Në gusht ndodhi sërish një akt vandalizmi kundër një Kishe Orthodhokse. Në Përmet, pas një veprimtarie të një grupimi të ekstremit të djathtë, disa persona hynë në mjediset e Kishës së Shën Marisë, në qendër të qytetit, që i është kthyer Kishës Orthodhokse të Shqipërisë, me vendime të të gjitha shkallëve të gjyqësorit shqiptar. Ata përmbysën ikonat, gjërat e shenjta dhe çdo objekt tjetër, duke uluritur kundër besimit orthodhoks.
Të bën përshtypje, se policia e Përmetit, e cila krahas Bashkisë së qytetit ka marrë shpesh qëndrime kundër komunitetit orthodhoks, nuk bëri asnjë përpjekje për të ndërhyrë e ndaluar këtë sakrilegj.
Por, një fakt që të tërheq vëmendjen, është edhe një nga thirrjet e vandalëve joorthodhoksë: “Këtu është Shqipëri dhe nuk keni për ta ngritur kishën!”. Mos vallë për këta ekstremistë të gjithë të krishterët orthodhoksë janë joshqiptarë dhe aty ku ka kisha orthodhokse nuk është Shqipëri?! Mbase shkollimi i pakët nuk i ka lejuar të mësojnë, se Krishtërimi jeton në këto treva prej 2000 vjetësh…