Verë 2000! Sërish zëra zogjsh dhe aroma lulesh shumëngjyrëshe ndihen në manastirin e bukur të Shën Joan Vladimirit. Me zërat e zogjve bashkohen dhe zërat e të rejave, që çelën kampingun e vitit 2000 “Bariu i mirë”. Nisja ishte më 5 korrik, ku morën pjesë gjimnaziste. Rreth 120 vajza nga e gjithë Shqipëria jetuan në mjedisin e bukur të këtij manastiri, për rreth 13 ditë.
Takimin në mbrëmjen e ditës së parë e çeli At Luka dhe priftëresha Fotini, të cilët uruan mirëseardhjen e vajzave dhe përcollën gjithashtu bekimet dhe urimet e Kryepiskopit tonë Anastas, që përkujdeset aq shumë për rininë. Vajzat kënduan këngën “Kërkoni së pari Mbretërinë e qiejve”, e cila u bë dhe himni i kampit tonë. Dita u mbyll me prezantimi e vajzave me njëra-tjetrën dhe me lojëra të ndryshme.
Çdo ditë e re, do të çelej me Shërbesën e Mëngjesores ose me paraklis. Në vazhdim koha e qetë “Meditim me Perëndinë”, që na bëri ta ndiejmë sa më pranë Zotin tonë, të komunikojmë me Të si me mikun tonë të ngushtë. Tema të veçanta prezantoheshin çdo ditë nga të ftuar të ndryshëm, si dhe nga vetë organizuesit e kampit, At Luka dhe priftëresha Fotini. Priftëresha prezantoi edhe temën e parë “Të jetojmë jetën e krishterë në shekullin e 21-të”; Hirësia e Tij, Imzot Ignati, prezantoi temën “Jisu Krishti i njëjtë, dje, sot dhe përjetë”. Mjaft tërheqëse dhe interesante ishte tema që prezantoi At Efremi “Heronjtë e krishterë në vite”, ndërsa At Justini prezantoi temën “Adhurimi Hyjnor në kishën tonë”. Veç prezantimit të temave, çdo grup, i cili mbante emrin e një prej fryteve të Shpirtit të Shenjtë si dashuria, paqja, gëzimi etj., kryente një studim biblik me secilën nga temat e mësipërme dhe kjo ishte një nga orët më të bukura që kaluam në kamp.
Gjatë ditës nuk mungonin as lojrat, skeçet, dramat, prezantimi i këngëve të reja nga vetë grupet, punët e dorës, mozaiku, punët rreth kampit, si dhe shërbesa të tjera kishtare, Mbrëmësore, Pasdarke, Lutja e Jisuit…
Çdo pasdite vajzat organizonin edhe katekizmin me fëmijët e fshatit. Tema “Përgjegjësia jonë misionare”, që prezantoi At Luka, nxiti vajzat të përgatiteshin sa më mirë për “Natën ndërkombëtare”. Çdo grup, i cili mbarte emrin e një shteti, si Amerikë, Greqi, Rusi, Meksikë, Indi etj., prezantoi historinë, kulturën, traditën, fenë, këngë, valle dhe veçanërisht ushqimet e shijshme të këtyre vendeve.
Aktivitet i veçantë dhe i ri për kampin tonë ishin “lojrat olimpike”, të cilave iu kushtua një ditë e tërë, që u zhvilluan në 2 turne. Një natë më parë At Luka na mësoi, që jeta e krishterë është një maratonë, një garë që jo vetëm duhet nisur, por duhet të përfundohet. Të fortë deri në fund, pra, ishte thirrja në lojrat olimpike, ku ata që përfunduan garën u kurorëzuan me çmime të ndryshme. Dita e shtunë në mbrëmje i ishte kushtuar shërbesës më të bukur të kampit, agripnisë. Edhe e diela, që i përkushtohej Etërve të Sinodit IV Ekumenik, nisi me tropare dhe himne nga më të bukurat.
Liturgjia Hyjnore që përfundoi rreth orës 2:30 të mëngjesit të së Dielës. Dita e diel sërish do të vazhdonte e shkëlqyer. Në orën 7 të pasdites patëm bekimin e veçantë nga Perëndia të ndjekin shërbesën e pagëzimit të 7 vajzave të kampit tonë, të katekizuara nga vetë at Luka, si dhe dy fëmijëve të fshatit. Në darkë të gjitha rreth zjarrit kënduan, prezantuan drama, skeçe dhe veçanërisht është për t’u përmendur festivali i këngës, ku çdo grup u paraqit me një këngë që i kushtohej emrit që ai mbante.
Lutja e një mitropoliti të burgosur rus ishte ndër lutjet më të bukura të kampit tonë: “Lavdi ty për mirësinë Tënde…”, ku për çdo gjë i jepej lavdi dhe falenderim Perëndisë. Kjo ishte lutja jonë e vazhdueshme dhe sidomos në ditën e ekskursionit, që u krye në Pogradec e Drilon. Edhe dita e diel do mbyllej me falenderime. Të mbledhura të gjitha në kishë, çdonjera nga ato, duke ndezur nga një qiri, i drejtoi falenderime Perëndisë së tërëmirë.
Falenderime të veçanta i drejtohen edhe Kryepiskopit tonë Anastas, organizuesve të kampit At Lukës dhe priftëreshës Fotini, si dhe 2 studenteve, që mbaruan Akademinë Teologjike në Durrës, Marina Marinit dhe Sonila Dedjas, që drejtuan kampin tonë.
Korresp. i “Ngjalljes”