EmailFacebookKontakt

“Përpiquni t’u përgjigjeni sa më mirë mundësive që ju jep Perëndia”

Në një pikë mbisunduese të fshatit Shën Vlash, pranë qytetit të Durrësit, ngrihet madhështor një kompleks bashkëkohor i Kishës sonë Orthodhokse Autoqefale, i ndërtuar i tëri në vitet e fundit: Manastiri dhe mjediset e Akademisë Teologjike Orthodhokse “Ngjallja e Krishtit”, të vendosura pranë njëra – tjetrës, që duken majë kodrës, jo vetëm si një kurorë e bukurisë arkitekturore, por edhe një kurorë e vlerave të mëdha shpirtërore dhe edukuese orthodhokse.

Çdo vit, në këtë institucion të rëndësishëm të edukimit orthodhoks çelet viti i ri akademik, me studentë nga të katër anët e Shqipërisë. Akademia Teologjike “Ngjallja e Krishtit” ka nxjerrë nga auditorët e saj dhjetëra klerikë të përgatitur, katekistë si dhe njerëz që tashmë janë ndihma dhe mbështetja e rëndësishme për Kishën Orthodhokse Shqiptare. Kushtet në këtë shkollë janë të mrekullueshme dhe çdo student është i qetë të mendojë për përparimin e tij arsimor dhe shpirtëror.

Tashmë, një brez i tërë të rinjsh, bartës të vlerave më të mira të besimit tonë të shenjtë, prezantojnë, siç u shpreh edhe vetë Fortlumturia e Tij, shpresë për shoqërinë shqiptare. Për këtë arsye edhe vëmendja e Kryepiskopit Anastas është përqendruar më tepër tek ata, duke u krijuar mundësi të mëdha për t’u pozicionuar me dinjitet në shoqërinë e sotme. Këto fonde, që janë përdorur për arsimimin e rinisë shqiptare mund të përdoreshin për ngritjen e kishave të tjera, por Kryepiskopi Anastas mendon se investimi më i rëndësishëm është vlerësimi dhe ndihma për edukimin e brezit të ri.

Si çdo vit, mësimi nisi me Shërbesën e Ajazmosë (Bekimin e vogël të ujit), që u krye nga vetë Fortlumturia e Tij, i cili u uroi studentëve mirëseardhjen. Interesimi i Tij është i veçantë sidomos për të sapoardhurit e viti të parë.

Në Shërbesë, ishin të pranishëm gjithashtu, Dekani i Akademisë, At Luka Veroni, At Efremi, Sekretari i Përgjithshëm i Sinodit At Joan Trebicka etj.

Menjëherë pas shërbesës, Kryepiskopi iu drejtua të gjithë studentëve. Ndër të tjera, Fortlumturia e Tij theksoi, se fjala e Perëndisë duhet të hyjë thellë në zemrat tona, sepse kjo fjalë është në të vërtetë shpresa dhe fuqia jonë.

Lind pyetja: Çfarë duhet të bëjnë konkretisht këta të rinj, që studiojnë në Akademinë Teologjike? Përpiquni t’u përgjigjeni sa më mirë mundësive që ju jep Perëndia, – theksoi Kryepiskopi, ofroni kujdes, entuziazëm dhe studim, në mënyrë që përfundimet tuaja të jenë sa më të mira. Duam që të gjithë ju të jeni në një nivel sa më të mirë mësimor dhe shpirtëror, sepse çdonjëri nga ju është i rëndësishëm për mbarëvajtjen e gjithë shkollës në përgjithësi të përpiqemi të mos kemi pika të dobta, sepse kështu shkatërrohen dhe vlerat e mira. Ashtu si rezistenca e një zinxhiri të mirë matet me rezistencën e hallkës më të vogël edhe niveli i shkollës sonë njihet nga niveli i studentit më të dobët të saj.

Kryepiskopi Anastas përfundoi, duke theksuar, se vetë Perëndia, i cili mundësoi rindërtimin e Kishës sonë, vazhdon të jetë gjithmonë fuqia jonë, shpresa jonë, Zoti dhe Perëndia ynë…

Kjo mundëson, që çdo vit auditorët e Akademisë Teologjike në Shën Vlash, të mbushen me zërat e studentëve, me hapat e tyre, me shpresë jo vetëm për të ardhmen, por sidomos për të tashmen.

Naum Mile