EmailFacebookKontakt

Zgjerohet vlerësimi ndërkombëtar për Kishën tonë

Më datën 15 gusht 2000, në Pravoslavnia Akademia, në qendrën e Shën Gorazhd, Në Çeki, u kremtua me madhështi “Fjetja e Hyjlindëses”.

Në panairin e madh kishin ardhur mjaft besimtarë nga Praga, Olamuci e Bërno. Liturgjia Hyjnore u kryesua nga Kryepiskopi i Pragës Hristofor. Bashkëmeshtarë qenë edhe disa priftërinj të ardhur nga Rusia dhe Jashi i Rumanisë.

Mbresa të veçanta te të pranishmit la predikimi i Kryepiskopit Kristofor, i cili ndër të tjera, foli dhe për persekutimin e kishës gjatë diktaturës. Ai solli si shembull Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, e cila nën drejtimin e Kryebariut të saj, Kryepiskopit Anastas, vetëm në disa vjet është ringjallur nga ferri ateist.

Kryepiskopi i Pragës Kristofor do ta mbyllte fjalimin e tij me një thënie të Patrikut Ekumenik Vartholomeu, i cili gjatë një takimi me hierarkët e Kishave Orthodhokse, ishte shprehur: “Kush beson në mrekullitë të vizitojë Shqipërinë”, sepse në Shqipëri vetëm për 8 – vjet janë ndërtuar me qindra kisha dhe janë hirotonisur mbi 120 priftërinj.

Ky fakt zgjoi kureshtjen dhe interesimin e të pranishmëve në panair, të cilët në tryezën e shtruar do të pyesnin për përfaqësuesin nga Shqipëria për zhvillimin e pandërprerë të Kishës Orthodhokse Autoqefale, nën drejtimin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas.

Andrea Llukani