EmailFacebookKontakt

Krisa, martire e re (13 tetor)

Jetëshkrimin e saj e bëri Shën Nikodhimi (14 korrik), në bazë të informacioneve të atit të saj shpirtëror, që ishte hieromonak në Malin e Shenjtë. Ajo u lind në qytetin e Pellas, në veriperëndim të Selanikut, prej prindërve të varfër bullgarë. E re në moshë, e virtytshme dhe e bukur, u rrëmbye nga një turk i dashuruar me ndihmën e shokëve të tij, ndërsa ajo po mblidhte dru jashtë qytetit, së bashku me shoqet e saj të krishtera. Kur lajkat dhe premtimet e tij nuk zunë vend, për ta bindur të ndërronte besimin, me qëllim që të martohej me të, filluan kërcënimet.

Ndërkaq, Zlatoja (= Krisa – e artë), edhe pse u gjend e papërgatitur për një tundim të tillë, u tregua “një diamant i fortë”: “Krishtin tim… njoh për Dhëndërr… edhe sikur trupin tim në copa të vogla të ma prisni!”. Ua dorëzuan për gjysmë viti disa grave jo të krishtera, se mos ndofta i kthenin mendjen me dinakëritë dhe magjitë e tyre, por më kot. Atëherë ata detyruan prindërit dhe tri motrat e saj dhe e nxitën duke derdhur lumenj lotësh që të islamizohej, qoftë edhe në dukje, sa për të shpëtuar edhe ata edhe ajo, dhe Shpëtimtari i plotmëshirshëm do tua falte këtë mëkat për shkak të dhunës. Por ajo i rezistoi kësaj dileme të tmerrshme psikologjike, madje i dëboi duke deklaruar se që tani e tutje për baba do të kishte Zotin, për nënë Perëndilindësen dhe për vëllezër shenjtorët – pra, kishte ardhur ndarja sipas vullnetit të Perëndisë (Matth. 10:35).

Ndaj, e torturuan “si florinjtë në furrën e shkrirjes” (Sof. Sol. 3:6). Për tre muaj e godisnin përditë me shkopinj dhe më pas ia rropën përgjysmë lëkurën, duke ia lënë të varej ripa-ripa, ndërsa gjaku i rridhte rrëke. Pastaj skuqën në zjarr një hell dhe ia kaluan vesh më vesh dhe tymra i dilnin nga goja dhe nga hunda…

Trimëria femërore, që ia kaloi çdo trimërie burri, i turpëroi, por edhe i zemëroi xhelatët, të cilët, megjithatë, habiteshin se si ishte ende gjallë. Pasi e varën virgjëreshën në një dardhë të egër, u sulën turrmë me thika në duar dhe e bënë copë-copë (13.10.1795). Kështu, u bë realitet çka u kishte premtuar me fjalë martirja e madhe heroike. Lipsanin e shenjtë e varrosën me nderime të krishterët.