Nga 27-30 korrik, në Trondhaim të Norvegjisë, nën kujdestarinë e Konferencës Evropiane të Kishave, u organizua “Pelegrinazhi 2000”, si dhe kremtimi i festës tradicionale të shën Olafit (v. 955 – 1030), mbretit të parë të krishterë të Norvegjisë. Në këto festime mori pjesë edhe Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Anastasi.
Hapja zyrtare e veprimtarisë, u bë më 27 korrik, me një ceremoni modeste pranë kishës Metodiste. Më tej, proçesioni vazhdoi në rrugët e qytetit, me në krye hierarkët e kishave të ndryshme. Stacioni i fundit ishte Katedralja Nidaros. U krye proçesioni rreth saj e më pas ceremonia u mbyll me një program artistik në mjediset e pallatit të kryepiskopit.
Mbasdite në një nga sallat e hotelit “Radison”, do të zhvillohej takimi me temë: “Pajtimi gjatë mijëvjeçarit të ri”. Në këtë veprimtari Kryepiskopi Anastas ishte folësi kryesor. Në takim ishte i pranishëm edhe pasardhësi i fronit të Norvegjisë, princi Hoakon Magnus; Sekretari i Konferencës Evropiane të Kishave, z. Clements.
Supriza e takimit do ishte pjesëmarrja e një grupi prej 40 të rinjsh, të cilët vinin nga vendet që kishin konflikte, si p.sh. nga Kosova, Serbia, Sudani, Etiopia, Eritrea, Bosnja, Irlanda etj. Ata kishin rreth tri javë që udhëtonin sëbashku në një anije, duke krijuar me njeri – tjetrin një atmosferë miqësie e afrimi, të cilën më pas duhet ta përcillnin nëpër vendet e tyre. A mund ta imagjinonte ndokush që qëndronin pranë njeri – tjetrit sërbi Marko Stojanoviç e kosovari Fisnik Kumçalliu nga Mitrovica. Ky i fundit, gjatë krizës në Kosovë kishte kaluar disa muaj në kampin e Kukësit dhe nuk gjente fjalë falenderimi për bujarinë e mikpritjen që gjeti. Në këtë takim kaq të ngrohtë Fortlumturia e Tij Anastasi, do t’u sillte dëgjuesve mjaft emocione nga mikpritja e ngrohtë vëllazërore që i bënë orthodhoksët shqiptarë vëllezërve nga Kosova. Kryepiskopi falenderoi edhe Kishën e Norvegjisë për ndihmën e saj, sepse qenë nga të parët që iu përgjigjën thirrjes për ndihmë.
Në fund, mjaft të rinj erdhën të përgëzonin Kryepiskopin dhe në mënyrë të veçantë ata nga Kosova e viset e tjera shqiptare.
Më 28 korrik, “Pelegrinazh 2000”, pas ceremonisë së hapjes, që u celebrua në kishën e Shën Olafit, proçesionit iu shtuan edhe mijëra besimtarë, të ardhur nga vendet e tjera skandinave, si Danimarka e Suedia. Të gjithë do të bashkoheshin në lutje gjatë agripnisë në katedralen e Nidaros, në vigjilje të kremtimeve të shën Olafit. Ishte ky shenjtor që bëri kristianizimin e popullsisë së vendeve nordike, prandaj edhe e nderojnë me respekt të veçantë. Vetëm në këto vende janë ngritur në përkujtim të tij rreth 340 kisha e kapela (në Norvegji ekzistojnë 50 të tilla, në Suedi 75 etj.). Po, cili ishte ky shenjtor?
Olaf Haraldsoni lindi në vitin 955, në juglindje të Norvegjisë. Mjaft i ri shërbeu si viking në Britani dhe Normandi, ku u njoh me besimin e krishterë dhe u pagëzua. Mbas vitit 1015 u kthye, për të pretenduar fronin e Norvegjisë. Me vete mori mjaft episkopë anglezë, me qëllim që të bënte kristianizimin e norvegjezëve. Shën Olafi siguroi një bazë të qëndrueshme të besimit të krishterë, me ndërtimin e kishave e organizimit të klerit. Gjithë jetën e ia kushtoi Krishterimit, derisa u martirizua më 29 korrik 1030.
Pikërisht më 29 korrik 2000, në përkujtim të martirizimit, në katedralen madhështore të Nidaros, ku ndodhet varri i tij, u zhvillua një shërbesë përkujtimore.
Të dielën, më 30 korrik, pelegrinazhi do të vazhdonte për në qytetin e Stikleshtatit, në vendin e martirizimit të Shenjtorit. Gjatë Meshës, pjesëmarrësit e shumtë do të ndiqnin me interes të veçantë predikimin e mbajtur nga Kryepiskopi Anastas, me temë: “Kombi dhe Globalizimi me shpresë”.
Veprimtaria “Pelegrinazhi 2000”, përveç manifestimit që u zhvillua në Norvegji, do të vazhdojë në muajt që pasojnë në Skoci dhe në Jash të Rumanisë.
Andrea Llukani