Në datën 11 gusht, pak para se të fillonte shtypja e gazetës, na trishtoi lajmi i një humbjeje shumë të rëndë për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Ndërroi jetë Hirësia e Tij Kozmai (Qirjo), Episkop i Apolonisë.
Imzot Kozmai u lind në Bestrovë të Vlorës, më 1922. Në prill 1945 u hirotonis në prift nga Imzot Visarioni, duke shërbyer deri në mbylljen e kishave, më 1967. Pas kësaj punoi si punëtor, por, në fshehtësi, nuk i ndërpreu për asnjë çast shërbesat e shenjta, jo vetëm në Vlorë, por edhe në qytete të tjera, si në Korçë, Tiranë etj., ku ishte në lidhje të ngushta me të gjithë ata besimtarë që me heroizëm guxuan të sfidonin ateizmin e imponuar të shtetit komunist. Hapjen sërish të kishave ai e priti me gëzim të parrëfyer, duke falenderuar nxehtësisht Perëndinë, që i dha mundësinë të rivishte rrobën e nderuar të klerikut orthodhoks. Më pas u bë Ikonom Stavrofor dhe gjatë shumë viteve ka qenë zëvendës episkopal për Dioqezën e Beratit. Më 23 korrik 1998, u hirotonis Episkop i Apolonisë, dhe u bë anëtar i Sinodit të Shenjtë të Kishës.
Në numrin e ardhshëm do t’iu njohim me veprimtarinë e Tij dhe ceremonitë e përmortshme.
Perëndia ia prehtë shpirtin në paqe! Paçim uratën e Tij!