Fshati Këmishtaj ndodhet afër Lushnjes dhe ka kryesisht popullsi orthodhokse. Kisha kryesore e fshatit është ajo kushtuar Shën Nikollës, e cila u rindërtua kohët e fundit me kontributin e Kryepiskopit Anastas. Punimet, që nisën në maj 1999, u kryen nga Zyra Teknike e Kishës, me projekt të një arkitekti lushnjar.
Kisha ka përmasa 14.5×24.5 metra dhe lartësi 9.4 metra. Kambanarja, në të djathtë të hyrjes kryesore, është 15.5 metra e lartë. Ajo ka gjinekon dhe hajat nga ana perëndimore dhe jugore. Gjithashtu, pranë saj ndodhet edhe një ndërtim njëkatësh, i cili përdoret për veprimtaritë dhe mësimet e katekizmit të të rinjve dhe fëmijëve të fshatit.
Për ndërtimin e kësaj kishe nuk ka një datë të saktë, por ekziston një gojëdhënë interesante. Sipas saj, në kohë të vjetra kisha e parë e ndërtuar ka qenë më larg egzistueses, rreth 300 metra në lindje të saj. Atje kanë qenë disa pemë, që u thoshin “Vidhat e mirë”. Meqë vend i ishte i ulët dhe mblidhte ujë, u pa e domosdoshme që kisha të ringrihej pak më larg, ku ndodhet sot. Por, 2 herë u çuan materialet e ndërtimit tek sheshi i ri dhe të dy herët u gjendën në mënyrë të pashpjegueshme tek kisha e vjetër. Vetëm herën e tretë materialet nuk lëvizën më. Ndërkohë, besimtarët shihnin natën të ndizej një dritë, që kalonte nga kisha e re tek vidhat.
Në vitin 1848 një besimtar nga Athina i dhuronte një kambanë kishës së Shën Kollit të Këmishtajt, që është edhe data e vetme që kemi për vjetërsinë e saj. Në vitin 1918 u bë zgjerimi i kishës, në kohën që prift ishte At Dhionis Duro. Nga viti 1928 – 1951 prift ka qenë At Kristo Ziu dhe që nga ky vit e deri në mbylljen e kishave at Jovan Kondakçi. Kisha ka pasur piktura shumë të bukura, të realizuara nga një zograf me emrin Todi, ndërsa tavani ka qenë realizuar nga Llambi Zalli, mjeshtër nga Bubullima. Gjithashtu, deri në themelimin e kooperativës, kisha jonë ka pasur edhe 10 hektarë tokë, të cilat nuk iu kthyen.
Në vitin 1967 u prishën ikonostasi, ikonat, zbukurimet e kishës, ndërsa në vitin 1986 ajo u kthye në depo armatimi.
Kisha e Shën Kollit u rihap në qershor 1991, kur për herë të parë meshoi At Sotir Boçi. Një kontribut të veçantë ka dhënë edhe At Athanas Papa.
Edhe këtu, ka një histori që shkon përtej normales dhe merr konturet e një mrekullie. 2 javë pas meshimit të parë, në anën e jashtme të ajodhimës, mbinë spontanisht 2 selvi, të cilat ruhen me përkushtim nga besimtarët.
Florenc Qorri
Rinia orthodhokse “Bij të Dritës”, Këmishtaj