Zyra “Shërbimi i Dashurisë” (Diaconia Agapes), zyrë sociale dhe zhvillimi e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, në bashkëpunim me organizatën “Besa – Miqtë e Shqipërisë”, realizuan një projekt për kafshët e punës, me emrin “Gomar”. Për herë të parë ai u konkretizua në zonën e Elbasanit.
Më 10 tetor, në Komunën e Gjinarit, ku prej vitesh janë zhvilluar disa projekte sociale nga Kisha jonë, u bë trajtimi mjekësor i kafshëve njëthundrake të ngarkesës (gomerë, mushka, kuaj). Kjo ndihmë përfshiu vaksinimin kundër parazitëve, mjekimin e plagëve që vijnë nga samari, kujdesin për sëmundje të ndryshme, si dhe asistencë për fermerët dhe veterinerët e zonës. Gjithësej, u trajtuan rreth 250 kafshë pune.
Përpara kësaj veprimtarie, stafi i zyrës rajonale kishte bërë një punë të gjerë përgatitore, me postera e lajmërime, duke i bërë të interesuar banorët për të marrë pjesë. Gjithashtu kontribut dhanë edhe punonjësit e zyrës qendrore, si dhe bashkëpunuan tre veterinerë të zonës së Gjinarit.
Duhet veçuar, se tërë ndihma ishte plotësisht falas dhe me gjithë kushtet e vështira atmosferike të asaj dite, pjesëmarrja e banorëve, që kishin sjellë edhe kafshët e tyre, ishte mjaft e madhe. Ky sukses është premtues edhe për bashkëpunime e projekte të mëtejshme me këtë organizatë.
Në projekt punuan edhe tre specialistë të ardhur nga Britania e Madhe: z. Neil Rudman, specialist i përgjithshëm për kafshët njëthundrake; z. Ian Dacre, specialist për problemet e dhëmbëve dhe gojës së kafshëve dhe z. Edmund Hainich, specialist për kuajt dhe gomerët. Ata punuan me pasion për orë të tëra, duke realizuar mjekime të vështira, si dhe një operacion. Kontribut të veçantë dha edhe znj. Primrose Peacock, koordinatore e projektit.
Suksesi i veprimtarisë kishte dhe vlerë promocionale për mundësitë e zyrës “Shërbimi i dashurisë” për realizimin e projekteve të tilla.