EmailFacebookKontakt

Në Simonopetra

Në ditët e para të muajit shtator pata bekimin e madh të ndodhesha mes vëllezërve murgj të manastirit Simonopetra. Edhe pse mund të jetë e disata herë që shkon për të parë dhe për t’u lutur në Malin e Shenjtë, emocionet dhe kurioziteti janë të njëllojta, si ato të vizitës së parë.

Trageti ndalon e ankorohet në molin e Dhafnit, që është porta e Malit të Shenjtë. Por nuk mund të nisemi pa u përshëndetur me At Mitrofanin, i cili ka qenë pedagog në Seminarin Teologjik të Durrësit. Çmallemi dhe kujtojmë ato ditë të vështira, por të bukura, të fillimit të shkollës. Ndahemi për të vazhduar udhëtimin për në Simonopetra.

Krejt pa kuptuar, të del përpara pamja madhështore e këtij manastiri, i ngritur mbi një gur shumë të madh. Ai ka shekuj që qëndron aty, që pret e përcjell mysafirë dhe që lutet pa pushuar natë e ditë për të gjithë botën. Ai ka nëntë kate, dy nga të cilat shërbejnë edhe si themel. E veçanta e këtij ndërtimi, të shpjegon një nga vëllezërit e këtij manastiri, është se në ndërtesë nuk është përdorur hekur dhe beton, por vetëm gurë dhe masa e përdorur si llaç, sipas analizave të bëra, nuk e ka arritur akoma pjekjen e tij, pra sa vjen e bëhet më e fortë.

Sa të shkel këmba në këtë manastir ndjehesh menjëherë i rrethuar nga dashuria dhe respekti që tregojnë vëllezërit e tij për ata që vijnë, për t’u lutur aty. Pasi sistemohemi në dhomat ku do të qëndrojmë dhe pas një pushimi të vogël integrohemi dhe ne në jetën e manastirit. Njëra pas tjetrës vijnë lutja në mbrëmësore, trapeza e përbashkët me monakët, pasdarka dhe falja përpara lipsaneve të shenjta…

Pasi dalim nga kisha na rrethojnë vëllezërit e manastirit, me të cilët të duket se njihesh prej kohësh, të cilët na pyesin dhe interesohen për mbarëvajtjen e punëve në kishën tonë. “Ne ju njohim dhe lutemi për ju, – na thonë ata, – pasi për ju na kanë folur At Theologu dhe At Tihoni”. Që të dy këta etër të nderuar kanë qenë pedagogë në Seminarin Teologjik të Durrësit. Ata na pyesin për të gjithë ish studentët e Seminarit Teologjik, interesohen për problemet dhe hallet tona dhe të shokëve tanë dhe na japin kurajo, duke na thënë se me lutjet drejtuar Perëndisë çdo gjë do të shkojë mirë dhe na kujtojnë fjalët që thotë gjithmonë kryepiskopi Anastas, se “Perëndia nuk do të na braktisë”.

Grupit tonë i afrohet një tjetër monah dhe sa merr vesh që ne jemi nga Shqipëria, menjëherë pyet se mos ndonjë nga ne është nga qyteti i Fierit. I themi që jemi nga Vlora dhe e pyesim, se si kishte arritur emri i këtij qyteti deri te ai. Murgu filloi të na fliste për një prift nga qyteti i Fierit, i quajtur At Ilia Gjeçi. “At Ilia, – na tha ai,- ka ikur nga Fieri rreth viteve 1930 dhe ka ardhur në këtë manastir, për të ushtruar jetën monakale. Kur të gjithë e pyesnin se nga ishte, ai përgjgjej se jam nga Fieri i Shqipërisë”.

Ora 4 e mëngjesit, pas tingullit të tallandës, që lajmëron se duhet të nisemi për në kishë edhe ne bashkë me të tjerët shkuam që të mernim pjesë dhe për t’u lutur në Liturgjinë Hyjnore, që kryhet çdo ditë. Zërat melodiozë dhe të ëmbël të psaltëve të jepnin përshtypjen se ndodheshe në një vend ku engjëjt i thurrnin lavde dhe i këndonin dashurisë së Perëndisë. Ky manastir është nga më të mirët dhe dallon për nivelin e lartë të të psalurit.

Prifti që meshonte, herë pas here fliste një gjuhë tjetër dhe ne mësuam se ai qe francez dhe se kishte ardhur në manastir për t’u lutur, si edhe ne.

Papritur, na afrohet një vëlla i manastirit, shumë i ri në moshë, duke mbajtur një libër në dorë më thotë se unë duhej të lexoja Simbolin e Besimit. E ndieva veten ngushtë, pasi nuk di të lexoj rrjedhshëm në gjuhën greke dhe po mendohesha, se si do të dilja mbanë nga kjo situatë. Por, kur erdhi çasti, murgu hapi librin në faqen e duhur dhe menjëherë pashë se Simboli i Besimit ishte shkruar në gjuhën shqipe. U qetësova, lavdërova Perëndinë dhe lexova në gjuhën tonë. E njëjta gjë ndodhi edhe me lutjen “Ati ynë…”, të cilën e tha At Dhimitër Kushi. “Kjo, – na thanë etërit e manastirit,- ndodh shpesh te ne, shumë herë ne lexojmë dhe Ungjillin në gjuhën shqipe”.

Pas mbarimit të Liturgjisë, të gjithë vëllezërit e manastirit, pasi kanë marrë dhuratën dhe bekimin e shenjtë (naforën e shenjtë), si ato bletët punëtore shpërndahen për të kryer punët që ka manastiri, për të siguruar gjërat e nevojshme për veten e tyre dhe për të gjithë ata që shkojnë për t’u lutur aty.

Edhe ne përgatitemi për t’u larguar, duke marrë me vete dashurinë e këtyre njerëzve të shenjtë dhe të këtij vendi të shenjtë, që quhet Kopshti i Shën Marisë.