EmailFacebookKontakt

Kujdes i pakursyer për të ardhmen

Nga 15 shtatori ka nisur edhe viti i ri mësimor për përkujdesjet ditore për fëmijë, të ngritura nga Kisha jonë. Deri tani ato janë bërë nëntë: në Tiranë, Durrës, Kavajë, Lushnje, Gjirokastër, Sarandë, Elbasan, Korçë e Pogradec. Së shpejti, këtij sistemi parashkollor, të ngritur me interesimin e kujdesin e veçantë të Fortlumturisë së Tij Anastasit, do t’i shtohen edhe disa kopshte të tjera, si në Vlorë, Fier etj. Gjithsej, për këtë vit, në to do të ofrohet përkujdesje për mbi 800 vogëlushë.

Kopshtet tona synojnë t’u ofrojnë fëmijëve një edukim të shëndoshë, të ngritur mbi bazën e programeve cilësore, të miratuara nga Ministria e Arsimit. Në to, veç pjesëve të programit publik, është futur dhe përvoja ndërkombëtare, me elemente nga programe që përdoren sot në vendet më të përparuara. Kopshtet veprojnë në bashkëpunim të ngushtë me drejtoritë arsimore të rretheve, që shprehet me shkëmbime përvoje me kopshtet publike etj.

Përgjithësisht, kopshtet funksionojnë në mjedise të blera nga Kisha jonë dhe të ristrukturuara sipas kërkesave për një edukim bashkëkohor. Vetëm kopshtet e Durrësit dhe ai që do hapet në Vlorë ndodhen në godina të marra me qera.

Personeli mësimdhënës i kopshteve, i zgjedhur kryesisht me arsim të lartë, ka kaluar nëpër kualifikime të herëpashershme. Zyra e kopshteve pranë Kryepiskopatës ka organizuar mjaft seminare për këtë qëllim, ku janë bërë përpjekje të sillen të rejat më të fundit të pedagogjisë botërore. I tillë qe p.sh. ai i fundit, zhvilluar në mjediset e Manastirit të Shën Joan Vladimirit, nga 27 qershor- 3 korrik, ku ishin të ftuara dhe pedagoge të njohura nga Zvicra e Greqia.

Gjatë muajve të pushimeve verore u bë edhe plotësimi me mjete didaktike i bazës materiale të kopshteve e kështu ato e kanë nisur vitin e ri me të gjitha mjetet e nevojshme. Gjithashtu, çdo kopsht ka një mjek, që kujdeset për vogëlushët.