Fort i Lumtur dhe i Hyjshëm Patrik i Moskës dhe i gjithë Rusisë, Zoti Aleksej,
Shkëlqesi zoti Kryetar i Bashkisë, Fort të Lumtur dhe të Përndershëm vëllezër dhe etër të shtrenjtë,
Kisha Orthodhokse e Shqipërisë, me gëzim të veçantë dhe me mirënjohje ndaj Perëndisë, merr pjesë në aktivitetet festues të përurimit të Kishës së mrekullueshme të Shpëtimtarit. Kjo kishë ka qenë një monument shpirtëror fitoreje. Së pari, i fitores ndaj armiqve të brendshëm. Së dyti, i fitores ndaj armiqve të jashtëm, që kërkuan të çrrënjosnin besimin nga shpirti i popullit rus. Ne besojmë, se fitorja e tretë do të jetë fakti, se kjo kishë ofron një mjedis të ri, një qendër të fuqizimit shpirtëror për fitore, ndaj kërcënimit të ri të sekularizimit, që po i kërcënon të gjithë popujt në mijëvjeçarin e ri, duke kërkuar që të sundojë mbi mendjen dhe jetën tonë. Gjithashtu, është një mjedis frymëzimi dhe fitoreje ndaj rrezikut të përjetshëm, me të cilin përballemi që të gjithë: ndaj egoizmit tonë, i cili është e keqja më shkatërrimtare që na kërcënon.
Kjo kishë madhështore, kushtuar Lindjes dhe Metamorfozës së Shpëtimtarit, na kujton vazhdimisht fuqinë dhe perspektivën e Metamorfozës – transformimit të të gjithave brenda dritës së Trinisë së Shenjtë. Duke përshkruar dje Moskën, shihja qendra të tjera që ndikojnë mbi jetën e sotme: tipe të tjera kishash të shoqërisë sonë të sekularizuar. Roli i Kishës për të transformuar njeriun e shoqërinë njerëzore, në një shoqëri mbarëbotërore dashurie, do të mbetet konstant. Mendoj gjithashtu, se Metamorfoza e Shpëtimtarit u krye në një çast lutjeje dhe ndërsa Zoti fliste me profitët Moisi dhe Ilia për vdekjen e Tij në kryq. Dy elementët tanë të fuqishëm, që përcaktojnë spiritualitetin orthodhoks, do të jenë gjithnjë jeta intensive adhuruese dhe gadishmëria për kryqëzim, vetëmohimi i plotë për ta jetuar dashurinë e Krishtit sipas modelit të Tij. Nga ana e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë iu përgëzojmë përulësisht për këtë vepër të shkëlqyer historike. Lutemi thellësisht që Perëndia Triadik të bekojë bujarisht popullin shpresëtar rus dhe, në veçanti, të gjithë sa morën pjesë në rindërtimin shumë të shpejtë të kësaj kishe madhështore; dhe t’i bëjë ata të denjë që, të frymëzuar nga milionat e martirëve, që në këtë vend ndoqën pas me gjithë shpirt Krishtin, të jetojnë përditë frytet e Shpirtit të Shenjtë. “Lum ai komb që për Perëndi ka Zotin”, siç thekson psalmisti.
Krishti, Perëndia i vërtetë, i Transformuar në lavdi dhe i Ngjallur së vdekurish, le t’Ju frymëzojë vazhdimisht mendimet, le të ndiçojë vendimet Tuaja, i shtrenjtë dhe Fort i Lumtur Patrik i Moskës dhe i gjithë Rusisë, dhe le të bekojë bujarisht veprën Tuaj shumëdimensionale.
(Gusht 2000)