EmailFacebookKontakt

Gjeta strehë dhe ngrohtësi në zemrat e të krishterëve

– Para dy vjetësh ju u fronëzuat Mitropolit i Beratit. Çfarë kujtoni nga ajo ditë dhe ç’ndryshoi në jetën tuaj?

– Ishte një ditë përcaktuese dhe e veçantë, e cila e ndërgjegjësoi përgjegjësinë time si Kryebari i kësaj Mitropolie të Shenjtë. Pas një vepre misionare prej rreth tridhjetë vjetësh, filloja përsëri nga a-ja, per me një horizont dhe hapësirë të re.

Në radhë të parë, kujtoj vlerësimin dhe nderimin e madh që më bëri Perëndia dhe më vendosi në këtë vend historik për të rrezatuar dritën e fjalëve dhe të veprave në Katedrën ndriçuese. Dora e djathtë e Zotit më pasuroi shpirtërisht; më dha forca të reja dhe energji të shumta, më bëri më të thjeshtë, më të përulur dhe më të komunikueshëm për të kryer me devotshmëri, me bindje Perëndie detyrën e lartë që më është ngarkuar.

– Si e gjetët Kishën Orthodhokse në Shqipëri dhe si ju duket perspektiva e besimit Orthodhoks në këto treva, ku ai jeton prej dy mijë vjetësh?

– Këtë Kishë të Shenjtë dhe Apostolike, e gjeta shumë më mirë nga sa prisja dhe nga sa kisha dëgjuar për shkatërrimin që e kishte përfshirë për vite me radhë. Shkëndija e Besimit Orthodhoks dhe zelli i fuqishëm, që ishin të fshehur në zemrat e shpresëtarëve, u bë zjarr dhe u përhap në masën e gjerë të njerëzve.

Shpresojmë, që me ndihmën e Perëndisë dhe vullnetin e Klerit dhe të popullit besimtar, të kemi përparim në misionin tonë të shenjtë.

– A patët vështirësi për t’u intergruar në një ambient të panjohur më parë dhe sa ju ndihmuan besimtarët e Beratit dhe gjithë dioqezës për këtë?

– Ky vend për mua nuk ishte i panjohur, sepse të krishterët, kudo që ndodhen, janë të njëjtë, kanë të përbashkët dashurinë, vëllazërinë, bashkimin, sigurinë. Lavdi Zotit, vështirësitë e ndryshimit mjedisor u kapërcyen, sepse gjeta strehë dhe ngrohtësi në zemrat e të krishterëve, që në ditën e parë të ardhjes sime.

– Si jeni njohur me Kryepiskopin Anastas dhe cilat janë marrëdhëniet tuaja me anëtarët e tjerë të Sinodit?

– Ftesa nga Perëndia, pë të shërbyer në Kishën e përvuajtur, u realizuan në sajë të lidhjes dhe bashkëpunimit me Fortlumturinë e Tij, Kryepiskopin tonë Anastas, i cili është shumë i dëgjuar në mbarë botën për aftësitë e Tij të rralla.

Edhe marrëdhëniet me anëtarët e tjerë të Sinodit të Shenjtë janë përherë vëllazërore, shpirtërore, të mbështetura në një bashkëpunim harmonik dhe të sinqertë.

– Ju ishit shumë pranë me Imzot Kozmain, i cili ndërroi jetë para disa ditësh, pasi ai e kishte rrezidencën e tij në territorin e dioqezës tuaj dhe kontaktet qenë të shpeshta…

– Hirësinë Kozma e kam njohur nga afër gjatë gjithë kësaj kohe, duke e çmuar si një thesar në mes të klerikëve të Kishës sonë. Pranë tij ndieja thjeshtësinë Apostolike, Hirin e shenjtërimit, pjekurinë dhe maturinë. Ky njeri i Perëndisë fliste me heshtjen e tij dhe me jetën e tij të karakterizuar nga guximi dhe sakrifica.

– Për lexuesit do ishte me mjaft interes të dinin diçka nga biografia juaj. Nga vini, si u futët në rrugën e besimit, ku e ka bazën shqipja juaj aq e ngrohtë dhe karakteristike?

– Ndonëse është e vështirë të flasësh për veten, unë do të mundohem që t’ju tregoj diçka nga jeta ime.

U linda më 8 nëntor 1934 në fshatin Prodhromos, të rrethit të Thirës të Greqisë. Nga të parët dhe prindërit e mi kam mësuar fjalët e gjera dhe të thjeshta të Perëndisë. Këto i plotësova edhe më mirë në kishë dhe në shkollën fillore.

Kam kryer seminarin kishtar 7-vjeçar në Korinth dhe në Patmos dhe më pas shkollën teologjike në Universitetin e Athinës. Në atë kohë mbarova edhe shkollën e muzikës Bizantine, në Pire. Mbas mbarimit të Universitetit punova si mësues katekizmi, predikues edhe profesor në shkollën e mesme.

Misionin si klerik e fillova në vitin 1967. U dorëzova murg më 21 shtator 1967, në Manastirin historik të Shën Llukait, në Levadhja. Më 24 shtator të po atij viti u hirotonisa dhjakon në Kathedralen e Hyrjes së Shën Marisë në Livadhja. Më 15 tetor të po atij viti u hirotonisa prift në Katedralen Fjetja e Shën Marisë në Thivë, ku punova për pesë vjet rresht si famulltar dhe zëvendës i Mitropolitit.

Njëkohësisht, duke filluar nga janari i vitit 1968, kryeja edhe detyrën e igumenit në Manastirin e Shën Llukait. Prej këndej vazhdova në këtë detyrë për 22 vjet në Manastirin e Shën Serafimit, në këtë Dioqezë. Më 14 shtator 1968 u emërova At Shpirtëror i Enorive dhe i manastireve. Vazhdimisht kam kryer edhe detyrën e predikuesit.

Më 27 korrik 1996 u hirotonisa episkop në Patriarkanën e Shenjtë Ekumenike.

Gjatë kësaj periudhe, vazhdova kryerjen e detyrave të mëparshme në dioqezën e Livadhjasë dhe punova me përkushtim për restaurimin e Manastirit të Shën Serafimit, që është fener ndriçues, liman qetësues dhe vatër ngrohëse për shpirtrat e të gjithë të krishterëve, kudo qofshin ata.

Këto punëra shërbyen më së miri për ngritjen time shpirtërore dhe për përgatitjen më të plotë për të përballuar denjësisht misionin e ri dhe shumë të nderuar.

Jam autor i disa librave kishtarë, si: “Përulësia sipas Shkrimit të Shenjtë dhe Etërve të shenjtë”, “Amfillohi Makris, Jerondi i Patmos”, biografi e cila u vlerësua veçanërisht nga akademia e Athinës.

Gjuhën e bukur shqipe e kam mësuar nga nëna ime.

– Jashtë detyrave të Mitropolitit cilat janë interesat tuaja në kohë, që do to quonim “të lirë”?

– Për të qenë i sinqertë, mendoj se Mitropoliti nuk ka kohë “të lirë”. Megjithatë, kohën “e lirë” unë e kaloj duke studiuar letërsinë kishtare dhe veçanërisht duke u përgatitur për predikime të natyrshme, duke përshtatur në gjuhën shqipe muzikën bizantine dhe melodinë kishtare, duke pritur vizitat e të varfërve dhe të sëmurëve për të zgjidhur sa më shpejt problemet dhe kërkesat e tyre, duke vizituar grupet e katekizmit, kampingjet e rinisë orthodhokse, duke drejtuar korin kishtar, për të pajisur libraninë kishtare me libra nga jeta e shenjtorëve dhe nga tema të ndryshme fetare etj.

– Mund të no thoni diçka për synimet e punës suaj në të ardhmen, sidomos në kuadrin e vitit jubilar?

– Synim yni është ngritja në një shkallë më të lartë e veprës së katekizmit, predikimi i fjalës së Perëndisë tek besimtarët. Do të krijojmë kursin e mësimit të muzikës kishtare, e cila do të luajë një rol të rëndësishëm gjatë shërbesave të shenjta si dhe për tërheqjen e njerëzve në shtëpinë e Zotit.

Mitropolia jonë do t’i ndihmojë anëtarët e Kishës Orthodhokse që të njohin vetveten, të ruajnë traditat e lashta dhe të mira të kësaj zone dhe dioqeze, e cila do t’u ofrojë së shpejti një botim rreth historisë së krishterimit në këtë trevë.

Së shpejti, do të fillojë ndërtimi i Kishës Katedrale të Shën Dhimitrit dhe në fazën e dytë do të vazhdojmë restaurimin e disa kishave të tjera.

Si epilog të kësaj interviste, dua të them se të gjitha këto vepra që do të realizojë Mitropolia jonë, janë vepra të Perëndisë që zbatohet me anën e Hirit të Shpirtit të Shenjtë. Lavdi Zotit!