EmailFacebookKontakt

Kishë e re kushtuar Shën Anës, në qytetin e Korçës

Dyvjetorit të krijimit të Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse, si një ngjarje bazike në historinë postkomuniste të Kishës sonë, qytetit të Korçës dhe besimtarëve orthodhoksë, përveç përkujtimit të kësaj ngjarjeje, i falë gëzim edhe një eveniment tjetër i rëndësishëm, dëshmi e rigjenerimit tërësor që po merr kisha jonë në ecurinë e çdo viti.

Kjo ngjarje ka të bëjë me vendosjen e gurit themeltar të kishës së re të Shën Anës në qytetin e Korçës, në datën 25 korrik, ditën e fjetjes së Shën Anës, nënës së Hyjlindëses, ditë e cila përkoi dhe me 2-vjetorin e fronëzimit të Hirësisë së Tij Joanit, në krye të Mitropolisë së Korçës. Fondet për ndërtimin e saj u siguruan nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas.

Simbol historik mund të quhet kjo ditë, për risinë që i dhuron jetës orthodhokse të qytetit, duke e shtuar më tepër dhe deklamuar fuqishëm forcën e shenjtë të ngjalljes, që sfidon çdo vështirësi dhe vullnet të mbrapshtë, forcë e cila tashmë është materializuar me Katedralen madhështore “Ngjallja e Krishtit” në zemër të qytetit, që pothuajse është në fazën përmbyllëse të punimeve.

Dhe sërish një bekim tjetër për qytetin, një kishë e re, e cila do të mbushë dhe rizgjojë përjetimet në hapësira më të gjera dhe dimensionale të jetës shpirtërore të besimtarëve. Korça shquhet si qytet për numrin e madh të kishave dhe kjo është meritë e trashëgimisë së pasur të vlerave orthodhokse dhe kujdesit të veçantë baritor që është treguar, për pasurimin e ruajtjen e tyre.

Hirësia e Tij, gjatë aktit të bekimit të themelit, para shumë besimtarësh të pranishëm, theksoi rëndësinë që ka kjo kishë në jetën dhe strukturimin shumëpalësh të shoqërisë sonë: “Shumë njerëz, pyesin, se përse investohet në ndërtimin e kishave… Arsyeja është e thjeshtë, sepse Kisha dhe vlerat që predikohen në to, janë themeli mbi të cilin ndërtohet e gjithë qenia njerëzore dhe modelet shoqërore të saj, përfshirë këtu dhe infrastrukturën ndërtimore, për të cilën vendi ynë ka aq shumë nevojë”.

Dhe për këtë, mirënjohja më e madhe i takon Zotit të dashur, që bekon jetën tonë dhe e pasuron atë në substancën themelore të saj, barinjtë tanë të frymëzuar e gjithë ata që me lutje, kontribut dhe bashkëpunimin, përpiqen që vendit e jetës t’i kthejnë lartësinë e merituar dhe ëndrrat e dikurshme t’i kthejnë në realitete të prekshme.

Anesti Dhima