Lëvizja për hapjen e Kishës kishte filluar në mbarë Shqipërinë, por mbase e para hapje e organizuar e një kishe ndodhi në Boboshticë.
Në vitet e monizmit kisha e Shën Marisë në fshtin tonë ishte kthyer në stallë dhish dhe ndodhej në gjendje shumë të keqe. Me tonelata pleh nxorën besimtarët që punuan aty, si Jovan Joco, Vasilika Napoloni, Koço Xhoxhi, Thomaq Greço, Fredi Niço, Thoma Tasho.
Rënia e kambanës, e rivënë në vendin e saj, bëri që natën e datës 14 gusht 1990, të grumbulloheshin të rinj e të reja dhe e gdhimë atë natë me këngë e valle. Sekretarët e partisë dhe njerëzit e sigurimit s’lanë gur pa luajtur; lajmëronin me telefon degën e komitetin e partisë, të cilët më datën 15 erdhën për të prishur ikonat e kandilet e vëna, po ata ikën të turpëruar. Nuk vlejtën as kërcënimet në zyrën e sekretarit të organizatës.
Pastaj shkuam në Korçë, në shtëpinë e motrave të njohura besimtare Dhimitra e Marika Cicos, ku regjistruam lekët e mbledhura. Që atë ditë kisha e Shën Marisë ngeli e hapur, duke pritur shumë besimtarë.
Përsëri me motrat Cico, Berta Xhokaxhi etj., filluam të të bashkëpunonin me shumë familje për hapjen e kishave. U lidhëm me të ndjerin Papa Kostën, që, megjithëse në moshë 84 vjeçare, u tregua i gatshëm.
Numri i besimtarëve shtohej. Puna nuk pushoi, deri sa u hapën të gjitha kishat dhe, me lirinë e besimit, erdhi edhe Kryepiskopi Anastas, i cili e bëri Kishën tonë me kisha të mëdha e shumë të bukura, shkolla dhe akademi, nga dolën dhjetëra priftërinj, si dhe me Sinodin e Shenjtë, duke i dhënë kishës një fizionomi të vërtetë.
Në këto dhjetë vjet lirie të besimit në Boboshticë janë bërë mjaft punë: është ndërtuar 90 për qind e kishës dhe 6 dhomave të manastirit, është punuar në kishën e Shën Nikollës, u riparua mulliri i manastirit etj. Është rindërtuar edhe kisha e Profit Ilisë të etj. Që më 1990 u morën edhe dy kisha muze, të cilat u pajisëm me ikonostasë të rinj. Gjithashtu, me ndihmën e besimtarëve u ngritën 4 parakliste mermeri.