EmailFacebookKontakt

“Dëshmi për mijëvjeçarin e ardhshëm…”

Shpeshherë, vëmendjen tonë e tërheqin veprimtaritë e mëdha, të bujshme, për të cilat edhe shpenzimet janë po të tilla. Në to marrin pjesë lektorë të njohur dhe gazetarë të shumtë. Por, shpesh, një mënyrë e tillë të perceptuari na e largon vëmendje nga veprimtari “minore”, larg kryeqytetit, të cilat kanë për njerëzit e zonave ku zhvillohen po kaq rëndësi. Mbase edhe më shumë, sepse ato vihen në qendër të vëmendjes, ndërsa Tirana ta shpërndan përqëndrimin me një miriadë veprimtarish.

Për më shumë, veprimtaritë e “provincës”, në shumicën e rasteve organizohen nga njerëz të përkushtuar, me fare pak shpenzime në raport me rezultatet. Ato bazohen më tepër mbi vullnetarizmin dhe mbi dëshirën për të kontribuar të intelektualëve vendas, që shpesh punojnë më me përkushtim se emrat e dëgjuar.

Një veprimtari të tillë do quanim, atë që u zhvillua në qytetin e Fierit, në datë 4 nëntor, nën kujdesin e Mitropolitit të Beratit, Vlorës Kaninës dhe gjithë Myzeqesë, Hirësisë së Tij Ignatit dhe me koordinimin e organizatës së rinisë orthodhokse “Bij të Dritës”. Ajo u realizua falë përkushtimit të njerëzve që kontribuojnë për Kishën në ato treva. Këtu, do të donim të veçonim për një çast z. Llazi Çuka, i cili u mor vullnetarisht me organizimin e të gjithë aktivitetit, duke ndjekur edhe hollësitë më të vogla, duke shkruar tekstin e programit artistik dhe duke ndjekur me këmbëngulje të heshtur gjetjen e fondeve të kufizuara të nevojshme. Po kështu, një kontribut të rëndësishëm dhanë anëtarë të shoqatës “Myzeqeja”, të cilët janë dalluar për mbledhjen e të dhënave historike e kulturore për zonën e tyre, si dhe zyra “Shërbimi i Dashurisë”, pranë Kryepiskopatës, që dha një shumë të hollash.

Veprimtaria u zhvillua në mjediset e shkollës se mesme artistike “Jakov Xoxa”, të Fierit dhe në të morën pjesë Imzot Ignati dhe klerikë të tjerë të dioqezës, të rinj e besimtarë të dioqezës dhe përfaqësues të Bashkisë. Gjithashtu, po aty ishte hapur edhe një ekspozitë me punime me temë fetare nga të rinj orthodhoksë dhe mjeshtri i gdhendjes në dru Ziso Musho, si dhe u shpërnda broshura “2000 vjet krishterim-Mitropolia e Beratit”.

Aktiviteti nisi me një falenderim për gjithë ata që kontribuan në realizimin me sukses të këtij aktiviteti, me një mesazh drejtuar Kryepiskopit Anastas nga të rinjtë orthodhoksë dhe një këngë kushtuar Forthimturisë së Tij nga grupi i vajzave të Libofshës, të cilat krijuan një mjedis mjaft të ngrohtë dhe tërhoqën duartrokitje të shumta.

Më pas u vazhdua me referatin e Dr. Lami Koçit “Dëshmi të gurta të Krishterimit të hershëm në Myzeqe dhe Mallakastër”, i cili foli për dëshmitë e krishterimit në këtë trevë, gjurmë materale të të cilit gjejmë që nga shekulli i IV-V, ku veçohen 5 bazilikat e famshme të Bylisit, episkopi i të cilit mori pjesë edhe në Sinodin e Efesit, për të vazhduar më pas me Ballshin dhe bazilikën e tij, ku në shk IX u pagëzua mbreti i bullgarëve etj. Në referat iu vu theksi sidomos faktit se, në Myzeqe dëshmohet se besimi i krishterë nuk ka pësuar asnjëherë ndërprerje dhe se besimtarët orthodhoksë kanë ditur ta ruajnë besimin e tyre pavarësisht nga shqotat e kohërave.

Pastaj, historiani Dionis Papa mbajti referatin “Berati – streha e vlerave më të larta të artit e kulturës”. Në të theksohej fakti, se në 2400 vjetët e historisë së tij, përveçse një qendër tepër e fuqishme ekonomike e administrative, Berati u kthye edhe në një qytet tepër të rëndësishëm për traditën e krishterë orthodhokse në Shqipëri. Edhe sot ai ruan vlera të jashtëzakonshme shpirtërore e artistike, me rezonancë kulturore mbarëkombëtare. Që nga shek. V, ai ishte qendër episkopale, kohë të cilës i përket edhe ngritja e një manastri të rëndësishëm në kala. Në referat u veçua sidomos rëndësia e jashtëzakonshme e kodikëve të qytetit, si ai i shek VI, “Kodiku i purpurt”, që përmban pjesë nga Ungjijtë ose siç e quante populli i “Shën Gjergjit”, sepse përdorej në të kremten e këtij shenjtori. Tjetër dëshmi e mrekullueshme është dhe “Kodiku i artë”, ose “Kodiku i Pashkës së Madhe” etj. Sipas të dhënave, tradita e mbledhjes, shkrimit e kopjimit të dorëshkrimeve fetare vazhdoi në Berat deri në mesin e shekullit të kaluar. Gjithashtu, ai foli gjerë edhe për traditat e arteve të aplikuara me temë fetare, ikonografisë, arkitekturës kishtare orthodhokse etj.

Pastaj u vazhdua me dy referate, për dy vepra letrare të botuara me bekimin e financimin e Kryepiskopit Anastas. Së pari, poeti nga Libofsha Aleksandër Bardhi foli rreth vlerave të librit të shkrimtarit Naum Kule “Rrëfimet e Ardenicës”, duke vënë në dukje rëndësinë e kësaj vepre kushtuar monumentit më shprehës të Krishterimit Orthodhoks në Myzeqe. Ndërsa shkrimtari Petraq Kote, përgjegjës i sektorit të kulturës në Bashkinë e Fierit, foli për vlerat e librit biografik “Episkop Irine Banushi”, të z. Kristofer Beduli, duke vënë në pah veçanërisht edhe aktualitetin e figurës dhe veprës së këtij hierarku të shquar të Kishës sonë, i cili kaloi nëpër kalvarin e përsekutimeve.

Mbas disa interpretimeve nga letërsia me temë fetare, nga të rinjtë Jonida Prifti, Libofshë, Irini Stoja, Fier, Romilda Gremi Agim e Arkip Koçi, Lushnje, e mori fjalën Hirësia e Tij Ignati, i cili tha ndër të tjera:

“Kam kënaqësi të veçantë i të shquar. Së pari, më lejoni t’ju shpreh bekimin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit tonë të respektuar, Imzot Anastasit, i cili në pamundësi për të qenë mes jush, më autorizon t’ju uroj suksese dhe mbarësi në çdo veprimtari që bëni, me Hirin e Perëndisë për forcimin gjithmonë e më shumë të Krishtërimit.

….I nderuari doktor Lami Koçi kumtoi me vërtetësi dëshmitë e gurta të Krishterimit të hershëm në Myzeqe dhe Mallakastër… na solli burimin e pashtershëm të këtyre trevave, që patën rastin fatlum të përqafimit qysh në fillim të fesë së re Orthodhokse.

….Bukur si në një pikturë madhështore, u paraqitën vlerat e çmuara të kodikëve historikë të Beratit nga Zoti Dionis Papa, historian i njohur i këtij qyteti të lashtë.

Me interes të madh dëgjuam referimin për librin “Rrëfimet e Ardenicës”, të shkrimtarit Naum Kule, i cili me mjeshtëri të rrallë na përshkruan këtë vatër të ngrohtë dhe fener ndriçues në historinë shumëshekullore të Orthodhoksisë në Shqipëri.

Kjo traditë e vyer vazhdon me veprën e paharruar të Episkopit Irine Banushi, që shërbeu me përkushtim dhe devotshmëri të lartë në kohë shumë të vështira, duke u bërë Martir i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, jetën e veprimtarinë e shumanshme të të cilit na e jep me shumë dashuri Kristofor Beduli, librin e të cilit e cikloi në këtë takim, poeti Petraq Kote.

Të gjithë këta autorë të përmendur që na propozuan këto vlera të qenësishme, të cilat vënë në dukje guximin, besën, mbrojtjen e sakrificën më sublime, ngrejnë lart dhe figurën e tyre morale, qytetare e fetare.

U entuziazmuam me interpretimin tërheqës të të rinjve nga qytetet e ndryshme të Dioqezës sonë, që tregon se po ndjekin me besim rrugën e të parëve tanë dhe u urojmë nga zemra, që ta përhapin këtë përvojë me guxim nga dita në ditë edhe tek të afërmit dhe të gjithë të tjerët kudo qofshin.

Të dashur besimtarë më Krishtin! Në veprimtarinë e Kishës duhet të jepet dëshmi për mijëvjeçarin e ardhshëm. I gjithë populli i Perëndisë ka pjesën e vet të misionit dhe të përgjegjësisë. Klerikë e laikë, burra dhe gra, të moshuar dhe të rinj, e cilido nga ne sipas dhuratës që ka marrë nga Zoti, duhet me jetën dhe me veprën e tij të përbëjë një ikonë të gjallë dhe një dëshmi të mesazhit të Ungjillit të Shenjtë.”

Pastaj të pranishmit vizituan një ekspozitë mjaft të bukur, të organizuar po në sallën e veprimtarisë. Tërhoqën vëmendjen gdhendjet në dru me tematikë fetare të mjeshtrit Ziso Musha dhe të dy djemve të tij, që vazhdojnë kështu një traditë familjare të vjetër, që është rinovuar pas lirisë së besimit. Ky mjeshtër ka bërë gdhendjen e ikonostaseve, fronava episkopale etj në disa kisha dhe së shpejti, synon të hapë në Tiranë një ekspozitë vetjake. Gjithashtu, ishin ekspozuar edhe punimet në pikturë të disa të rinjve të shkollës së mesme artistike, Renata Gjika, Romeo Zaka e Kleanthi Stasa etj. Janë mjaft të rinjtë që studiojnë për pikturë, të cilët kanë zhvilluar edhe kurs për ikonografinë, që i ka frymëzuar për veprat e tyre premtuese.

Në fund, u dha një tablo letraro-muzikore, me tekst të Aleksandër Bardhit dhe drejtues artistik Jani Tase, interpretuar nga të rinj orthodhoksë të Mitropolisë së Beratit, që kanë konkuruar me sukses edhe në festivalet e Rinisë Orthodhokse.

Th. Dh.