EmailFacebookKontakt

Udhëtim shpirtëror në kishat e Bregdetit

Dihet që në muajt nëntor – dhjetor janë të shumta të Kremtet e mëdha të rëndësishme. Jo vetëm të dielave, por edhe në mjaft ditë jave.

Ashtu si gjithë vitin dhe në këto ditë kisha kujton dëshmorët, martirët e asketët e saj të shumtë, që pranuan Krishtin dhe qëndruan besnikë deri sa dhanë gjakun për Perëndinë.

Besimtarët në kujtim të tyre kanë ndërtuar dhe kisha ku shkojnë e luten e kërkojnë të imitojnë. Disa nga këto kisha janë ndërtuar edhe në zona malore, ku duhen 4-5 orë rrugë me këmbë për të shkuar në to. Kështu, më 30 nëntor, bashkë me disa besimtarë nga Dhërmiu e të rinj orthodhoksë nga Dukati, shkuam në Kishën e Shën Andresë, në Bregdet.

Kjo kishë e vjetër që s’dihet sa e hershme është ndërtuar buzë detit rrëzë malit të Rimit, poshtë qafës së thellë ku populli këtë gji e quan të Shëndreut. Ne shkuam në kishë që në darkë dhe pse të lodhur nga rruga shumë e gjatë e tereni shkëmbor, kryem shërbesa fetare e bëmë Agripni gjer afër mëngjesit.

Te të rinjtë, që shkuan për herë të parë lanë mbresa të mëdha tregimet e besimtareve të moshuara nga Dhërmiu, që kanë shkuar në këtë kishë çdo vit, edhe në kohën e ateizmit shtetëror, nëpër shi dhe fshehur. Sa herë kërkonin me lutje ndihmën e të Parëthirrurit, ajo s’u mungonte.

Në Mëngjesore e në Liturgji të pranishmit psalën të gjithë së bashku.

Të rinjtë Nikolla Kopo e Ilirjan Koshena që janë dhe psaltës të mirëfilltë të kishës së Shën Dhimitrit në Dukat thanë se vetë zëri i tyre dilte lirshëm e trupi e shpirti ndjen një kënaqësi të veçantë. Besimtari Aleks Koka nga Dhërmiu u thotë se po të vinin çdo vit në këtë kishë do ndjeni kënaqësi të madhe jo vetëm me bukuri të madhe natyrore.

Nuk mund të le pa përmendur në këtë shkrim një episod të bukur në 21 nëntor në Manastirin e Shën Marisë gjysmë ore larg nga Palasa. Kur mbaruam Liturgjinë, një besimtare tregon një këngë të gjyshes së saj. Në 1930, kur në Shqipërinë e Jugut ra një tërmet i fuqishëm, epiqendrën e kishte në fshatrat Dhërmi, Palasë e Dukat. Pati shumë dëme materiale dhe viktima me njerëz. Pleqtë u thanë banorëve, se jemi larguar nga besimi prandaj Zoti sot në Hyrjen e Shën Marisë në Tempull na ndëshkoi me këtë tërmet. Dhe kështu, u krijua teksti i këngës:

“Në të gdhirë të xhumanë
Ra trumbeta anë e mbanë,
Në këto fshatrat tanë,
Ranë shtëpi, njerëz u oranë
S’shkojmë në kishë
e kreshmë nuk mbajmë
Ndaj e pësuam hatanë…”

Kam mendimin se klerikët e këshillat kishtare duhet të bëjnë një punë racionale në mënyrë që të kryejnë shërbesa fetare në çdo vend të shenjtë në zonat e tyre sado larg që të jenë.

Në sajë të një pune të tillë merr kuptim të plotë lutja më e fundit e Shërbesave të Mëngjesores e Mbrëmësores, ku psalti lexon: “O Zot Perëndi forco Besën e Shenjtë e të kulluar të të krishterëve besëmirë e orthodhoksë, bashkë me Kishën tënde të shenjtë, Manastirin, Famullinë, vendin, e në jetë të jetëve, Amin!”.

Le të punojmë pa ndërprerje për të forcuar besimin tonë të shenjtë.

At Jani Konomi
Dukat, Vlorë