Nga 12 – 16 tetor, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjthë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Anastasi, bëri disa vizita e përurime në Mitropolinë e Gjirokastrës, ku u gjend i rrethuar nga dashuria e besimtarëve të Gjirokastrës, Dropullit, Odries dhe Përmetit. Ishin ditë të bekuara dhe të pasura nga Hiri i Perëndisë, të mbushura me dhurata shpirtërore e materiale, që forcojnë besimin dhe rrezatojnë në të gjithë shoqërinë veprën e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Kryepiskopi Anastas vizitoi, së pari, shkollat e Bularatit e të Bodrishtës, ku ishte kujdesur për sigurimin e pajisjeve shkollore, për të mbuluar nevojat e ngutshme të tyre. Aty ai u njoh edhe me problemet e godinave shkollore dhe do interesohet për të gjetur mundësitë, që Kisha Orthodhokse të kontribuojë në atë drejtim. Në shkollën e mesme të Bularatit, fillojnë prej këtij viti mësimet, ndërsa për nxënëset funksionon tashmë edhe konvikti, që u ngrit me kujdesin e Kryepiskopit, i cili vizitoi edhe mjediset e tij.
Kryepiskopi Anastas bëri edhe bekimin, ajazmonë, e fillimit të vitit të ri mësimor, në mjediset e shkollës së mesme kishtare “Kryqi i Nderuar”, në Gjirokastër. Sikundër dihet, shkollat kanë qenë përparësi për Kishën Orthodhokse. Me udhëheqjen e ndriçuar dhe të frymëzuar të Kryepiskopit, është krijuar një zinxhir vatrash edukative, me konviktet, Shkollën e mesme, Akademinë Teologjike dhe së fundi me Institutin profesional. Gjithashtu, gëzimi i veçantë i ditës ishte dhe përurimi i mjediseve të reja të kopshtit orthodhoks të Gjirokastrës, i cili pret në kushte të shkëlqyera dhe me metoda bashkëkohore mësimi dhe edukimi, mbi 60 fëmijë.
Konvikti i shkollës kishtare sivjet ka pasur sërish një shtesë të re, duke mbuluar tashmë strehimin e mbi 80 të rinjve. Duke biseduar me nxënësit Kryepiskopi u dha porosi të veçanta shpirtërore, për të patur jetë të sukseshme. “Sikundër shqiponja, që për të fluturuar ka nevojë për dy krahë,- iu drejtua atyre Fortlumturia e Tij,- edhe për ju puna e përditshme e mësimit dhe lutja e pandërprerë dhe e thellë duhet të jenë krahët, që me siguri do ta lartësojnë fluturimin e jetës”.
Të dielën, Liturgjia Hyjnore u krye në kishën e rikonstruktuar “Fjetja e të Tërëshenjtës”, në Leusë, shumë afër qytetit të Përmetit. Kishte me të vërtetë një atmosferë të veçantë lutjeje dhe dhoksologjie të përbashkët të popullit dhe klerikëve. Me një falenderim nga zemra për Perëndinë Triadik, për dhuratën e ngjalljes së besimit orthodhoks në Shqipëri dhe për të veçantën e ditës, rikonstruksionin e kishës. Kryepiskopi vlerësoi punën e bërë dhe theksoi, se me fondet e harxhuara mund të ishte bërë ndofta një kishë e re, por se ruajtja e traditës, kulturës, vlerave shpirtërore është po kaq e rëndësishme. Pas Liturgjisë, Fortlumturia e Tij u takua me restauruesit, të cilët i shpjeguan nga afër të gjitha punimet e kryera.
Siç na thotë Prof. Dr. Pirro Thomo, i cili drejtoi grupin restaurator, Kisha e Leusës, sipas një mbishkrimi, është afreskuar në vitin 1812, por gjurmët që u gjetën gjatë punimeve, të themeleve dhe afreskeve të vjetër, e çojnë atë shumë më herët, ndoshta në shek. XV-XIV. Kisha e cila kishte pësuar çedim të strukturës dhe shkarje të truallit mbi të cilin ngrihej, para këtij restaurimi ndodhej në një rrezik serioz për t’u shembur. Vlerat e saj të jashtëzakonshme arkitektonike dhe artistike rrezikonin kështu të zhdukeshin. Duke u njohur me këtë situatë, Kryepiskopi Anastas tregoi një interesim të menjëhershëm, duke siguruar financimet e nevojshme.
Për kryerjen e rikonstruksionit, nën kujdesin e Zyrës Teknike të Kishës dhe Institutit të Monumenteve u bë një punë intensive njëvjeçare, prej një grupi, që punoi, si për restaurimin e godinës, ashtu edhe për restaurimin e afreskeve unikale dhe objekteve të mrekullueshme prej druri të gdhendur. Punimet u kryen sipas një metodike e teknologjie bashkëkohore, që jo vetëm e shpëtuan këtë monument, por edhe rivlerësuan vlerat e veçanta të tij.
Grupi i punës, i drejtuar siç thamë nga Prof. Dr. P. Thomo, kishte në përbërje edhe drejtorin e ateliesë së monumenteve të Beratit Ajet Nallbani, punimet ndërtimore u realizuan nga inxh. Alfred Çomo, restaurimi i afreskeve nga Mustafa Arapi dhe aplikimet e drurit nga restauratori Ali Ago. Ndërsa studimi gjeoteknik u krye nga Prof. Dr. Luljeta Bozo.
Gjithashtu, u bë edhe rruga automobilistike deri në objekt, si dhe sistemimi i territorit rrethues, që u vesh me pllaka guri. Një e veçantë tjetër, është se brenda në kishë, në dysheme, është lënë një gropë e mbuluar me kapak, ku mund të shihen gjurmët e kishës së vjetër, me pikturë murale, si dhe një fragment kolone nga ndërtimi i parë.
Kryepiskopi vizitoi gjithashtu, kishën “Fjetja e të Tërëshenjtës”, në Përmet, e cila nga përndjekja ateiste u kthye në “qendër kulture”. Sot, lidhur me rikthimin e saj te pronari i ligjshëm, Kisha Orthodhokse, mbushet një nga faqet e padrejtësive në kurriz të komunitetit orthodhoks. Kryepiskopi i ftoi besimtarët në forcimin e lutjes, në mënyrë që këto forca të errta, që duke shkelur çdo parim të drejtësisë tentojnë të diskriminojnë orthodhoksët, duke mos u dorëzuar akoma edhe kishat që mbetën pa u shkatëruar apo u kthyen me tjetër destinacion.
Në kuadrin e këtij udhëtimi, Kryepiskopi vizitoi edhe fshatrat e Odries, vendlindjen e vëllezërve Zhapa. Në Labovë, Ai bëri për herë të parë një Përshpirtje përkujtimore për këta bamirës të rrallë, për të cilët Kryepiskopi, duke folur me banorët që u mblodhën, veçoi faktin, se ata ishin besimtarë shpresëtarë, punëtorë dhe me shumë dashuri për vendlindjen e tyre.
Kryepiskopi u takua dhe me nxënës të shkollave të Tërbuqit e Labovës, si dhe me shumë banorë, duke dëgjuar shqetësimet dhe gëzimet e tyre. Kryepiskopi dha porosi të veçantë për restaurimin e kishave të Labovës së Zhapës, të cilat ndodhen në gjendje të rrënuar, si dhe për programimin e rindërtimit të varrit të të dy bamirësve.
Kryepiskopi vizitoi edhe Leklin dhe kishën e porsarestauruar të Shën Thanasit, e cila me përkujdesjen e drejtpërdrejtë të tij u kthye sërish në vend lutjeje, pasi gjatë përndjekjes ishte shndërruar në stallë. Duke parë gjendjen e mjeruar të shkollës së fshatit, Kryepiskopi u tha mësuesve e banorëve, se në rast nevoje mund të përdornin mjedise të kishës për mësimdhënien.
Fortlumturia e Tij shkoi edhe në Memaliaj, ku me kujdesin e tij po ngrihet kisha e re.