(Vijon nga numri i kaluar)
Pavarësisht nga ndryshimet që krijohen për shkak të natyrës familjare, ç’ndryshime të tjera kemi? Dhe, a janë vërtetë kaq të mëdha?
Shpeshherë janë gjëra të vogla, të parëndësishme në fillim, por për fat të keq, përfundojnë në grindje të mëdha që shkaktojnë tërmete të fuqishme në zemrat e fëmijëve. Për shembull, nëna thotë: “Vish triko se ftohesh!” dhe babai përgjigjet: “Lëre fëmijën të lirshëm. Do plasë po e veshe”. Nëna thotë: “Lëri fjalët e gjellën!” babai ndërhyn: “Lëre fëmijën të flasë, le të hajë vetë…”. Këto janë gjëra të vogla, të parëndësishme, por shkaktojnë nervozizëm tek prindërit, lejojnë fëmijës të shfrytëzojë interesin e tij dhe të injorojë këshillat e saj. Dhe sa më shumë ndërhyrjet bëhen më të mëdha: “Mbyll gojën dhe shko të flesh”, “Lëre fëmijën të çlodhet e ta lerë gjellën” etj…
Skenat nga jeta e përditshme tregojnë se me çfarë vështirësie i përballojmë problemet e edukimit, që shpesh janë shkak i grindjeve të prindërve përpara fëmijëve.
Nëse atmosfera prishet, do ta dimë mirë, se suksesi i fëmijëve sigurohet në atmosferën e qetë dhe të gëzueshme, që prindërit kanë detyrë ta krijojnë të tillë në shtëpi. Të gjitha vështirësitë që vijnë nga problemet e familjes, ose nga ndryshimi i tyre në kulturë, por edhe nga lodhja, nervozizmi, problemet e vazhdueshme ekonomike etj.
Fëmijët, sidomos të vegjlit, nuk mund të kuptojnë nëse arsyet janë serioze apo të parëndësishme, por kuptojnë një gjë, që prindërit grinden e këtë nuk mund ta pranojnë kurrësesi. Zemrat e tyre tronditen, tremben në gjumë, hutohen në shkollë, hanë thonjtë, urinojnë natën dhe ndihen fatkeqë.
Kuptojmë nga vizatimet e lodrat e tyre, se sa thellë shqetësohen ata për marrëdhëniet e prindërve. Në kopsht fëmijët vizatojnë në një anë nënën me fëmijët e në anën tjetër babanë, ose në një qoshe nënën e në qoshen tjetër babanë, me një ndarje të madhe midis tyre. Një fëmijë në një familje të qetë i vizaton prindërit midis luleve. Këtu nuk përmendim fëmijët që jetojnë me prindër të divorcuar, por vetëm ata që jetojnë në një atmosferë të nderë në familje.
Profesor Brazeson në librin “Familjet në krizë”, shkruan: “Ju këshilloj të zgjidhni llogaritë me letra të hapura, larg pranisë së fëmijëve”.
Mosmarrëveshjet e grindjet e prindërve përpara fëmijëve nuk janë vetëm probleme të vogla, që prindërit duhet t’i bisedojnë veç. Këto mosmarrëveshje, të logjikshme, duhet të mos bëhen të kapshme nga fëmijët.
“Nëse prindërit do ta dinin atë që realisht përjeton fëmija i tyre, kurrë nuk do ziheshin përpara tij, kurrë nuk do silleshin në mënyrë të ashpër e aq më tepër nuk do arrinin në divorc”, – thekson një psikologe pas një studimi që ka bërë me fëmijët e ardhur nga familje të tilla të tronditura.
Pra, nuk ka zgjidhje? Sigurisht që ka, ndaj dhe e bisedojmë.
Siç e theksuam edhe në fillim, nuk ka mundësi që të mos ketë pikëpamje të ndryshme, sepse natyrat e burrave dhe të grave janë kaq të ndryshme, por këto ndryshime ta vogla të mos luajnë rol në edukimin e fëmijëve. Ajo që luan një rol të rëndësishëm është atmosfera e nderë dhe kësaj duhet t’i shmangemi. Le të bisedojmë veçmas dhe kurrë përpara fëmijës, se ai këto grindje do t’i përdorë për interesat e tij dhe kjo e dëmton.
Nëse fëmija është i rritur, prindërit të bisedojnë bashkë me të, duke i thënë: “Na shqetëson përparimi yt në shkollë, ose shëndeti yt, ose dëshira jote për muzikë etj. Ta dish se vendimi ynë e ka bazën tek dashuria jonë për ty”. Një fëmijë që rritet me ndjnjën se prindërit interesohen për të ndjen siguri. Çdo fëmijë duhet të dijë se e duam, por njëkohësisht, si prindër, mund t’i themi dhe “jo” ndonjëherë.
Psiqiatrja Louise Despert na thotë: “Nëse do mund t’u jepja prindërve një recetë do t’u thosha: “Jepuni fëmijëve tuaj një dashuri pa kufi dhe shijoni bashkë me ta një harmoni të vërtetë.” dhe vazhdon “Përveç një ushqimi të mirë dhe një shtëpie të rregulluar fëmija ka pak nevoja të tjera materiale, kurse nevojat e tij shpirtërore janë të thjeshta, por të domosdoshme. Nëse këto nëvoja nuk i kënaqin asgjë nuk mund t’i zëvendësojë, nëse i ka asgjë tjetër nuk i mungon”.
Së fundi, nëse në një çast fëmija kupton diçka le të pranojmë me thjeshtësi, se edhe ne kemi probleme, bisedojmë, ndojëherë edhe nevrikosemi, por pas pak pajtohemi se nëna dhe babai duhen. Kryesisht le t’i sigurojmë se i duam shumë dhe kjo do të jetë dhurata më e madhe që do t’u japim.