EmailFacebookKontakt

Një jetë totalisht përkushtuar te Krishti

Në datën 12 gusht, në Kishën e Shën Todrit në Vlorë, u zhvillua Shërbesa e përmortshme për Episkopin e Apolonisë, Hirësinë e Tij Kozmain (Qirjo). Në prani të qindra besimtarëve, ajo u drejtua nga Kryepiskopi Anastas, me pjesëmarrjen e Mitropolitit të Beratit, Hirësisë së Tij Ignatit, Mitropolitit të Korçës, Hirësisë së Tij Joanit, klerikëve të zonës dhe atyre të ardhur nga të gjitha dioqezat. Në fund Fortlumturia e Tij u foli të pranishmëve për qëndresën shembullore dhe vetëmohimin e pashoq që karakterizoi gjithë jetën e Imzot Kozmait.

Më pas, të pranishmit u drejtuan në fshatin e lindjes së Hirësisë së Tij Kozmait, në Bestrovë, ku u varros në oborrin e Kishës, pranë ajodhimës.

Ndërsa të dielën 17 shtator, në Kishën e Ungjillizimit në Tiranë u bë një përshpirtje për 40 ditët e Imzot Kozmait

At Kozma Qirjo u lind më 10 dhjetor të vitit 1920, në një familje të varfër në fshatin Bestrovë të Vlorës, nga prindër orthodhoksë. I jati quhej Jorgji dhe e jëma Zoica, të dy njerëz punëtorë, të dashur me të tjerët dhe me një besim të patundur te Perëndia. Që në moshë të vogël Kozmai, ishte frekuentues i rregullt i kishës dhe merrte pjesë në çdo Liturgji Hyjnore dhe në çdo mister që kryhej aty. “Kur shkoja në kishë, – thoshte At Kozmai, – doja të rrija vetëm përpara ikonave, pasi ato më tërhiqnin shumë”.

Shkollën e kreu në fshatin e Nartës. Kur mbaronte mësimi, Kozmai ndihmonte të atin, por gjente gjithmonë shkaqe për t’u larguar, që të vente në kishë. Që atëherë atij i lindi dëshira për t’i shërbyer Perëndisë. Në vitin 1937, kur ishte 17 vjeç, shkon në Boboshticë të Korçës, tek disa të afërm. Djali i hallës, duke parë Kozmanë të shkonte çdo ditë në manastirin e Shën Kollit, i dhuroi Dhiatën e Re. Kjo qe për të një ngjarje e rrallë, pasi ato që dëgjonte nga priftërinjtë, tani po i lexonte vetë. Për Kozmanë po fillonte një jetë e re, e lidhur akoma më shumë me Perëndinë.

“Në qoftë se dikush do të vijë pas meje, të mohojë vetveten, të marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë”. (Mateu 16:24) Këto fjalë të Ungjillit i bënë përshtypje Kozmait dhe i kërkoi episkopit Visarion Xhuvani ta pranonte të shërbente në një manastir, si murg. Ishte 23 vjeç, në vitin 1943, kur ai e bëri këtë kërkesë, por episkopi nuk ia pranoi, pasi Kozmai ishte djalë i vetëm dhe i jati kishte një vit që i kishte vdekur. Me dëshpërim të madh e priti Kozmai mosmiratimin e kërkesës për t’u bërë murg, por prapë ai nuk hoqi dorë nga studimi i Shkrimit të Shenjtë dhe i shtoi më tepër lutjet drejtuar Perëndisë. Më 30 prill të vitit 1944 martohet.

“Kudo që shkonte, – kujtojnë bashkëfshatarët e tij, – Kozmanë e shihje me librat e fesë në dorë. Kur shkonte për të punuar, në trastën e tij përveç ushqimit trupor ai mbante dhe ushqimin shpirtëror, librat”. Duke parë këtë përkushtim, ata propozuan ta kishin Kozmain bariun e tyre shpirtëror. Kësaj here, episkopi Visarion e pranoi kërkesën. Kozmai shkon në manastirin “Fjetja e Hyjlindëses” në Zvërnec, ku bëri dhe sarandarin. Ai ndenji aty 45 ditë, nën kujdesin e At Vasil Sulit nga Lekli, i cili shërbente në atë kohë si prift i manastirit.

Më 25 prill të vitit 1945 ai u hirotonis në dhjakon nga episkopi Visarion në kishën “Shën Vlashi”, në Vlorë. Më 29 prill, të po atij viti, Kozma u hirotonis në prift në kishën “Shën e Diela”, në Nartë.

Pas kësaj, ai u caktua të shërbente në kishën “Pesë martirët”, në fshatin Bestrovë. At Kozmai u dallua për ndershmërinë e urtësinë që tregonte në zgjidhjen e shumë problemeve. Durimi qe një nga armët e tij më të forta. I ligu me veglat e tij bënte punën e vet, shpifte, akuzonte e çfarë nuk thoshte për At Kozmanë, por delet e njihnin bariun e tyre dhe ai asnjëherë nuk ra në grackën e djallit.

Ai shërbeu në këtë kishë deri në muajin shkurt të vitit 1967, vit në të cilin çmenduria njerëzore arriti kulmin dhe donte të matej me Perëndinë, donte t’i shpallte luftë Atij. “O Zot profetët e tu i vranë dhe altarët e Tu i prishën dhe unë mbeta i vetëm, dhe ata kërkojnë jetën time”. (Romakëve 11:3)

Kështu ndodhi edhe tek ne. Kishat u prishën dhe klerikët përbuzeshin e talleshin çdo ditë e më shumë. Edhe At Kozmai nuk i shpëtoi dot këtij tmerri. Talljet dhe fletërrufetë ishin refreni i kësaj çmendurie njerëzore. Por At Kozmai lutej e vetëm lutej dhe qe i qetë shpirtërisht, pasi askush nuk mund të fitonte nga ata që i shpallnin luftë Perëndisë. Ndenji dhjetë muaj pa dalë nga shtëpia. Më pas, për arsye ekonomike, u detyrua të futej në punë në ndërmarrjen e ullishtes, ku punoi për 14 vjet rresht. E shanin, i bënin presione të ndryshme, por ai i qetë vazhdimisht i lutej Perëndisë, i bindur se do të vinte prapë dita kur kishat do të hapeshin.

Edhe pse e survejonin, At Kozmai nuk pushoi asnjëherë së bëri misteret e Perëndisë. Gjithë ditën punonte ndërsa natën kryente Liturgjinë Hyjnore. Si një qiri ai shkonte shtëpi më shtëpi për t’u dhënë kurajo besimtarëve dhe për t’u thënë se Perëndia nuk i kishte braktisur. Me një trastë të vjetër në krahë ai shkonte kudo. Brenda asaj traste kishte thesare, aty ndodhej trupi dhe Gjaku i Krishtit, ndodhej drita e botës, të cilën At Kozmai e shpërndante te besimtarët.

“Mblidheshim shpeshherë, – kujtojnë ata, – dhe me ankth prisnim të shihnim At Kozmanë te dera e shtëpisë, pasi kishim frikë se mos e kuptonin dhe pastaj diheshin pasojat. Sa hynte në shtëpi merrnim kungatën që ai e kishte përgatitur në shtëpinë e tij dhe pastaj psalnim me zë të ulët”.

“Shumë herë jam gjendur përpara rreziqeve, por besimtarët dinin ta ruanin bariun e tyre, – thoshte At Kozmai, – shpeshherë ata rrezikonin veten e tyre për të më shpëtuar mua”.

At Kozmai shëtiste shtëpi më shtëpi e qytet më qytet si një dallëndyshe e palodhur dhe kudo ku shkonte ai ngrinte foletë ku mblidheshin zogjtë e Perëndisë. Ai e ndiente se nuk kishte përgjegjësi përpara Perëndisë vetëm për besimtarët e enorisë së tij, por edhe për shumë të tjerë, të mbetur pa bari.

At Kozmai jo vetëm që e kultivoi Fjalën e Mirë në zemrën e tij por dhe e shpërndau atë. Gjatë kohës së persekutimit të fesë ai ka bërë 3000 pagëzime në tërë Shqipërinë. Një nga këta të tremijët është edhe i përndershmi Mitropolit i Korçës, Joani. “Ka qenë data 24 qershor, – kujtonte at Kozmai, – kur në shtëpi më vjen një djalë dhe më thotë se vinte nga Tirana dhe se donte të pagëzohej. Kumbarin e tij e njihja prandaj e pagëzova menjëherë. Atë ditë kremtohej Lindja e Joan Pagëzorit dhe djalin e pagëzuam me emrin Joan. Sot, – shtonte ai, – kënaqem kur shoh që Joani përparoi kaq shumë në besim, sa Perëndia e thirri të shërbejë si Mitropolit të Korçës.”

Në vitin 1982 ai del në pension, kështu që tani e tutje do të ishte më i lirë për ta vazhduar misionin e tij. Në çdo qytet kishte besimtarë, që e prisnin me padurim. Në Fier, Himarë, Durrës, Tiranë, Korçë etj., At Kozmai kishte ngritur kishëza të vogla, ku mblidhte besimtarët dhe predikonte Ungjillin e paqes e pagëzonte. Shumë herë shkonte edhe në këmbë, për të mos rënë në sy të dashakeqëve.

Me këto vuajtje at Kozmai vazhdoi deri në çastin kur besimi u la sërish i lirë. Edhe këtë herë si gjithmonë, Perëndia fitoi mbi çmendurinë njerzore. Lotët dhe lutjet e besimtarëve nuk shkuan kot, siç thekson psalmisti: “Ata që mbjellin me lot do të korin me këngë gëzimi.” (Psalmi 126:5). Por, besimtarët ishin shpërndarë, kishat ishin të rënuara, po një bari i mirë di t’i mbledhë. Menjëherë ai filloi të kryente Liturgjinë Hyjnore dhe misteret e tjera në kishën e “Shën Theodhorit” në Vlorë, por shpesh shkonte edhe në fshatra dhe në qytete të tjera, pasi klerikët ishin të paktë.

Me ardhjen e Kryepiskopit Anastas çdo gjë ndryshoi dhe At Kozmai u gjend menjëherë në krah të Tij. U hap Seminari për përgatitjen e klerikëve të rinj, u hirotonisën dhe priftërinjtë e parë. Po ashtu filloi dhe puna për ngritjen e kishave të prishura. Përveç detyrës si prift, at Kozmai ka dhënë ndihmesën e vet dhe si përfaqësuesi Arqihieratik i Mitropolisë së Beratit, Vlorës e Kaninës dhe ka qenë dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Kishtar. Ai ka ushtruar dhe detyrën e atit shpirtëror. Shumë besimtarë qetësonin shpirtrat e tyre nga hallet e shumta me këshillat dhe me lutjet që bënte At Kozmai për ta.

Dhe së fundi, Perëndia duke parë përkushtimin, përulësinë dhe gadishmërinë për të shërbyer kudo e ftoi atë për t’u kujdesur për popullin e Perëndisë si Episkop. Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë e zgjodhi Episkop të Apollonisë dhe ndihmës të Kryepiskopit. Një sakrificë e madhe kjo, të cilën At Kozmai e pranoi duke thënë: “Le të bëhet vullneti yt, o Zot!”. Dhe Zoti ynë Isu Krisht thotë: “Dhe kushdo që ka lënë për hir të emrit tim, shtëpi, vëllezër, motra, atë, nënë, grua, bij ose ara, do të marrë njëqindfish dhe do të trashëgojë jetë të përjetshme. Amin!” (Mateu 19:29)