…Patriark! Në Kishë (Katolike) është fjala që duhet përdorur me kujdes. Eksplozive. Eshtë mburrje e Kishave Lindore të ndara. Dhe në Romë është arma e atyre që kritikojnë absolutizmin papal.
Dhe Xhovani Paolo II e di që midis Papës dhe Patriarkëve paqja është larg. Pikërisht ai, që si papë është kaq autoritar. Dhe e ka shkruar këtë. Në vitin 1995, i dedikoi çështjes një enciklikë, “Ut Unum Sint”, në të cilën pranon, se “çështja e Papës përbën një vështirësi për shumicën e të krishterëve të tjerë” dhe se duhet gjetur një formë, duke marrë për “model unitetin midis të krishterëve, që u jetua në mijëvjeçarin e parë”. Pikërisht. Mijëvjeçari i parë, kur kishat e perëndimit dhe lindjes ishin akoma të pandara, epoka e patriarkëve; e pesë patrikanave që qeverisnin ekumenin kristian: Roma, Konstandinopoja, Antiokia, Jeruzalemi dhe Aleksandria. Midis të cilëve papa-patriark i Romës ishte vetëm i pari midis të barabartëve, pa asnjë dominim mbi kishat e tjera. I thirrur nga të tjerët për të thënë fjalën e fundit vetëm në raste e mosmarrëveshjeve të mprehta.
Ishte perandori Justinian, në shekullin VI, që fiksoi pesë “patriarkët e shenjtë të gjithë ekumenit”. Por, në agimin e mijëvjeçarit të ri Roma shpiku primatin papal. Me pretendimin e dominimit absolut jo vetëm mbi Kishën e Perëndimit, por edhe atë botërore. Me papën Gregori VII, por më shumë akoma me Inoçencin III, monarkia papale përmbysi pentarkinë patriarkale. Edhe me goditje shpate, me pseudokryqëzatën e vitit 1204 dhe perandorinë latine që vendosi në Konstandinopojë. Për katër patriarkët e lindjes, të cilëve iu shtua Moska, është thyerja me Romën. Skizma… Por kujtimi i sistemit të mëparshëm nuk humbi as në perëndim. Dhe sot, në vitin 2000, rivendosja e sistemit patriarkal është në krye të programit të reformistëve katolikë.
Për këtë mendon edhe Kardinali i Milanos Martini kur propozon, siç bëri në sinodin e fundit të episkopëve, një “qeveri kolegjiale” të Kishës, të Papës dhe peshkopëve njëkohësisht.
Këtë ka ndër mend arkiepiskopi amerikan Xhon Rafael Kuin, kur kritikon centralizmin e Romës në librin e tij manifest “Reforma e papatit”. Kjo është kultura që frymëzon interpretimi dominues i Koncilit Vatikani II, ajo e historianëve bolonjezë: rikthimi tek Kisha e mijëvjeçarit të parë; kolegjiale, sinodale, patriarkale.
Edhe midis katolikëve të bazës ka që kërkojnë patriarkët. Të vjetrit dhe të rinj…
…Në vizionin e reformistëve, vetëm i “zvogëluar” papa mund të bëjë paqe me patriarkët e lindjes dhe Kisha të kthehet e bashkuar… Endërr e guximshme, shumë e guximshme, ndërkohë që mbretëron një nga më absolutistët e papëve.
Një opinion
Eshtë një kishë e vogël nën Vatikanin, ajo Melkite e Libanit dhe Sirisë, me qendër në Damask, që është më përpara nga të tjerat në trajtimin e çështjes së mësipërme. 25 episkopët melkitë kanë nënshkruar një dokument besimi, që thotë tekstualisht:
“Unë jam në komunion me episkopin e Romës, i pari midis episkopëve, në limitet e njohura nga etërit e shenjtë të lindjes në mijëvjeçarin e parë, para ndarjes”.
Kjo është si të thuash: Papa po, por në mënyrën e vjetër. Jo kryetar absolut i Kishës universale, por primo inter pares, patriark në krah të patriarkëve të tjerë. Arkiepiskopi i Balbekut Ciril Salim Butros, shkon edhe më tej:
“Vetëm sinodet e celebruara në mijëvjeçarin e parë do të vlejnë për të gjithë, katolikë e ortodoksë. Dogmat katolike të proklamuara në mijëvjeçarin e dytë do të konsiderohen thjesht si opinione teologjike të Kishës së Perëndimit”,- ka thënë ai.
Kjo është, si të thuash, se do të bien në rangun e opinioneve edhe primati dhe pagabueshmëria papale, të proklamuara më 1870.
Nga Sandro Magister