Në Beratin e Kodikëve, vatër e besës së Krishterimit, kremtohet më 10 korrik Shën Nikodhimi – dëshmor i ri në Kishën tonë, model dhe simbol i mbrojtjes së orthodhoksisë.
Liturgjia Hyjnore u bë në kishën e Shën Mëhillit, që gjendet nën shkëmbenjtë e thepisur të Kalasë. Ajo u krye nga Mitropoliti, Imzot Ignati dhe At Petraq Simsia.
Pas Liturgjisë, Hirësia e Tij Ignati foli për jetën dhe martirizimin e Shën Nikodhimit, duke theksuar, se pas martirizimit shpirti i tij u ngrit lart në qiell me kurorën e martirit, ndërsa trupin e nxorën besimtarët dhe e varrosën në Kishën e Shën Marisë në Mangalem, ku me Hirin e Perëndisë u bë strehë e shpresës, besimit për shërimin e sëmundjeve.
Dihet, se pas prishjes së kishës dhe viteve antikrisht, lipsani i shenjtë nuk dihet se ku përfundoi. Shpëtoi vetëm lipsani i kafkës, falë kujdesit, përkushtimit ndaj fesë të psaltit – epitrop për më shumë se 25 vjet, zotit Ilia Koçi. Ajo u ruajt si gjëja më e shtrenjtë dhe e shenjtë në familjen e tyre, ashtu siç e konsiderojnë si shenjtorin e familjeve të tyre të gjithë mangalemasit.
Në fund, Imzot Ignati tha se Shën Nikodhimi është një lule e Krishterimit. Ai dallohet nga lulet e beharit, sepse çeli në dimër dhe i rezistoi stinës që deshi ta thante. Ai mbeti simboli i besës së Krishterimit.
Në Kishën e Shën Mëhillit pati dhe mbasdite Shërbesë të Mbrëmjes, ku përsëri u ndodh midis besimtarëve kryebariu, Imzot Ignati. Këtë vit, e veçanta ishte, se kishte të ardhur edhe nga Vlora, Fieri, Lushnja…
Mitropoliti i Dioqezës së Beratit, Vlorës, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë theksoi edhe një herë, se sot ne kremtojmë këto ditë të shënuara me madhështi në këtë qytet, sepse është në nderin tuaj që besimtarët orthodhoksë të tij kanë ditur të çmojnë, të vlerësojnë dhe t’i ruajnë virtytet e Krishterimit.
Sotiraq Mishaxhiu