EmailFacebookKontakt

“Tempulli”, si një realitet

Në datën 27 korrik, në një nga sallat e bibliotekës “Thimi Mitko” në Korçë, si rrallëherë ishin mbledhur intelektualë të gjithë besimeve, nga mbarë dioqeza e Korçës. Këtë ditë u promovua numri i parë i revistës kulturore “Tempulli”, fryt i mendimit intelektual të kësaj treve, botim që u mundësua nën kujdesin e Mitropolisë së Shenjtë. Botues është shtypshkronja e njohur e Korçës “Kotti”.

Kishte kohë që Korça priste një ndërmarrje të tillë. E prisnin intelektualët e saj e mbarë qytetarët. Korça me të drejtë konsiderohet një “qytet tempujsh”, tempuj dijeje, si Mësonjëtorja apo Liceu Kombëtar, kinematë, teatrot e gazetat e para shqiptare e deri tempujt shpirtërorë, si mikpritja, kultura, pastërtia, veshja etj. Shumë prej këtyre vlerave humbën, u mohuan, por edhe mbijetuan. Dhe atyre sot u shtohet një tjetër tempull vlerash, revista “Tempulli”.

Në fjalën e tij, Imzot Joani, që në fillim falenderoi, Perëndinë e të gjithë ata intelektualë që bënë të mundur daljen e kësaj reviste, autorët dhe redaktorët e saj. Gjithashtu, një falenderim të veçantë ai i drejtoi pronarit të shtypshkronjës “Kotti”, zotit Vangjush Koti, i cili botoi falas numrin e parë të kësaj reviste. Mitropoliti shprehu besimin se revista do të mbushë një “vakum” në jetën shpirtërore të Korçës dhe se nga bashkëpunimi i frytshëm varet jetëgjatësia e saj.

Rektori i Universitetit “Fan Noli” të Korçës, prof. dr. Gjergji Pendavinji, vuri në dukje mes të tjerash, natyrën e larmishme të artikujve në këtë numër dhe kërkesën e gjithë autorëve për nivel shkencor dhe artistik. Në revistë gjejmë shkrime nga sfera të ndryshme, si nga filozofia, historia, arkeologjia, letërsia, folklori etj. Në to harmonizohen natyrshëm metoda e lloje të ndryshme që i japin jetë e gjallëri revistës.

Redaktori i revistës V. Simaku, theksoi rrugën që ndoqi revista deri në botimin e numrit të parë. Ai falenderoi të gjithë autorët e këtij numri, duke theksuar, se që në numrin e parë u bëhet homazh edhe mjaft autorëve, por përcjell edhe një frymë laike, shkencore që mund të thithet e pëlqehet nga njerëzit e të gjithë moshave e profesioneve. U theksua edhe roli i Mitropolitit, Imzot Joanit, në ndërmarrjen e një nisme të tillë, që Korçës kishte kohë që i mungonte. Kurse poeti Ylber Merdani, vuri në dukje vlerat e kësaj reviste, të cilën e quajti një dallëndyshe në rrugën e shtypit të mirëfilltë shkencor në trevën e Korçës.

Më pas e morën fjalën shumë diskutantë të tjerë. Të gjithë falenderuan Perëndinë dhe kolegjumin e revistës për punën e mirë dhe shprehën dëshirën për të bashkëpunuar me këtë tempull të bukur vlerash që i shtohet qytetit tonë. Aktiviteti u mbyll me një koktej.

Vangjush Simaku