EmailFacebookKontakt

Kombi dhe Globalizimi me shpresë

“Lum ai komb që për Perëndi ka Zotin, populli që Zoti e zgjodhi për trashëgimi” (Psalm. 32:12)

… Në fazën e re të jetës së njerëzimit, ndërsa ndodhemi në proçesin e globalizimit, problemi i madh me të cilin përballen të gjitha kombet është rezistenca ndaj njëtrajtshmërisë së jashtme të imponuar, me ruajtjen dhe evidentimin e veçantisë së kombit tonë. Të gjithë e ndiejnë nevojën e ruajtjes së elementit më të mirë që kemi në DNA tonë kombëtare. Respektimi dhe ruajtja e identitetit tonë kombëtar është një gjë e natyrshme dhe e nevojshme. Por besimi tek Perëndia Triadik, Zoti i gjithësisë, na çliron nga mbyllja egoiste në vetvete, tek kombi, tek vendi ynë.

Rreziqet që mbart proçesi i përshpejtuar i globalizimit ekonomik dhe kulturor vihen re në aspekte të ndryshme. Ne të krishterët nuk duhet të befasohemi nga ky zhvillim. Shoqëria mbarëbotërore e dashurisë dhe e paqes ka ekzistuar që në fillim në perspektivën kristiane. “Shkoni dhe i bëni të gjitha kombet nxënës të mi” (Mat. 28:19), ka qenë porosia e fundit, përmbyllëse e Krishtit të Ngjallur. Psalmat, me frymën e tyre ekumenike u bënë lutja kryesore e Kishës së pandarë.

Globalizimi i parë dhe i drejtë, është ai i krishterë. Zoti “bëri prej një gjaku të gjitha kombet e njerëzve… që të kërkojnë Perëndinë” (Vepr. 17:26-27), theksoi Apostull Pavli. Dhe ai shpalli heqjen e çdo dallimi racial dhe pabarazie shoqërore (Gall. 3:28). Në një vizion mbarëbotëror është drejtuar aspirata eskatologjike e Kishës: “Sepse të gjitha kombet do të vijnë e do të falen para teje, sepse veprat e tua të drejta u dukën” (Apok. 15:4). Ndaj, harmonizimi i përkushtimit ndaj kombit tonë me ndjesinë e përgjegjësisë sonë ekumenike është një detyrë bazë, por edhe një problem i vazhdueshëm i çdo kombi, që është mbështetur tek besimi ndaj Ungjillit të krishterë…

… Le të përpiqemi, secili në sektorin ku shërben, me një mendim të gjallë teologjik, me dëshirë flijuese për të shërbyer, për të kompozuar psalme të rinj jete, që do ta thellojnë dijen tonë për Krijuesin dhe Zotin e gjithësisë dhe të historisë; që do ta thellojnë dashurinë tonë ndaj Atij dhe ndaj çdo njeriu pranë, në planetin tonë, por edhe ndaj çdo qenieje brenda krijesës së Tij të shkëlqyer. “Plot është toka me përdëllimet e Zotit” (v. 5). Sado që gjërat rreth nesh duken të vështira, melankonike dhe të rrezikshme, tek Ai e mbështesim ekzistencën tonë. “Ngazëllohuni, o të drejtë, më Zotin” (v. 1).