Kisha në foto është ndërtuar për lavdi të Perëndisë së hirshme dhe për kujtimin e Shën Kozmait nga Etolia, në fshatin Livadhja të rrethit të Sarandës. Livadhjaja ndodhet në thellësi të zonës së Vurgut dhe është një fshat me mbi 1000 banorë, i cili vitet e fundit njeh një zhvillim si pikënyje drejt kalimit të ri të kufirit, në Qafë-Botë.
Punimet për Kishën e Shën Kozmait të Etolisë filluan me Shërbesën e gurit të themelit, nga Fortlumturia e Tij, Imzot Anastasi, në tetor të vitit 1996, menjëherë pasi ishte përuruar Kisha e Delvinës.
Ndërtimi u bë në një truall prej 1200 m2, që fshati dha në qendër, përkrah shkollës së mesme të zonës. Kisha ka një sipërfaqe prej 280 m2 dhe është ndërtuar me gurin karakteristik të asaj zone, duke thelluar më tej elementet e traditës së ndërtimeve të kishave, që shfaqet e pasur në këto treva. Pothuajse në të njëjtën menyrë është e ndërtuar edhe Kisha e Shën Gjergjit në fshatin Shkallë, pak më tej nga Livadhjaja.
Tashmë punimet kanë përfunduar dhe mbeten pajisjet e brendshme. Së bashku me kishën, nga Kryepiskopi u financua realizimi i terrenit sportiv të shkollës së fshatit, me sipërfaqe mbi 2000 m2.
Kisha e Shën Kozmait të Etolisë, përbën një dhuratë të Fortlumturisë së Tij për komunitetin e Livadhjasë dhe gjithë zonës dhe një vend bekimi dhe lavdërimi të Perëndisë, për gjithçka që bëhet për zhvillimin e besimit Orthodhoks.