Këto paudhësi menduan brenda tyre të pabesët, per ata gabojnë. I verboi e liga e tyre.
Nuk njohën planet e Perëndisë. Nuk kuptuan se të drejtët do të nderohen për përkryerjen e tyre dhe nuk besuan në shpërblimin e të drejtëve.
Perëndia e krijoi njeriun për jetën e paprishur e bëri atë sipas ikonës së Tij, ikonës së Perëndisë shekullore.
Por prej smirës së djallit vdekja hyri në botë dhe ata që i përkasin të ligut do të shijojnë vdekjen.
Por shpresëtarët i ruan Zoti dhe askush s’do ti dëmtojë.
Në sytë e tyre, të pabesët tregojnë se do të vdesin dhe vdekja e tyre, është dënimi i tyre.
Largimin nga kjo jetë ata e quajnë shkatërrim, ndërsa shpresëtarët rrojnë me paqen e Perëndisë.
Në sytë e botës të drejtët duken sikur janë të ndëshkuar, por besimi i tyre i lehtëson, sepse kanë shpresën e patundur që do të jetojnë në pafundësi.
Dhe nëse vuajtën pakëz, shumë të mira do të kenë, sepse Perëndia i vuri në provë dhe i gjeti të denjë për veten e tij.
I sprovoi si ari në furrë dhe i pranoi me dëshirë të mirë, si flijim i bërë në zjarr për Zotin.
Në kohën e caktuar, kur Perëndia do të japë shpërblimin e tij, shkëlqimi i shpresëtarëve do të jetë i madh. Do bëhet shkëndijë e cila do të djegë kallamishtet.
Do t’i gjykojnë kombet dhe do t’i sundojnë popujt dhe Zoti do të jetë Mbreti i tyre i përjetshëm.
Ata që shpresojnë në të do të kuptojnë të vërtetën, ndërsa besnikët e tij do ta presin me dashuri, sepse hir dhe dashuri do t’u japi të zgjedhurve të tij.
Por të pabesët do të ndëshkohen në masën e paudhësive të tyre, sepse përbuzën drejtësinë dhe u larguan prej Zotit. Të mjerë janë ata që përbuzin Urtësinë dhe mësimet e tij, shpresa e tyre është e kotë, mundi i tyre i pafrut dhe veprat e tyre janë të padenja.
Gratë e tyre janë të mai ra, fëmijët e tyre të mbrapshtë dhe pasardhësit e tyre të mallkuar.