “Mozaikët e hershëm kristianë në Amfiteatrin e Durrësit”. Në të tha ai, një tempull pagan u zëvendësua nga një kishëz kushtuar martirëve të krishterë, që u ekzekutuan në theatër. Paraklisi ka pasur edhe afreske, tashmë të shkatërruara dhe mozaikë, që paraqesin dhjakonin dhe martirin e parë Stefanin, Perëndilindësen mes dy engjëjsh dhe dhuruesin Aleksandër me të shoqen etj.

Kjo ditë kishte dhe një vizitë mjaft interesante në mozaikun e Kishës së Shën Joanit, në qytetin e Tiranës, të shek. VI.

Në seancën e pasdites, sesioni i parë u hap nga Dr. Mihail Larenzakis, me: Afresku i Shën Kozmait në varrin e tij në Manastirin e Kolkondasit, Fier”. Gjatë punimeve restauruese të këtij Manastiri, nisur në 1995, u gërmua edhe në paraklisin që ka shërbyer si varri i Shenjtit, ku u zbulua një afresk i hershëm e krejtësisht i panjohur më parë. Afresku u restaurua dhe, duke parë se kushtet mjedisore ishin të papërshtatshme, u shkëput e u vu në një vend të mbrojtur.

Më pas, Prof. Dr. Pirro Thomo, mbajti temën “Shpërndarja kohore dhe territoriale e arkitekturës pasbizantine në Shqipëri”. Në të u vu në dukje, se kjo arkitekturë pasbizantine, ndonëse trashëgoi nga periudha pararendëse një sërë principesh e tiparesh, nuk mund të quhet një pasuese e thjeshtë e saj. Nga kjo periudhë kanë arritur deri në ditët tona një numër i madh monumentesh, kryesisht në Shqipërinë e Jugut, ku u ruajt feja ortodokse, të cilat përfaqësojnë gjithë tipat e variantet.

Studiuesi Konstandinos Jakumis, nga Greqia, që po mbron doktoraturën në Universitetin e Birminghamit, për kishat e Shqipërisë, erdhi me temën: ‘Veprimtaria e piktorëve nga Linotopi në viset e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë”. Artistët nga ky fshat i banuar prej vllehësh në malin Gramoz, në jugperëndim të Kosturit, përbëjnë atelienë më të hershme e më të njohur nga zonat malore, e specializuar në sektorë të caktuar të prodhimit artistik. Ata vepruan në një hapësirë të gjerë, të shtrirë gjeografikisht, në një hark kohor që përfshin tre dhjetëvjeçarët e fundit të shek.XVI, deri në fund të shek.XVII ose edhe në fillim të shek. XVIII. Një pjesë e madhe e veprës së tyre gjendet në Shqipëri, ku janë lokalizuar tetë monumente të nënshkruara nga piktorët e Linotopit, të cilëve u përkasin edhe tri monumente të tjera, si dhe ikonat e dy ikonostaseve.

Studiuesja nga Janina, znj. Maria Skavara, referoi për “Kisha e Shën Nikollës në Saraqinishtë. Një seri me ikona nga jeta e shenjtorit”. Ajo, pasi dha të dhëna për piktorët që e afreskuan, Konstandini e Nikolla nga Linotopi dhe për vetë kishën, që rezulton e shek. XVII, u ndal në ciklin e veçantë me 16 ikona murale nga jeta e këtij shenjtori.

Pastaj referoi Prof. Hasan Nallbani, për “Piktura mesjetare dhe piktorët në kishat e Kalasë së Beratit”. Me tipare mjaft heterogjene piktura kishtare në kishat e kalasë së qytetit të Beratit është pasqyrë e jetës dhe zhvillimit kulturor tepër kompleks të historisë mesjetare të qytetit. Një përfundim që tërhoqi vëmendjen në referat, ishte se, analiza e stilit, ikonografisë e teknikës së pikturave murale e veçanërisht të ikonave bëjnë që të shohim mjeshtër Nikollën që ka pikturuar në kishën e Vllahernës, si djalin e Onufër Qipriotit dhe jo Onufrit të kishave të Shelcanit e Valshit.

Në sesionin e dytë të pasdites, e para referoi Znj. Borislava Kirilova-Daskalova, nga Bullgaria, me temën “E Virgjëra Mari dhe Fatima në Ballkan; ura të komunikimit mes kulturave”, ku bëri një analizë të elementeve fetarë që lidhin kulturat e gadishullit tonë, duke shpjeguar veçanërisht ato mes besimit të krishterë e atij islam dhe rëndësinë e tyre për bashkëjetesën paqësore në rajon.

Restaurator Skënder Mihalçka foli për “Të dhëna mbi disa vepra kishtare të artit në vendin tonë”. Në të ai bëri të njohura informacione të reja për disa vepra të artit kishtar, duke e lidhur historinë dhe rëndësinë e tyre edhe me dëshminë që ato japin për shkallën e civilizimit të shoqërisë. Të gjitha këto aspekte e bëjnë tepër të rëndësishme ruajtjen dhe restaurimin e tyre.

Ndërsa Prof. Jakup Mato foli për “Kodikët – vlerat artistike e kulturore të tyre”. Në këtë kumtesë u synua të hidhej dritë mbi vlerat e mëdha të kodikëve. Ato, shumica të dorëshkruara, vijnë nga thellësitë e shekujve (nga i VI, deri te i fundi i shek. XIX) dhe dëshmojnë për një sërë anësh të kulturës së kohës. Veç teksteve fetare (ungjij, psallme, literaturë patrologjike, logo martirologjike etj.), në to përfshihet një lëndë e pasur, me vlera të shumanshme.

Kumtesat e ditës së dytë u mbyllën me studiuesin Uiliam Çikopano: “Tipare të përgjithshme në bazilikat e zbuluara në Shqipëri”. Në të u trajtua tipologjia dhe arkitektura e bazilikave të dekoruara me mozaikë dhe më pas u bë një klasifikim midis ndërtimeve të këtyre bazilikave, u ndal tek ajo paleokristiane e Linit, në Pogradec, duke prekur vlerat arkitektonike e artistike dhe problemet e restaurimit.

Dita e tretë, 18 nëntor

Në sesionin e parë të paradites, i pari do ta merrte fjalën Dr. Gazmend Muka, me “Ikona, ose media e përjetshme e krijuesit”. Në të vihej në dukje, se ikona bizantine ka shfaqur një qëndrueshmëri të madhe në shekuj, në sajë të bipolaritetit liturgjik dhe artistik që përfaqëson. Në fund, referuesi do afirmonte, se “…Prandaj nuk mbaron kurrë së mësuari artin bizantin e postbizantin. Ai është si një shtëpi magjike, ku bota e dukshme dhe e padukshme ndodhet e gjitha aty, pa mbetje”.

Ark. Kliti Kallamata do sillte temën “Rreth tipareve të reja të programit ikonografik në pikturën murale të shek. XVIII”. Ai vuri në dukje në kumtesë, se në këtë periudhë, ky program pasurohet në mënyrë të ndjeshme në drejtim të rritjes së numrit të skenave dhe të temave që trajtohen. Përmasat disa herë më të mëdha, që kanë bazilikat e ndërtuara, kundrejt kishave të mëparshme, ofronin mundësi për realizimin e një programi shumë më të zgjeruar ikonografik.

Më pas referoi Rest. Mustafa Arapi, me “Analizë mbi dy ikona të piktorit David Selenica”. Piktori i shek. XVIII David Selenica zë një vend të rëndësishëm në Artin Ikonografik në Shqipëri. Ai është një ripërtëritës i një ringjalljeje të artit të periudhës Paleologe në vend. Dy ikonat të cilat u analizuan, ishin ajo e “Vajtimit mbi varr” dhe “Shpërfytyrimi”.

Kumtesa tjetër ishte “Arkeografia e hershme kishtare shqiptare sipas shembullit të kodikëve dhe vlerat e saj”, mbajtur nga studiuesja Liljana Bërxholi. Ajo synonte të ofronte një pamje të shkurtër, por domethënëse të rolit të këtij elementi social në formimin e biografisë së pasur të kulturës kishtare shqiptare.

Sesionet e paradites do vazhdonin pastaj me kumtesën e As. Prof. Doc. Pirro Miso “Kisha Orthodhokse faktor i rëndësishëm në dokumentimin e traditës instrumentale në Shqipëri”. Ndër të tjera, në të vihej në dukje se ikonografia e Kishës Ortodokse Shqiptare, që dokumenton e pasqyron një pjesë të rëndësishme të muzikës instrumentale shqiptare, plotëson një boshllëk të ndjeshëm e të pazëvendësueshëm në kontekstin e dokumentimit të traditës mijëravjeçare të arkeomuzikologjisë sonë.

Dr. Nevila Nika do të vinte me temën “Kodiku i Kostë Beratit (1764-1768)”. Rezulton, se ai ishte shkruar prej Ikonom Kostës nga Berati, filluar në vitin 1764. Në kodik ndodhet edhe një fjalor dygjuhësh shqip-greqisht, si edhe ka kopjuar pjesë nga fjalori i Theodhor Kavaliotit. Një ndër vlerat më të mëdha të këtij kodiku është fakti, se ka kronika e vargje në gjuhën shqipe. Ai gjithashtu ka përdorur alfabetin glagolitik të Elbasanit, disa vjet më parë se Th. Haxhifilipi.

“Portreti i Virgjëreshës Mari në Folklor”, ishte kumtesa e Prof. Dr. Jorgo Panajotit. Ai evidentonte në të vendin e veçantë të Shën Marisë në krijimtarinë popullore dhe shprehjet e saj: betimet, lutjet, antroponimet, toponimet, figurshmëria, ndërtimet fetare, këngët dhe vallet rituale, legjendat, panairet etj.

Ndërsa Dr. Dhori Qiriazi do të sillte “Gjurmë të Krishterimit në leksikun e Shqipes: emrat e shenjtorëve dhe neologjizmat”. Studiuesi e përqendronte vëmendjen tek fakti se, Shqipëria ka qenë pika ku ndaheshin e takoheshin kisha orthodhokse e ajo katolike. Kjo duket edhe në planin gjuhësor (p.sh. përdorimi i fjalëve murg/ kallogjer dhe toponimet Shmil, Shpal etj., ku pjesa e parë e ka origjinën nga latinishtja ndërsa e dyta nga greqishtja bizantine). Me përpjekjet që bëhen për përkthimin në gjuhën shqipe të teksteve fetare, hyjmë në një fazë të re, që karakterizohet nga një masë e konsiderueshme neologjizmash.

“Etika orthodhokse dhe problemet bashkëkohore të familjes në Shqipëri”, ishte tema që solli Prof. Dr. Arqile Bërxholi. Kumtesa synonte, që nëpërmjet kërkimit në shtresat më të thella dhe në faqet më të mira të etikës orthodhokse, të objektivizonte konceptin se çdo besim, gjatë shekullit që po vjen, ftohet që të zhvillojë gjënë më të mirëfilltë, më të mirë, më të thellë dhe më të bukur që disponon dhe t’i afrohet me këto njeriut dhe më gjerë shoqërisë. Eshtë e nevojshme të vlerësohen parimet metodike të fokusimit, të cilat kanë të bëjnë me mënyrën e të përjetuarit të etikës ortodokse…

Në fund të referimeve të paradites, Dr. Kujtim Nuro do fliste për “Tradita e krijimit dhe e ruajtjes së dokumentave në manastiret e kishat ortodokse”. Në të theksohej, se arkivat janë thesari më me vlerë i një kombi… Pjesë e kësaj trashëgimie janë edhe arkivat e manastireve dhe të kishave të komunitetit orthodhoks. Ato zenë një peshë të rëndësishme në historinë e mesjetës dhe të mëvonshme të popullit tonë…

Pastaj programi do të kishte një ndryshim mjaft të këndshëm e domethënës: Pjesëmarrësit do t’i drejtoheshin Manastirit të Shën Vlashit, i cili u ndërtua nga e para në vitet e fundit, bashkë me mjediset e Akademisë Teologjike Orthodhokse. Ishte vërtet befasues ky prezantim me të tashmen e Kishës Orthodhokse në Shqipëri, pas gjithë atyre kumtesave për të shkuarën, me aq gjurmë materiale e kulturore. Ishte një afirmim, se ajo për të cilën flitej në këtë aktivitet shkencor, tradita e krishterë, është sërish e gjallë e në lulëzim, sidomos falë kontributit të jashtëzakonshëm të një figure të ndriçuar e të njohur në gjithë botën orthodhokse, siç është Kryepiskopi, Prof. Dr. Anastasi.

Pas një dreke në mjediset e Akademisë u vazhdua me një kredhje në gjurmët e të kaluarës së krishterë. Vizita në Amfiteatrin e Durrësit, do të ishte edhe ilustruese për temat e trajtuara. Sidomos vëmendjen e komentet i tërhoqën mozaikët muralet bizantine, nga dëshmitë e rralla të kësaj periudhe në gjithë rajonin. U vazhdua me një vizitë në bazilikën e Arapajt, me mozaikun e saj të famshëm, për t’u kthyer pastaj në Tiranë, për të dëgjuar kumtesat e fundit.

Në sesionin e parë të pasdites, Dr Natasha Sotiri mbajti temën “Ndikimi i ligjërimit kishtar në të folmet e krahinës së Himarës”. Në kumtesë thuhej, se gjurmët e ndikimit të ligjërimit kishtar e të kulturës kishtare orthodhokse në të folmet e Himarës vërehen në onomastikë, në toponimi, në gjuhën e shkollës, në ligjërimin e përditshëm etj.

Ndërsa Dr. Klara Kodra do të kumtonte “Zhvillimi i motivit biblik në dramën e Nolit ‘Izraelitë dhe Filistinë'”. Ajo u përqendrua në disa probleme, si ndryshimet që sjell Noli në motivin biblik dhe problemet e mesazhit dhe të vlerës estetike të dramës së tij. Drama është një kryevepër në mundësi, për thellësinë e mesazhit e personazhet tepër interesantë, si edhe në realizimin artistik.

Në kumtesën e bashkëautorëve Kristaq Balli e Lorenc Glozheni “Theofan Popa dhe disa gjetje e konfirmime të reja mbi pikturën e vëllezërve Konstandin e Athanas Zografi”, vihej në pah në fillim se Theofan Popa mbetet një nga themeluesit e parë të shkollës shqiptare, për evidentimin e studimin e artit bizantin e pasbizantin. Më tej në kumtesë, duke shfrytëzuar mbishkrimet e përkthyera nga ai, diskutoheshin 2-3 datime me rëndësi në krijimtarinë e ikonografëve nga Korça.

Kumtesa e fundit nga studjuesit, ishte ajo e George Jakumis “Krijime pikturore paraonufriane në monumentet e hershme pasbizantine të Kishës Ortodokse në Shqipëri”. Pasi vihej në dukje një lloj zbrazëtie midis krijimeve tek monumentet e shek. XIV, deri tek veprat e Onufrit, kumtuesi afirmonte se kryemjeshtri sigurisht nuk doli nga një boshllëk, por njihte mirë traditën praardhëse. Më pas, vëmendja fokusohej tek disa kisha të kësaj periudhe.

Pas disa diskutimeve të gjalla e interesante, që karakterizuan gjithmonë fundet e sesioneve dhe një pushimi të shkurtër, që edhe ato ktheheshin gjithmonë në çaste të gëzuara njohjeje e shkëmbimi mendimesh, erdhi kumtimi i fundit. Ishte Kryepiskopi Anastas, me “Ngjallja e Kishës Orthodhokse në Shqipëri (1991-2000)”, një temë që megjithëse dukej se në disa aspekte ndryshonte nga të mëparshmet, e bashkonte me të gjitha ato fakti i vazhdimësisë edhe në ditët e sotme i kulturës 2-mijëvjeçarë të vjetër të krishterë në Shqipëri. Në të Fortlumturia e Tij bënte një pasqyrim të rritjes së Kishës sonë në 10 vjetët e fundit, rritje që për disa aspekte është vërtet një mrekulli. Ai u ndal në aspekte të ndryshme të veprës shpirtërore, arsimore, sociale etj., duke dhënë edhe mesazhin e perspektivës e të besimit në të ardhmen. Mjaft i veçantë ishte edhe ilustrimi me mjete elektronike, që bënë të mundur dhënien me një cilësi të lartë të fotografive të shumta nga kjo ecje përpara, duke nisur nga gjendja e vështirë e hapave të para e deri tek ndërtimet madhështore të viteve të fundit.

Pastaj, në emër të Këshillit shkencor të Simpoziumit bëri mbylljen e përfundimet e veprimtarisë Prof. Dr. Pirro Thomo, i cili afirmoi se Simpoziumi i arriti të gjitha objektivat e veta, falë edhe pjesëmarrjes së gjerë, të studiuesve nga fusha të ndryshme. E rëndësishme ishte se u sollën shumë tema e rezultate të reja të viteve të fundit duke i pasuruar njohuritë për këto fusha dhe u bë një shkëmbim mjaft i frytshëm të dhënash midis studjuesve shqiptarë e të huaj.

Në emër të shkencëtarëve të huaj, përshëndeti Prof Anthony Bryer. Ai pasi falenderoi për ftesën dhe gjithë ata që ndihmuan në suksesin e plotë të veprimtarisë, e quajti të jashtëzakonshëm kontributin e Kryepiskopit Anastas.

Vitin e ardhshëm mendohet që këto kumtesa të mblidhen e botohem në një volum.

Korresp. i “Ngjalljes”