EmailFacebookKontakt

Mbështetje konkrete për dialogun ndërfetar

Nga 7-10 shtator, në Shqipëri u mbajt takimi i grupit “Islami në Europë”. Ky organizëm ekumenik është krijuar në vitin 1987, me përfaqësues të Konferencës Evropiane të Kishave (CEC) dhe Këshillit të Konferencave Episkopale Evropiane (CCEE-katolike). Ai ka për qëllim të ndihmojë kishat e krishtera në dialogun e tyre me besimtarët myslimanë që jetojnë në Europë. Kisha jonë Orthodhokse Autoqefale, anëtare prej vitesh e CEC, vuri në dispozicion mjediset dhe u kujdes për mbarëvajtjen e veprimtarisë.

Takimi, i pari i këtij lloji në vendin tonë, pati dy qëllime kryesore. Vendin e parë e zinte diskutimi dhe ndarja e detyrave për Konferencën e udhëheqësve të krishterë dhe myslimanë, që do mbahet në shtator 2001, në Sarajevë, e cila do të diskutojë për problemet e perspektivat e këtij dialogu në Evropë. Ndërsa qëllimi i dytë, ishte takimi me komunitetet fetare të Shqipërisë.

Konferenca do niste të enjten, datë 7, në mjediset e Hotel “Mondial”, në Tiranë, duke ia lënë vendin e parë takimit me komunitetet fetare, që ishin ftuar nga organizatorët. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë përfaqësohej nga Kryepiskopi Anastas dhe dy pedagogë nga Akademia jonë Teologjike; Kisha Katolike nga Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore, Mons. Masafra, Mons. Rrok Mirdita e Mons. Ded Gjergji; Komuniteti Mysliman nga zv.kryetari, z. Saimir Gjinushi gazetari Ervin Hatibi, i “Drita Islame”; Kryegjyshata Botërore Bektashiane nga dervish Besnik Fekushi e sekretari i përgjithshëm z. Kujtim Ahmataj, si dhe Vëllazëria Ungjillore, nga sekretari z. Eugen Begu.

Pasi të pranishmit u njohën nga pjesmarrësit në konferencë me punën dhe synimet e saj, çdo komunitet i pranishëm bëri një ekspoze të veprimtarisë së tij, të arritjeve dhe problemeve, por veçanërisht të gjithë diskutonin nën frymën e bashkëjetesës harmonike e tolerancës fetare në Shqipëri midis gjithë komuniteteve fetare, bashkëjetesë që përbën një shembull të çmuar dhe për dialogun ndërfetar në Evropën e sotme e veçanërisht për Ballkanin e trazuar nga dhuna e intoleranca. Gjithashtu ata i njohën edhe me saksionimin e lirisë fetare dhe pavarësisë së komuniteteve fetare në Kushtetutën e re, me nevojën e edukimit fetar në sistemin arsimor etj. Miqtë e huaj falenderuan për njohuritë që morën dhe shprehën besimin se do të ketë edhe raste të tjera shkëmbimi përvoje e njohjeje.

Takimi pati edhe një vazhdim mjaft domethënës: vizitat në objektet e kulteve të ndryshme. Së pari, pjesëmarrësit vizituan Xhaminë e Ethem Beut, të shoqëruar nga përfaqësuesit myslimanë, të cilët i ftuan edhe në mjediset e Komunitetit Mysliman Shqiptar. Aty u pritën nga nënkryetari i tij e myftiu i Tiranës, të cilët iu shprehën vlerësimin për këtë ndihmesë në afrimin midis njerëzve të besimeve të ndryshme. Më pas u vizitua Kisha katolike “Zemra e Krishtit”, ku famulltari u foli për historinë e saj e punën me besimtarët. Një vizitë e tillë u bë dhe në mjediset e Kishës Orthodhokse të Ungjillëzimit, ku miqtë u njohën me historinë e saj dhe veprimtarinë që zhvillohet aty. Në ditët e mëvonshme vizitë u bë edhe në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane.

Që nga mbasditja e së enjtes, “Islami në Evropë” do zhvendosej në mjediset e Akademisë Teologjike Orthodhokse, pranë Manastirit të Shën Vlashit, Durrës. Mjediset e tij bashkëkohore ofronin të gjitha lehtësitë për pjesëmarrësit.

Mbledhjet mbaheshin në bibliotekën e shkollës, ku me seanca me orë të zgjatura kryhej një punë intesive për të diskutuar çdo detaj të takimit të vitit të ardhshëm. Në të merrnin pjesë edhe pedagogët e Akademisë Teologjike z. Jorgo Papadhopulli e Natan Hope. T’i ndiqje ato ishte dhe një mësim, sepse fitoje nga përvoja e të pranishmëve për organizimin e një veprimtarie kaq të rëndësishme, me një ndarje të saktë e të qartë të detyrave.

Ditën e shtunë, pjesëmarrësit i vizitoi sërish Kryepiskopi Anastas, i cili pasi shprehu urimet dhe gëzimin e tij për mbarëvajtjen e veprimtarisë, vuri në dukje se nuk e ndjente veten të jashtëm, pasi në vitet 1988-’91 ka qenë pjesëtar i këtij organizmi ndërfetar, gjë që e ndihmoi shumë kur erdhi në Shqipëri. Pastaj ai u bëri pjesmarrësve një ekspoze të ecjes së Kishës sonë në dekadën e fundit të ringjalljes së saj nga gërmadhat. Pastaj Rev. Cokkie Von’t Leven shprehu kënaqësinë e anëtarëve të komitetit për punën dhe kontributin e Fortlumturisë së Tij dhe për kushtet e plota të krijuara. Gjithashtu ajo theksoi edhe rëndësinë simbolike të veprimtarisë, duke nënvizuar se ky është vetëm një fillim, pasi Shqipëria është pjesë e Evropës.

Dita e diel i takonte pjesëmarrjes në shërbesat fetare dhe largimit. Shumica e të pranishmëve do të marrin pjesë në Liturgjinë Hyjnore në Kishën e Ungjillëzimit. Në fund Kryepiskopi Anastas i njohu besimtarët me veprimtarinë e zhvilluar, duke theksuar se “Eshtë hera e parë që Shqipëria si anëtare e Konferencës Evropiane të Kishave, fton dhe mikpret një grup nga vëllezërit tanë të krishterë… Unë dua t’i falënderoj për dashamirësinë që treguan dhe ndjenjat e vëllazërisë dhe dua t’u uroj sukses të plotë në këtë komitet për Islamin në Evropë, i cili është i një rëndësie të madhe për problemet e Evropës”.

Pastaj Fortlumturia e Tij ia dha fjalën prof. Tarek Mitri, pjesëtar i Kishës Orthodhokse të Antiokisë, specialist i shkëlqyer i Islamit. Prof. Mitri, ndër të tjera, tha se: “Duke vizituar Shqipërinë, ne kuptuam edhe një herë forcën e realitetit të Ngjalljes. Ne pamë ikonën e Ngjalljes në Kishë këtu… Jemi një grup me përfaqësues nga vende të ndryshme të kishave, katolike, orthodhokse, protestante, që kemi ndjerë mikpritjen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe që patëm mundësinë të shikonim shkatërrimet e të shkuarës dhe pengesat. Por, ne kthehemi në shtëpitë tona me imazhin, se gjithçka ka ndryshuar. Unë dua t’ju siguroj ju, se Kisha e Shqipërisë do të mbetet gjithnjë në mendjet e lutjet tona. Në emër të të gjithë kolegëve të mi, do të desha t’ju falenderoja në mënyrë të veçantë Juve, Fortlumturi…”

Pas një shëtitjeje të shkurtër, për t’u njohur me Tiranën, erdhi çasti mallëngjyes i ndarjes me përshëndetjet e urimet e rastit e shkëmbimin e kartvizitave, por që është veçse një mirupafshim në veprimtari të tjera.

Korresp. i “Ngjalljes”